Home KRYESORE Ringjallja e Ilirian Zhupës.

Ringjallja e Ilirian Zhupës.

Nga Dritan Hila

Ashtu si dikur perënditë greke kthenin në statuja mermeri njerëzit dhe ju linin shpirtin e gjallë që të ishin dëshmitarë të kohërave, edhe tek ne, në kohën moderne, u përsërit e njëjta histori. Fati zgjodhi një pasardhës epirotas, të lindur në malet e Kurveleshit. Njëzet e pesë vjet përpara, Ilirian Zhupa ndërpreu botimet, duke vazhduar të shkruajë dëshminë e kohës në shpirtin e tij brenda kafazit të kraharorit dhe letrave të zverdhura në sepetin e studios. Koha dhe zotat e përqasën çdo ditë e më shumë në këtë çerek shekulli labin e Çorrajt me pamjen e statujës së mermerit: i zbehën fytyrën, i zbardhën flokët, i ngadalësuan ecjen, dhe i rralluan fjalët. Si për ti thënë se puna e tij ishte të shkruante dëshminë për vitet që vijnë dhe jo të kishte punë me bashkëkohësit e tij. Infarkti që i pësoi zemra kur sapo i kishte kaluar të pesëdhjetat, ishte shenjë se si perënditë kishin vendosur ta gurëzonin dhe bënin dëshmitar të kohës, ndërsa trupi i tij donte të ishte pjesë e ditëve që po jetonte. Duke bërë një kompromis: e lanë të vazhdonte të jetonte me zemër ditët që rridhnin, por duke e bërë më të heshtur e të mermertë pamjen e tij.

Dhe libri i tij “Të gjallë dhe të vdekur”, është dëshmi e kësaj periudhe tranzicioni nga bota e të gjallëve në panteonin e dëshmitarëve të mermertë të kohërave, apo nga koha e vdekur që ka shkuar, në atë të të gjallëve që jetojnë. Merreni si të doni. Por e rëndësishme është se një statujë e theu marrëveshjen me perënditë, dhe vendosi të kthehet dhe dëshmojë si ka qenë dhe si e ka parë botën ai para çerek shekulli, si kemi ndryshuar ne, si jemi bërë më të mirë, më të këqij, më të liq, më sipërfaqësorë, më të dhunshëm, më të butë, më të ndjeshëm, më nostalgjikë e më të shpejtë. Unë kam qenë në dhjetë vjetët e fundit pranë kësaj statuje, Kam parë si fjalët i pakësoheshin përditë e nga pak, si zbardhej përditë e më shumë. Por kjo ka qenë më e pakta. Kam parë ziliqarët që për shkak të së shkuarës së tij prej rebeli e prej kokë-shkreti; për shkak të talentit të tij që nuk e kishin dhe të zotësisë për të shprehur me art dilemat e dyshimet, e përndiqnin, duke menduar se kështu mund ti merrnin lavdinë. Duke harruar se një statuje nëse i bie me çekiç, ajo çka i heq bëhet një copë guri dhe jo lavdie që mund t’ia qepësh vetes; ashtu si gurët që ju merren kalave për të bërë shtëpi, nuk ju japin shtëpive lavdinë e kalave, përkundrazi, tregojnë që janë shtëpi hajdutësh. Kam parë sesi miqtë e dikurshëm e tradhtonin apo e harronin, ashtu siç kam parë se shumë prej atyre që ju kishte hapur dyert e zemrës dhe të shtëpisë e kishin spiunuar, duke menduar se rrëzimi i tij do ti bënte ata më të lartë.

Ish themeluesi i PD-së, RD-së, i Komitetit të Helsinkit, botues i gazetës “Populli Po”, botuesi i Sofokliut në shqip, para 18 vjetësh preferoi të dorëzohej diplomat. Fjala “dorëzohem”, është një zgjedhje e tij nga fjalori ekleziastik që përdoret për murgjit kur lenë botën dhe mbyllen në muret e manastirit. Ishte një zgjedhje e tij, për ti shërbyer një profesioni që përditë e më pak ka njerëz të talentuar. Në Shqipëri janë kujdesur që Ilirianin ta mbajnë të mbyllur brenda mureve-qeli të Ministrisë së Jashtme. Duke treguar se pushtetet në Shqipëri , shpejt kthehen në regjime, dhe të gjithë veshin mantelin e obskurantizmit banal të provincialëve të frustruar dhe injorantë. Por duke mos ja dalë që tek poeti të hyjë urrejtja.

Por le ti kthehemi ngjarjes. Të shkruash përshtypje për një libër, e aq më shumë për poezi në epokën e internetit dhe fastwebit, është përpjekje e dëshpëruar. Shumë më tepër e lodhshme, kur këtë do të përpiqet ta bëjë dikush që nuk është lexues i mirë poezie. Pasi poezia nuk është ushqim për gjithfarë nofullash. Është përkëdhelje për mëndjen. Gjithsesi prekja e saj prej puple, është e mjaftueshme të lerë një brazdë në tru. Ndaj dua të komentoj vetëm një poezi të tij, të titulluar “Një kumbull, një qen, një trishtil”. Ndoshta nuk është më e mira, ndoshta nuk është më e arrira, ndoshta është e kundërta e këtyre që thashë, por në të kam parë vitet e mia që kanë ikur, të dashurit e mi që këto vite kanë marrë, nostalgjinë për çka shkoi dhe ndrojtjen për të panjohurën që vjen, por që gjithsesi do të ketë fundin e trishtë që ka qenia njerëzore. Ajo flet për trishtilin, që ashtu si shpirti, është zogu i mbyllur në kafaz, është më i brishti, më i burgosuri dhe ai që ikën i pari nga kjo botë. Flet për qenin, atë besnikun ndaj nesh më shumë se ne ndaj tij; rojen tonë, mikun tonë, të dashurin tonë e nganjëherë priftin tonë ku rrëfehemi. Është qeni që ashtu si ne kur jemi të vegjël na tremb trokitka e shiut në çati dhe bubullima që na struk në gjirin e nënës. E kur plakemi shohim vitet e pasionit që shkuan dhe grinë e pleqërisë që vjen, deri sa të vijë çasti i përballjes. Është kumbulla, që na ka gëzuar me lulet e saj, me frutin e saj, me hijen e saj, me trokitjet me gishta bisqesh mbi xhamin e dritares. Deri sa vjen dita që të bëhet dru për zjarr apo dërrasë për arkivol.

Dhe nuk dua të flas për të tjera. Pasi perlat shikohen dhe përkëdhelen me sy, e shkëlqimin e bukurinë e tyre, nuk mund ta tregosh. Aq më shumë kur janë 85 të tilla, të mëdha e të vogla, të shpërndara në vetëm 170 faqe.

Share: