Ekspozimi ndaj rrezikut të terrorizmit te shtetit islamik pranohet edhe nga ushtarakët më të lartë të cilët kanë hartuar edhe Strategjinë e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Ata theksojnë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rrezikut të mundshëm të ndonjë sulmi terrorist, si rezultat i anëtarësisë në NATO dhe kontributit për paqen dhe sigurinë globale.
“Ekstremizmi me frymëzim ideologjik, fetar apo nacionalist ushqen veprimtaritë terroriste. Ideologjitë e skajshme mbështeten te padija, varfëria, mungesa e shërbimeve shtetërore dhe lidhjet e shumëfishta rajonale dhe ndërkombëtare. Këto shkaqe krijojnë terren për rekrutimin e individëve vulnerabël, të cilët marrin pjesë në konflikte ndërkombëtare. Për shkak të prirjes së tij ekspansioniste, ekstremizmi mund të përbëjë rrezik për kohezionin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare dhe të rajonit” – citohet ne dokument.
Në analizën e bërë nga ekspertët e sigurisë, thuhet se terrorizmi përbën kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin ndërkombëtar dhe kombetar.
“Grupe ekstremiste fetare dhe kriminale vazhdojnë të përhapen në zona të ndryshme të globit, shfrytëzojnë rajone të pastabilizuara dhe shtetet e dështuara, duke u shndërruar në kërcënim potencial për sigurinë. Teknologjia moderne e informacionit dhe mundësia e aksesit të terroristëve në armët kimike, biologjike, radiologjike apo bërthamore kanë rritur rrezikshmërinë e sulmeve terroriste. Tensionet rajonale, të ndikuara edhe nga faktorë të tjerë ideologjikë, politikë, fetarë dhe kulturorë, mund të frymëzojnë grupe ekstremiste, të cilat synojnë përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe ndërmarrjen e akteve terroriste në zonën Euroatlantike, përfshirë Republikën e Shqipërisë”,
– theksohet në dokument duke shtuar se zhvillimet e fundit në krahun jugor të Aleancës e bëjnë terrorizmin një kërcënim akoma më prezent, si për vendin tonë, ashtu dhe për vendet e Aleancës. Neper qytete tashme vihet re prezence me e ngjeshur e policise dhe ushtrise vecanerisht prane institucioneve te shtetit.
Ne fakt, ngjarjet e fundit ne Paris deshmuan se terrori nuk po godet institucione te administrates shteterore, por ato private dhe njerez te pafajshem. Nese jane te ndergjegjshem per kete ane te kesaj strategjia nuk dihet!