Home KRYESORE UNË SOLIDARIZOHEM ME TË GJITHË, SEPSE UNË I DUA NJERËZIT.

UNË SOLIDARIZOHEM ME TË GJITHË, SEPSE UNË I DUA NJERËZIT.

Nga Alfons Cupaj

Nuk ka rëndësi nëse ke lindur në Antarktidë, Grenlandë, Korenë e Veriut, Nigeri, Namibi, Liban, Siri, Irak, Palestinë apo SHBA, Australi dhe Europën Perendimore. Nuk ka rëndësi nëse ke lindur 2 mijë metra mbi nivelin e detit apo në breg të detit, nuk ka rëndësi nëse ke lindur në zemrën e qytetërimeve apo në vendet më të prapambetura të botës, nuk ka rëndësi nëse ke lindur i varfër apo i pasur. Nuk ka rëndësi ngjyra jote e lëkurës, rrudhat në ballë, apo pamja jote.

Të gjithë vlejmë njëlloj. Jemi të njëjtë. Kemi të njëjtin mision. Ndajmë të njëjtin ajër, të njëjtat burime, të njëjtën hapësirë. Krijuesi na ka dhënë të njëjtin akses, të njëjtën shëmbëlltyre. Jemi ne që i kemi krijuar ndarjet drastike. Jemi ne që kemi mbjellur dhunën, urrejtjen, intolerancën. Ndaj, çdo jetë e humbur vlen njëlloj. Çdo jetë e humbur meriton të njëjtën vëmendje dhe të njëjtën dhembshuri, sepse jemi një.

Masakra me 129 të vrarë në Paris, pas disa sulmeve të njëpasnjëshme me armë, me bomba dhe shpërthime kamikaze, është padyshim një akt i pastër terrorist kundër vlerave njerëzore. Nuk ishte vetëm një sulm terrorist, por një sulm kundër Republikës së Lirisë, sulm kundër vendit që personifikon ndryshimet historike për liri dhe barazi. Mijëra njerëz në mbarë botën u solidarizuan me viktimat e pafajshme, duke shprehur solidaritetin e tyre në mënyra të ndryshme, ku disa vendosen në profilet e tyre në rrjetet sociale ngjyrat e flamurit francez. Sigurisht, edhe unë vazhdoj të ndihëm i pikëlluar e i tronditur nga kjo ngjarje. Edhe qeverite e vendeve të ndryshme u solidarizuan me viktimat, duke mbajtur 1 minute heshtje dhe duke vendosur flamujt në gjysmështizë, si shenjë mbështetje ndaj viktimave të Parisit, por edhe si shprehje e vendosmërisë së tyre në luftën kundër terrorizmit. Por diçka më shqetëson.

Pse duhet të jemi më shumë solidarë me Francën sesa me Sirinë? Pse duhet të shpërfillimin dramat njërëzorë që ndodhin në Siri, Liban, Nigeri, Palestinë?

Pse duhet të mos shqetësohemi për 130 viktimat e sulmeve me bomba që ndodhen para ca kohësh në Turqi? Pse nuk solidarizohemi me diskriminimin e kurdeve në Turqi, me 224 viktimat e avionit rus që u rrëzua nga isis? Pse nuk solidarizohemi më maskarat më çnjerëzorë të Boko Haram, ku vetëm në një ditë vranë 2000 persona? Pse nuk u solidarizuam më mijëra viktima si pasojë e termetit të tmerrshëm të Haitit? Pse nuk solidarizohemi me masakrat e vazhdushme ndaj të krishterëve në Nigeri, Siri, Irak, Liban, Jordani, Palestinë, Izrael e Egjipt? Bota është në krizë. Ngjarja e Francës është vetëm një pjesë e vogël e krizës që ka përfshirë mbarë botën.

E trishtë është situata në Korenë e Veriut, në Kubë. Edhe më e frikshmë është varfëria në Afrikë dhe Indi, apo mungesa e demokracisë në Kinë. E frikshme është situata në Shqipëri. Qasja duhet të jetë e njëjtë, për të gjithë.

UNË SOLIDARIZOHEM ME TË GJITHË, SEPSE UNË I DUA NJERËZIT.

Share: