Home KRYESORE VEZA GODET MË E RËNDË SE FJALA!

VEZA GODET MË E RËNDË SE FJALA!

Nga Frano Kulli

I ka kaluar tre ditët …çudia që Kryeministrin e kanë gjuajtë me vezë ca studentë, tek ai po dilte nga universiteti i tyre,(Fakulteti i Shkencave sociale) në njërin prej auditorëve të të cilit Zoti Kryeministër kish zgjedhur të kryente një prej punëve të tija të ditës; t’u mbante një fjalim ca dëgjuesve të tij për ashpërsinë e epërme që ai do të tregonte për mbledhjen e taksave.Me gjoba më të rënda se xhiroja vjetore e biznesit dhe me burgime.

E kanë gjuajtë me vezë studentët, të cilët kanë më se një vit që kërkojnë të flasin me kryeministrin për t’i shprehur pakënaqësinë për mënyrën që qeveria e tij ka zgjedhur për të reformuar arsimin e lartë , për t’i thënë atij se ai lloj barazitizmi donacionesh nga fondet publike si për universitetin publik ashtu edhe për ata private është i paarsyeshëm për ta, jo demokratik dhe klientelist .E për plot pakënaqësi të tjera ndaj reformës qeveritare të arsimit , të cilën ata i çmojnë jetike për perspektivën e arsimit të lartë si dhe për të drejtën që kanë gjithë shtetasit për ta ndjekur atë, pa diskriminim.

Mirëpo zoti kryeministër nuk i ka dëgjuar ata as kërkesat e argumentet e tyre.Madje, ai edhe i ka tallur e qesëndisur ata sistematikisht .Ashtu siç po bën me gjithë shqiptarët që mendojnë e veprojnë jo si ai, nga poltroni kryeministror, në të cilin është ulur si qiraxhi për këto katër vjet,duke i shpërfillur kërkesat e tyre të organizuara dhe përfaqësuese , më së paku me mosdëgjesë.Mosdëgjesë , e cila ka arritur kulmin e shpërfilljes e të talljes pikërisht atë ditë që kryeministri ka zgjedhur “bujtinën” e këtyre studentëve për… të kryer punët e tija të ditës si kryeministër.Dhe studentët, për t’i gjallëruar shqisën e mospëlqimit të dëgjimit të tyre dhe të askujt tjetër përposë vehtes (!) i kanë dërguar ftesa për t’u dëgjuar prej tij, duke dërguar vezë në drejtim për tek ai…Dhe “tingulli” dhe shenjat e vezëve dhe pamjet e trajektores së tyre hedhur drejt kryeministrit për një çast paskëshin pasë më shumë peshë e dëgjesë se fjalët e studentëve përgjatë një viti e gjysmë.Së paku e kanë bërë të reagojë për një çast me një buzëqeshje, ani pse në formën e një skërmitjeje., në fillim.Ca ditë më pas e quajti kakarisje hedhjen e vezëve drejt tij.Fundja edhe kjo vlen, në rrethanat kur fjalët nuk dëgjohen, shpërfillen,dhe me tallje asgjësohen, sikur të mos ishin thënë.Ani pse secili është i lirë të thotë fjalë, të ankojë nëpërmjet fjalëve për padrejtësitë dhe ta çojë edhe fort zërin për shqiptimin e fjalëve.
Rëndesa e peshës së fjalës në të shkuarën tonë, deri tash së voni ka qenë matë me një tjetër gjësend. Shprehur me metaforën:”Fjala më e rëndë se plumbi”, përdorur në rastin ekstrem kur ajo ka pasë konotacionin e saj fyes, vjen si një trashëgimi e jona për t’u patur zili, pse jo.Në fund të fundit, respekti dhe vlerësimi për fjalën është inteligjencë, por edhe respekt i nivelit të lartë për vetvehten e për të tjerët,domethënë për vetë njeriun. .Kjo mënyrë të shprehuri ka shënuar mënyrën e të të menduarit të njeriut shqiptar, i tillë ka qenë raporti i tij me fjalën,e si me fjalën me mendimin e me veprimin.Sidomos me fjalën në publik, domethënë në takim, në kuvend, në bisedë, në ato raste kur vetë ajo fjala merr një solemnitet.

Por ja që moderniteti e ka shprishur, madje me ritëm të shpejtë e gati turravrap këtë mardhënie.Dhe sipërmarrësit e këtij akti janë së pari politikanët tanë.Duke e përdoruar fjalën pa kurrfarë dogane deri në keqpërdorim sipror, duke e thënë si premtim, por duke mos e mbajtur asnjëherë ,duke mos e zgjedhur e përpunuar kurrë, por duke shkelur mizorisht mbi fjalën e dhënë.Duke e spërdredhur atë, pa pikë serioziteti deri në fyemje montruoze të bashkëbiseduesit.E keni ndjekur bisedimin e tyre ligjërimor ndërmjet vedi…, në aulën e atij që quhet Kuvendi i Shqipërisë ?…Me taktikat e tyre djallëzore, ushtruar sistematikisht në këta 25 vjet ata ja kanë dalë që peshën e fjalës ta ulin aty ku s’mban , deri në cakun e pavleshmërisë. Ndoshta këtu e këndej duhet zgjedhur më shpesh veza për të komunikuar me shtetarët tanë kaq shumë mëkatarë e të padëgjueshëm.

Share: