Nga Rudolf Marku
Dekorimi i një hetuesi dhe krimineli të periudhës së Komunizmit, Shyqiri Çoku, i cili, krahas të tjerëve, ka gjykuar dhe torturuar dhe pader Zef Pëllumbin, dhe, sipas dëshmisë më të fundit, edhe profesorin e nderuar dhe eruditin e kthjellët, Sami Rrepishti, u bë shkak debatesh të nxehta për trashëgiminë e komunizmit në shoqërinë e sotme. Duke iu referuar Gail Kligman, një njohësi të shkëlqyer të antropologjisë politike, i cili mendon se ideologjitë politike janë në fakt koleksione të kodifikuara të simboleve të veçanta, mund të themi se rasti i Shyqiri Çokut, pa dashje, shërbeu si një simbol i shoqërisë së sotme postkomuniste. Si simboli jo vetëm i vazhdimësisë së periudhës së komunizmit, por dhe i glorifikimit të krimeve të kësaj periudhe.
Por, a duhej të ishim të përgatitur për dekorimin e Shyqiri Çokut? A është çudia e jonë dhe papritshmëria jonë para dekorimit të tij një naivitet, apo është thjesht një hipokrizi, a një shprehje e zgjimit të përkohshëm nga gjumi anestezik për të rënë pas pak minutash në një gjumë dhe më të thellë, apo të gjitha këto së bashku?…Në Poloni, menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, gjeneral Jaruzeski pat pranuar gabimet dhe fajet e së shkuarës komuniste. Vetëm në Shqipëri, asnjë nga funksionarët e lartë komunistë nuk ka shfaqur asnjë gjurmë pendimi; përkundrazi, funksionarët e lartë komunistë kanë qenë dhe janë në një gjendje të përhershme krenarie në proporcion të drejtë me shkallët e krimeve që kanë bërë, duke i konsideruar ata që guxojnë t’i thonë gjërat me emrat e tyre si spiunë, shpifës, përfitues të postkomunizmit…
Në një shoqëri të qytetëruar, kur vjen puna tek dënimi i krimeve të së kaluarës, mendoj se të gjithë ne duhej të ishim përtej pikëpamjeve të majta a të djathta, përtej pozicionimeve partiake, sepse normalisht si qenie njerëzore duhej të kishim përqafuar atë ide të kahershme të Adam Miçnikut që thosh se Jeta më ka mësuar po qe se dikush është duke u fshikulluar nga një kamxhik dhe se dikush tjetër është duke fshikulluar dikë me kamxhik, gjithmonë jam në anën e tij që është duke u fshikulluar nga kamxhiku…Por jo në Shqipëri…
Ka qenë viti 1994 kur më patën ftuar në Librazhd në ditën e varrosjes së eshtrave të Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit. Pasi patëm parë vendin e ekzekutimit të dy poetëve fatkeq, një prozhmë e vetmuar pylli, buzë një përroi të tharë, një yrt ndjellakeqës, u drejtuam për në Varreza duke mbajtur mbi supe peshën e arkivoleve me ato pak eshtra të mbetur. Kur ja, tek ecim në një rrugë mes qytezës së shkretë e të zymtë, papritur dëgjojmë një zë të shqiptuar si sfidë: Mirë ja u kemi bërë!…Kthejmë kokën, dhe shohim se këto fjalë janë shqiptuar nga një njeri me një pamje groteske, me një shprehje ligësish të provincave të thella,i tharë, i rrudhur keqas, me një kapele leniniste, një lloj shapke bolshevike…
Menjëherë më shkoi ndërmend Ferri i Dantes, klithmat nga gropat tërë gjarpërinj dhe merimanga, klithmat e ligësisë njerëzore, që herë artikulohen si pasione politike, herë si artikuj gazetash, diçka si shkrime ypash a zdrypash ”“ herë si sulme kundërshtarësh dhe herë si dëshira shqyerjesh…Për Kolakowskin, barbaria Totalitare, në përgjithësi ( mendojeni vetë se ç’mund të themi pastaj për ligësinë totalitare të markës shqiptare), mbetet dhe shprehja e prezencës së Djallit në Histori. Çfarë kemi bërë për ta përzënë Djallin nga Historia jonë? Më duket se kemi bërë të kundërtën: kemi bërë çmosin për ta joshur që të qëndrojë mes nesh!
Dekorimi i Shyqiri Çokut dhe i të ngjashmëve të vet është bërë me kohë. Që kur se, menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, pranuam të barazojmë viktimat me kriminelët; që kur se ramë dakord që denoncuesit e Komunizmit t’i frikësojmë duke i quajtur njëzëri ekstremistë dhe tradhtarë; që kur se pranuam që të gjithë kapitalin tonë të emocioneve dhe të shpresave t’i investojmë tek Partitë politike…Dekorata e Shyqiri Çokut është e fundit që ai merr, por jo e para. Shyqiri Çoku është dekoruar me kohë ekonomikisht (jam i sigurt se ai jeton qindra herë më mirë se sa të gjithë viktimat që ai ka torturuar); e kemi dekoruar me prestigj shoqëror,duke gënjyer dhe duke e pranuar gënjeshtrën se ai është veteran i Luftës Nacional Çlirimtare.
Dhe, ai nuk është i vetmi që ka marrë dhe vazhdon të marrë pension të veçantë si Veteran Lufte pa shkrehur asnjëherë në jetën e vet Armen kundër pushtuesve, në atë luftë që nuk ishte as Nacionale dhe as Çlirimtare. I kemi dhënë me kohë medaljen e dhunuesit të ligjshëm, e torturuesit të respektuar (po të kishte pasur fatin të kishte qenë më i ri në moshë, do e kishim parë të zgjedhur, me konsensus të plotë, në Këshillat e Lartë të Drejtësisë a në Komisionet e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut). Nuk besoj se nuk ka hapur ndonjë zyrë avokatie a ndonjë biznes me jashtë, ashtu si nuk besoj se fëmijët e tij nuk janë shtetas amerikanë a të ndonjë shteti të Komunitetit Europian. Natyrisht, me konsensus të plotë dhe konform ligjeve të miratuara nga të gjitha partitë politike.
Gazeta Mapo.Al