Nga Artan Fuga
Që nga sheshi që shtrihet përpara Universitetit Politeknik atje në fund të Bulevardit «Dëshmorët e Kombit», pamja e asaj që po vinte drejt nesh duke u zhvendosur mbi xhadenë e bulevardit dhe bërë zigzage të çuditshme, i ngjante një letre bixhozi.
Fanti kup, derri maç, dama spathi, xholi i kudo-ndodhur, kanë nga dy gjysma trupi dhe nga dy koka krejt simetrike.
Njëra qëndron drejt dhe tjetra përmbysur. Â Të ndara nga një vijë imagjinare që i pret mespërmes. Janë si centaurë narcistë që bashkohen nga mesi e poshtë jo me qenie të tjera, por me veten e tyre të kthyer mbrapsht.
Me dy koka. Njëra drejt qiellit, tjetra drejt tokës.
Pikërisht një qenie e tillë centaur, krejt e dyzuar, po vinte drejt nesh atë çast nga thellësitë e Bulevardit.
Dhe nuk ishte vegim i mendjes së turbulluar në atë ditë fillim korriku kur dielli digjte si furrë. Vapa ishte bërë zhuritëse në atë orë që duhej të ishte aty rreth dy ose tre e pasdites. Këtë gjë nuk e mbaj mend edhe aq mirë sepse kjo që po përshkruaj ka rreth 25 vjet që ka ndodhur. Por, nga qartësia, është sikur të ketë bërë vaki sot.
Djem dhe vajza universitare nga Tirana dhe rrethet ndodheshim në atë shesh që sot, pasi ka ndryshuar disa herë emrin, e quajnë «Nënë Tereza».
Në fakt ishim duke pritur pedagogun me të cilin kishim një seminar të prapambetur për të shlyer dhe ai, si zakonisht, po vononte.
Kur dikush tregoi me gisht, shoqëruar me një pasthirrmë habie, atë që po afrohej nga Bulevardi për në drejtimin tonë, na bëri të shtangeshim.
Një ushtar i hipur mbi një biçikletë të vjetër, shkatarraqe, shtynte me forcë pedalet e saj duke u lëkundur sa majtas ”“ djathtas mbi një shalë të futur midis kofshëve. Mezi kontrollonte timonin që valëzonte frikshëm sa nga njëra anë në tjetrën duke rrezikuar nga çasti në çast të rrëzohej. Biçikleta përparonte si një anije në një oqean me dallgë.
Dolëm me shpejtësi në mes të sheshit dhe qëndruam tamam mbi trotuarin me formë katrore. Plot habi ndiqnim me sy objektin që tashmë ishte afruar jo pak dhe shihej më në fund fare qartë.
Tashmë po kalonte pikërisht përballë ndërtesës ku sot është Presidenca. Në atë ditë korriku, nga xhadeja e bulevardit ngriheshin ca si avuj që prodhonin mirazhe të hatashëm. Bulevardi dukej i rrëshqitshëm dhe sikur të ishte i shtruar me pasqyrë.
Gjithçka kokëlartë shfaqej edhe kokëposhtë. Ky është misteri i përhershëm atij Bulevardi. Kështu e mbaj mend që fëmijë.
Benza, trupa ushtarake, parada butaforike, kalimtarë, tribuna, portrete, marathonomakë, çiklistë, policë trafikut, gjithçka dhe në çdo sistem politik atje është paraqitura me dy pamje. Njëra me kokëlartë, tjetra me kokëposhtë. Njëra ngrihet nga toka drejt qiellit për të sunduar dhe tjetra zbret nga toka drejt nëndheut për t’u gremisur. Njëra qëndron drejt si kullë dhe tjetra është kthyer përmbys duke u futur në dhè si ato vazot prej balte të kuqe të pjekur, gjendur në gërmadha qytetesh antike.
Gjithçka mbi Bulevard i ka rrënjët askund tjetër veçse te vetja e vet e kthyer përmbys. Si siamez i ngjitet mbrapsht vetes. Klonohet, narcist, me gjysmën e vetvetes.
Është i çuditshëm ai Bulevard. Â Edhe i Kombit. Edhe i Dëshmorëve. Sikur thotë se çdo gjë që ngrihet edhe do të bjerë dhe çdo gjë që bie do të ngrihet.
Ngrihet sepse ka rënë. Bie sepse është ngritur. Duket sikur thotë se çdo gjë ka edhe pamjen e vet të kundërt, që duket rrallë, vetëm atëherë kur dielli djeg dhe vapa zhurit.
Në atë Bulevard ndodhin çudira në kohë mirazhesh.
Të hipurve ua kanë hipur. Gjithkujt i ka hipur sipër vetvetja. E sipërmja ka gjithmonë një të poshtme, futur me korrupsion në dhè si qyp i fshehur me florinj që do ta gjejnë ata që do të vijnë më pas.
Koka është mbi këmbë por edhe këmbët janë mbi kokë. Ç’do gjë mbi këtë dhè ka të ngjashmin e vet nën dhè. Sa më e lartë të jetë ngrehina aq më tepër shkon teposhtë.
Tej, atje larg, te sheshi kryesor i qytetit, pranë një grope që për turp dikur i kishin vënë emrin e një institucioni të madh ndërkombëtar, në atë ditë mirazhesh të fuqishme, shfaqeshin pamje të papërftueshme lehtë nga ndërgjegjja normale.
Dukeshin dy kalorës dhe dy kuaj. Një kalorës dhe një kalë qëndronin fare drejt, solemnisht, dhe një kalorës e një kalë tjetër ishin përmbysur simetrikisht me të parët, me kokën në dhè. Në figurën e parë kalorësi i kishte hipur kalit dhe mbante krenar shpatën me majën drejtuar nga qielli. Në figurën e dytë, atë të përmbysurën, ishte kali që qëndronte sipër kalorësit. Të dy me kokëposhtë, ndërsa maja e shpatës ngulur në dhè.
Simbole vegimtare që s’di t’i lexosh.
Fillimisht: kalorësi kalëron kalin.
Pastaj: kali kalëron kalorësin.
Në fakt, atë ditë gjithçka dukej e përmbysur mbi veten e vet si tas kremkarameli.
Komiteti i Përbashkët i Orientimit Partiak.
Grupi i të Rinjve të Bashkuar të Ideve Majtiste.
Bashkimi i OJQFVE ”“ ve profesionaliste.
Labirinti i Pritjes dhe Përcjelljes së Popullit.
Sektori i Intrigave dhe i Tenderimit të Kuadrove.
Ofiçina e Përqendruar e Edukatës Somnabulike.
Komisioni Autodidakt i Lëvizjes së Arsimit Trekëndor.
Zyra Qendrore e Shtypjes së Shtypit.
Sektori i Izolimit Proletar me Jashtë.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Lidhur.
Vetëm godina e Këshillit Presidencial, nga që ishte fare afër, nuk pasqyrohej kokëposhtë. As reflektonte dhe as reflektohej gjëkundi duke qëndruar heshtur në vetminë e saj institucionale.
Mirazhit avullor s’i shpëtonte dot as ushtari mbi biçikletë. Ligjet optike të përthyerjes së dritës e gllabëronin edhe atë.
Bulevard përmbysës ”“ e gjeta si ta quaj.
Sikurse përmbys kalorësin pela xanxare. Tungjatjeta mik i fuqishëm Bulevard! Megjithëse të fuqishmit si rregull nuk mund të kenë as miq dhe as mikesha. Kanë vetëm shërbëtorë që i urrejnë fshehurazi dhe mezi presin të gremisen për t’iu nxjerrë të palarat.
Eci mbi ty ngadalë Bulevard. Pa të rënduar shumë.
E di mirë huqin tënd.
Ta njoh që herët.
Ti, të lë të ta hipësh dhe pastaj papritmas t’a hipën mes avujve, diellit zhuritës apo pas-shiut tiranoid.
Ushtari mbi biçikletë ecte furishëm njëherësh edhe mbi tokë edhe nën tokë. Mbi tokë ishte kapa me yll që lëvizte duke u rrotulluar sipër kokës së qethur me brisk, ngecur midis llapave paksa të hapura të veshëve. Gati duke rënë. Nën tokë, poshtë kalldrëmit të Bulevardit përmbysës, koka dhe trupi që tundej e shkundej nga të gjitha anët e ushtarit ishin vendosur mbrapsht mbi kapelën me yll.
Herë ylli mbi kokë dhe herë koka mbi yll.
Në fakt, s’dihej më çfarë ishte lart dhe çfarë ishte poshtë. Nuk dihej më se çfarë ishte përmbysur dhe çfarë ishte ringritur. Cilët ishin sundimtarët dhe cilët të përmbysurit. Varej si e shihje botën mbi atë Bulevard magjik. Dikush tha se ushtari me biçikletë ishte duke sjellë ndonjë mesazh urgjent nga reparti i tij për tek Garda e Republikës që ndodhej anash ndërtesës së Universitetit. Por u kundërshtua menjëherë nga ne të tjerët. Edhe biçikleta është media, mjet komunikimi si gjithë të tjerët, por në atë kohë kishte prapëseprapë edhe media të tjera më të shpejta që mund të përcillnin denjësisht mesazhe shtetërore apo personale.  Ishte telefoni, radioja, telegrafi… Çne një ushtar i vetmuar – hipur mbi median e vet shkatarraqe të shërbente si kasnec i halleve të përditshme të kombit !
Pritëm se mos hynte vrulltazi dhe papritur në derën e ndërtesës së Presidencës, lënë me kanate të hapura në të dyja anët, por jo, ai vazhdoi drejt, pa e kthyer kokën fare andej. Dukej krejt indiferent dhe mospërfillës ndaj saj. Mori drejtimin për nga sheshi përpara Universitetit, atje ku Bulevardi vjen vërdallë një trotuari në formë katrori dhe mbi të cilin qëndron stoikisht që nga koha e qepës një shatërvan i shëmtuar pa ujë. Të gjithë ishim mbledhur mbi atë trotuar rrotull shatër¬vanit duke ndjekur me sy lëvizjet e ushtarit mbi biçikletë. Nuk mori drejtimin për nga Garda. Asgjë serioze siç duket nuk kishte për të transmetuar.  Nuk sillte as vinte të merrte ndonjë mesazh. Tek ai ushtar me kapë me yll të kuq, hipur mbi një media ”“ biçikletë të shpartalluar, mbeturinë e një medie të dikurshme revolucionare me origjinë kineze, e importuar në shkëmbim të disa kokrrave bostan qysh nga koha e tri botëve, nuk kishte asgjë që të mos qëndronte edhe drejt edhe përmbysur në hapësirat vertikalisht simetrike që krijonin avujt mbi Bulevard.
Donim ta kundronim edhe pak atë pamje. U zhvendosëm në një nga trotuaret anësore të sheshit dhe u ulëm rehat ”“ rehat në bordurat e tij, poshtë degëve të disa pemëve që lëshonin një hije mbrojtëse aq të kërkuar. Më duket se ndodheshim poshtë shelgjesh. A lotusesh. Ushtari e ktheu me vështirësi timonin e biçikletës duke bërë zigzage me rrotën e parë të saj dhe ne kuptuam se qëllimi i tij ishte t’i binte rrotull trotuarit katror në mes të sheshit.
Ai po bënte xhiro rreth trotuarit katror. E kuptuam. Kishte marrë një biçikletë me qera. Kishte akaparuar përkohësisht një media dyrrotake. Shkatarraqe.  Po kalonte aty ato pak orë pasditeje që kishte marrë leje nga reparti. Menjëherë u gjallëruam sepse e kuptuam që fare falas do të kishim përpara syve tonë një spektakël komik tepër zbavitës. Dukej se ishte rekrut i ri. I sapoardhur në kryeqytet. Media ”“ biçikletën e përdorte si mos më keq. Dukej që tej larg se sapo kishte nisur ta mësonte. Edhe mjekra sapo kish filluar t’i dilte. Koka – e qethur tullë, me brisk. Dukej se kishte pas qenë biond. Me trup të shkurtër, por të fuqishëm. Faqet i kishte kuqalashe, buçko dhe fare pa rrudha. Në të gjithë kokën e tij vetëm dy rrudha dukeshin atje ku bashkohet qafa me pjesën e poshtme të paskokës.
Të gjitha kategoritë ekonomike të socializmit dhe të kapitalizmit së bashku ishin ngjeshur mbi atë ushtar hipur mbi një biçikletë me qera që vinte rrotull në një nga sheshet e Bulevardit përmbysës.
Një lloj centauri shumëformësh.
Edhe ushtar edhe çiklist.
Edhe fshatar edhe qytetar.
Edhe ushtar me leje disa orëshe në xhep edhe marrës i një biçiklete me qera.
Edhe njeri që po zbavitej edhe kloun që na zbaviste.
Edhe nën urdhrat e komandës (fletë-leja) edhe nën presionin e tregut (qeraja e biçikletës).
Bënte qejf mbi biçikletë duke u stërmunduar nën një diell zhuritës.
Stërmundohej duke u zbavitur.
Ndërsa ne bënim qejf me qejfin e tij.
Ylli në ballë dallohej mirë si sy ciklopi që udhëhiqte ideologjikisht aradhen e verbër ku bënte pjesë si këmbësor i thjeshtë.  Ishte pothuajse një «mish për top», nga ata më të lirët, më pa vlerë. Përmbysja e yllit në mirazh nuk ndryshonte asgjë. Po yll mbetej, ta ktheje nga të doje.
Me kokë lart apo me kokë poshtë.
Vërtitej me shpejtësi përgjatë një kohe të kufizuar. Liria e tij ndrydhej vetëm brenda orareve të ngushta që Â kishte shkruar mbi fletën e liri-daljes kapteri roje i repartit – përfaqësuesi i vetmuar i shtetit të pasdites kur oficerët shkonin në shtëpitë e tyre. Aq liri i kishte dhënë kapteri dhe ai gëzohej me të duke dashur të përfitonte sa më shumë prej andej. Dukej tek forca e ushtruar nga shputat mbi pedale.
Në atë kohë, gjithçka tjetër ishte shtetëzuar. Për çudi kishte mbetur vetëm dhënia e biçikletave me qera si e vetmja formë marrëdhënieje tregu që ekzistonte.
E vetmja media që mund të blihej dhe shitej në atë kohë diktati ishte biçikleta me qera. Vrundullimi i ushtarit rreth e rrotull trotuarit katror kurdisej nga bashkëveprimi i një çelësi me tre pozicione :
Ylli.
Qeraja.
Kapteri.
Ecte me shpejtësi marramendëse duke ardhur kot së koti rrotull trotuarit katror të sheshit. Vinte nga askundi dhe nuk shkonte gjëkundi. Një xhiro ndiqte tjetrën.  E reja fillonte atje ku kishte mbaruar paraardhësja. Gjithçka mbaron në fakt atje ku ka filluar.  Koha i rrotullohej duke mbetur në vend. Donte t’i nxirrte ujët e zi biçikletës dhe këtë e kuptonte në mënyrën më vulgare. Sa më shumë kilometra të bëra me të aq më mirë i dukej se e kishte shfrytëzuar lejen. Aq më mirë shfrytëzuar edhe lekët që kishte dhënë për qeranë. Ndaj ecte shpejt, shpejt, rrëmbimthi, pa ditur t’i japë pothuajse fare biçikletës.
Por ai nuk e dinte se nuk dinte, prandaj s’kishe se çfarë t’i mësoje. Disi i kishte hipur asaj rrangalle. Si nëpër tym. Dyshonim se nuk dinte të zbriste që andej. Ndofta gabimisht e merrnim si të pasionuar pas biçikletës rrangallë ndërkohë që ai mbase xhironte ashtu pa fund sepse nuk dinte si të shpëtonte prej saj. Nuk dinte si t’i zbriste pa thyer kokën. Duhej një njeri për ta zbritur butë.  Po kush afrohej atje në atë xhiro zjarri si ajo e një avioni që s’di ku të ulet? Gjëja kryesore kur hipën diku, qoftë edhe në një pemë për të ngrënë thana, është të dish të zbresësh. Prandaj ishte i dënuar të qëndronte mbi atë shalë të çmendur, të qullur, lëvizëse, duke ardhur pa fund rrotull.
Ata që e mbajnë mend atë kohë, e dinë mirë se biçikletat me qera ishin mediat më të shkatërruara të epokës. Askush nuk i merrte për të shëtitur, a për të kryer ndonjë punë serioze. Me to, vetëm rekrutët mësonin t’i jepnin biçikletës në orët që i lejonte kapteri i repartit, duke harxhuar pesëdhjetëlekshat e vjetër, me erë myku, gjysmë të grisur, të bërë shuk, që iu vinin nga familjet. Kush thoshte «biçikletë me qera» nënkuptonte mbi të dikë që pothuajse pa e ditur ta ngiste harxhonte për qejf lekët që i kërkonte familjes. Një mekanizëm pedalesh ku njëra medoemos shkonte së paku nja tridhjetë gradë huq.  Në boshllëk. Varej pedali me gjithë bishtin e vet mbi piastër si një krah zogu i thyer, i këputur.
Një zhurmë e çrregullt therëse shoqëronte lëvizjen e përçudnuar të të gjithë trupit. Një gjysmë lëvizje rrotulluese e plotë – viuuuu, pastaj një shkarje në boshllëk e pedalit ”“ zhgraaaap.
Viuuuu ”“ zhgrap.
Viuuuu ”“ zhgrap.
Jo më kot adoleshentët tiranas thërrisnin automa-tikisht «Hajde qeraja!» sa herë shihnin ndonjë tip që ashtu rrëmujazi, gjithmonë gati duke rënë, shkalavarurazi, shtrënguar fort me dy kofshët e veta shalën që gati rrotullohej në të gjitha drejtimet, i jepte rrezikshëm, pa drejtim e duke u valëvitur, një biçiklete gjysmë të shkatërruar, për të shkuar askund. Kjo thirrje shënonte diçka në shkatërrim e sipër ku ulesh përkohësisht, e shfrytëzon barbarisht, kurrë s’e riparon, dhe pasi mbaron afati, koha e qerasë apo leja e komandës, e hedh tej, për t’ia lënë tjetrit gjysmë të shkatërruar.
Gjithkush gjatë përdorimit të përkohshëm iu vidhte atyre edhe pjesët përbërëse. Fenerin. Frenat. Stopin e pasmë. Kapakët e ventileve. Dorezat prej plastmasi të timonit. Zilen. Parafangon.
Kjo lloj vjedhjeve masive e gjithçkaje quhej «zhveshje» me gjuhën eufemike të kohës. Zhveshje ”“ sikur zhvesh ndokënd me dëshirën e vet. Asgjë të keqe s’kishte në këtë mes.
Pas çdo kalimi dorë më dorë, biçikleta me qera mbetej gjithnjë e më skeletike. Si shtet minimal në doktrinat e liberalëve të shekullit të 18 – të. Si pushtet që dorëzohet te një dorë tjetër.
Bosh.
Ishin si të thuash njëfarëlloj prostitutash këto rrangalla që kalonin dorë më dorë ose pëqi më pëqi ushtarësh. Â Ngulur mbi biçikletë, ushtari lëvizte lart ”“ poshtë shalët e fuqishme duke i fërkuar pas hekurit të biçikletës. Dukej sikur nxitonte për diku me urgjencë veçse kur kthehej krejt papritmas për të bërë një rrotullim tjetër nën brohoritjet tona gajasëse, nën diellin zhuritës. Nuk e drejtonte ai timonin, por e drejtonte timoni atë. Shpesh i ikte krejt nga dora dhe pastaj e rikapte përsëri në rënie e sipër. Pas shumë dridhjesh që gati e rrëzonin, arrinte të merrte një farë drejtimi dhe vazhdonte rrotullimin e radhës. Pedalet vinin rrotull herë bosh dhe herë plot. Jo rrallë njëra këmbë rrëshqiste nga pedali dhe përplasej duke u hequr zvarrë mbi bulevard. Atëherë, pafkat e këpucëve ushtarake ”“ bërdunglla rrëshqisnin hosh mbi pllakat e bulevardit dhe nxirrnin xixa si ato të një dragoi që lë zjarr pas vetes.
Një rrokopullisje e përhershme, por asnjëherë nuk ra përfundimisht edhe pas katër a më shumë xhirosh. Ishte i gjithi i eksituar.
Shala e biçikletës fërkohej pas pjesës së poshtme të vitheve që i dridheshin si çikrik poshtë pantallonave ushtarake të qullura pshurshëm nga djersa. Me siguri merrte edhe kënaqësi libidinale që bëhej edhe më e papërmbajtshme nga rreziku i rënies që e kërcënonte. Gjoksin e mbante drejt dhe kokën lart pa parë fare se ku shkonte. Pastaj përkulej i gjithi, trup e kokë, mbi timon, sikur mbulonte kokën me krahë nga frika duke u mbrojtur nga ndonjë armik imagjinar që e sulmonte nga ajri. Shihte poshtë i mrekulluar pas asaj që bënte kur këmbët shtynin pa pushim pedalet. Pastaj, befas ngrihej sërish, si një i deprimuar që hov lart për t’i dhënë zemër vetes. Qëndronte si statujë mbi hekurin horizontal që dilte nga fundi i shalës dhe mbështetej te mbajtësja e timonit duke i përshkuar tej e tej shalët e qullura nga djersa e sikletit.
Dukej sikur fluturonte mbi një presh hekuri.
Brohoritjet tona ishin shndërruar në thirrje gazmore që shprehnin edhe kënaqësi nga spektakli, por edhe nxitje. Ai i merrte seriozisht ato. I dukej se ishim mrekulluar pas ushtrimeve të tija qesharake me biçikletë. Në fakt ne kishim vetëm hall mos i mbushej mendja dhe ikte nga histeria rrotulluese duke na lënë bosh në mërzinë pritëse të vapës.
Duke parë në drejtimin tonë, hyri më në fund turbullazi në kontakt me vështrimet që i hidhnim. Pa se kishte edhe mjaft vajza midis nesh. Histeria iu dyfishua dhe gjithçka e bënte tanimë edhe për vete, por edhe për ne.  Për t’u stabilizuar në amokun e tij marramendës rrethrrotullues kishte pasur nevojë për spektatorë. I hipur mbi median e tij shkatarraqe të marrë me qera kishte vendosur kontakt me publikun.
Po abuzonte naivisht me lekët që i rripte familjes. Edhe ne po i jepnin atij shfaqjen tonë si spektatorë. Bënim sikur e brohorisnim me admirim. Por, në fakt vetëm talleshim për të shtyrë kohën. Donim ta nxisnim edhe më shumë në tragjikomedinë e tij.
Ne jepnim shfaqje për të.
Ai jepte spektakël për ne.
Ai ishte spektatori ynë.
Ne ishim publiku i tij.
Ne talleshim si djaj, kurse ai djersinte seriozisht duke ardhur rrotull fare kot.
Ne ishim në hije.
Ai kishte ngelur peng sipër biçikletës së çmendur marrë me qera, pa ditur më si t’i zbriste. Bënte qejf sepse nuk mund të mos bënte qejf. Ishte i dënuar të bënte qejf sepse ndryshe do të binte.  Shfrytëzonte lirinë e kufizuar që i kishte dhënë kapteri. Kishte ngelur peng i qejfit të vet.
Ashtu i dukej se duhej drejtuar një media ”“ biçikletë shkatarraqe kur në mes futet paraja. Mbi bulevard pasqyrimi i përmbysur virtual ishte bërë i vërtetë.
Virtualja ishte bërë reale. Realja ishte kthyer në gënjeshtër. Në të vërtetë nuk i kishte hipur ai biçikletës. I kishte hipur biçikleta atij.
Në fakt, vetëm vinte rrotull pa shkuar gjëkundi. Viuu ”“ zhdrak. Ora po mbaronte. Sapo të rrëzohej nga rrangalla, do t’i kërkonin lekët e qerasë. Do t’i paguante deri më një. Pa mëshirë. Do të rrinte pa ngrënë ingranazhe. S’kishte nga ia mbante. Kishte lënë pasaportën e qytetarit atje, të hipotekuar në dyqan. Ishte bërë si sprintierët në metrat e fundit të garës.  Fytyra i tregonte kënaqësi, krenari, frikë, inat, ve-ndosmëri, padituri, ankth, habi ”“ të gjitha të përziera në një koktej psikik që na bënte të shpërthenim në gaz të marrësh.
Herë pas here kthente në ecje e sipër kokën nga ne, qeshte a zgërdhihej si i dehur, s’merrej vesh mirë. Dukej sikur mërmëriste a këndonte nën zë një si këngë popullore. S’kuptohej mirë se çfarë. Dikush nga ne që shoqërohej me ca alabakë që e kishin shtëpinë andej nga stacioni i trenit i thirri papritmas:
«Hajde qeraja !»
Kaq u desh. Duhej ta fillonte dikush. Pastaj, ne djemtë tiranas të kursit filluam ta brohorisnim e duartrokisnim duke thënë me plot grykën : «Hajde qeraja! »
Ai kujtonte se i thoshim : Jepi, më fort dhe gati sa s’po çmendej në eksitimin e tij.  Na shihte me ca sy të kuadratuar brenda një mimike që herë dukej sikur thoshte : «E shihni ç’jam i zoti të bëj?», herë bëhej kërcënuese, herë dukej e çlirët dhe buzëqeshte sikurse përshëndetet me hipokrizi publiku, herë na harronte fare dhe e humbte vështrimin drejt shkallareve të gurta ku ishim ulur.
Papritmas shoqet tona të kursit s’u përmbajtën dhe me zëra të hollë filluan të këlthisnin edhe ato:
« Hajdeeeee qerajaaaaaa !». Kishin hyrë edhe ato në lojë. Ai u ngrit si statujë në ekstazë krejt në ajër mbi shalë dhe timoni gati po i ikte nga duart.
Më në fund, edhe miqve tanë konviktorë iu iku edhe atyre ndrojtja dhe filluan të zbaviten duke bërtitur me ne: «Hajde qeraja!»
Po na dhembte barku nga të qeshurat. Nuk e di ç’e gjeti, por në një çast të vetëm, krejt befasisht, timoni e drejtoi andej nga kishte ardhur dhe u tret gradualisht derisa u bë sa një mizë e vogël tutje mbi
Bulevardin përmbysës.
Iku ashtu siç kishte ardhur.
Krejt papritur.
I dyzuar.
Rrak ”“ zhdrak ”“ viuuuu.
Mbi e nën tokë.
Si pas çdo të qeshure gati histerike mbetëm për pak kohë fare bosh. Nuk e di se përse m’u kujtua novela e atij të vjetrit që vdiq i ri, i shkreti. E hëngri tuberkulozi mbase nga marazi kur shihte gra, dikur «zonja të randa», që iu jepeshin për pesë parà , me qera, kamësve të rrugicës. Përshkruante mjeshtërisht kohën pa lëvizje. Gomari që rrihet egërsisht me kamxhik nga i zoti e megjithatë s’tundet nga vendi. Kohë e pakohë. Pa lëvizje. Ishim ndodhur në një skenë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Me shumë lëvizje, madje histerike, por rrotulluese, që s’çonte kërkund. Kishte qenë një kohë me shumë lëvizje, por pa drejtim, një rrethrrotullim i bërë mes shakasë, padijes, talljes, eksitimit, qejfit, pritjes, gallatës, humbjes së frikshme të kohës, vapës. Mbi Bulevardin përmbysës pamë tek po vinte pedagogu. U shfaq papritmas sikur doli nga ndonjë derë aty rrotull. Ecte me kokën në tokë dhe këmbët në qiell. Po vinte si siamezët lidhur në mes me veten e vet të kthyer mbrapsht. Bulevardi e kishte bërë edhe atë centaur narcist!