Nga Dritan Shano
“Më duaj për kush jam, jo për kë do që të jem. Kështu do marrësh më të mirën prej meje” [populli]
Për çfarë biem dakord ne si shoqëri? Pothuajse për asgjë. Kjo pengon krijimin e një ndërgjegje shoqërore. Prandaj nuk e kemi. Ne nuk pranojmë gabime, faje, krime. Kemi dy data për të njëjtën ngjarje thuajse rregullisht. Ne nuk pranojmë të kemi një version të përbashkët të historisë. Që do na mundësonte ta kthenim historinë tonë në një trashëgimi genetike. Në genin e përbashkët, e të padiskutueshëm, të natyrshëm, të paintepretueshëm. Mbi të cilin ngrihet një sistem i përbashkët vlerash. Pasja e të cilit do na hiqte peshat që kemi mbi gjoks, do na çlironte dhe lehtësonte ekzistencën e tashme dhe do na optimizonte zgjedhjet individuale dhe shoqërore për të ardhmen
Përkundrazi, ne zhonglojmë me historinë, e mbajmë përdite në ajër, në gojë, e shkelmojmë e godasim, i thyejmë dhëmbët apo përkëdhelim të gjallët duke zhvarrosur dhe varrosur përsëri njerëz, ngjarje, vlera, pseudovlera dhe antivlera. Debatojme se si do të donim ne të ishte e shkuara. Kjo e kthen historinë në thashethem. Dhe tashethemin në aktualitet. Dhe këtë aktualitet në idenë dhe propulsionin tonë drejt të ardhmes.
Secili ka variantin individual apo fisnor të historisë, nga shpresa për imponimin e së cilës ndaj të tjerëve mendon se mund të fitojë ndonjë gjë. E vetmja gjë e përbashkët është mekanizmi me të cilin përpiqemi të imponohemi. Mekanizmi me të cilin tentojmë të krijojmë grupe, turma dhe sisteme vlerash. E përtypim dhe ripërtypim variantin tonë të historisë nën gjuhë. Krijojmë steriotipin tonë. Stigmat tona. Hedhim sytë përreth, të gjejmë të ngjashmit. Që janë duke u përtypur dhe ata. Dhe kështu krijojmë turma. I ushqejmë ato. Turma që kanë të njëjtat steriotipe dhe stigma. Që mund të mos pëlqehemi me njëri tjetrin, por që perceptojmë të njëjtat kërcënime nga jashtë. Vetëm aty gjejmë siguri. Po nuk gjetëm pesë qyqarë që e mendojnë njësoj thashethemin, nuk hapim gojë. Por, sapo mendojmë se është nevoja apo rasti ia pështyjmë ndonjërit steriotipin apo stigmën tonë me shpresën e pështyma jonë do i ngelet si një njollë që nuk i del më nga trupi a surrati.
Ky akt është kryesisht si dënim dhe si fitore mbi të pështyrin. Si imponim, si mundje totale e tij. Pështyrja e tjetrit që është ndryshe nga ti, është një akt përjashtues, në asnjë rast përfshirës. Në këtë proçes dikush ka pështymë të madhe, dikush e ka të vogël. Dikush pështyn fort, dikush butë. Nga mënyra dhe sasia si pështyhet, përcaktojmë dhe modelet e suksesit. Kështu mund të ndodhë kudo. Në çdo shoqëri. Por dallimi gjëndet tek mbi ç’ndodh ky proçes. Më shumë mbi idetë për nesër apo mbi historinë? Na udhëheq ideali për të ardhmen apo jemi peng i të shkuarës? Apo thjesht duam të shkojmë në të ardhmen me sytë nglur tek e shkuara? Duke ecur me bythë drejt së ardhmes? Si karkalec deti.
Shumica e diskutimeve të sotme në Shqipëri mbeten mbërthyer mbi çfarë ke bërë, çfarë është bërë tashmë. Ky nuk shkon përtej thashethemit. Secili në variantin e vet. Ti i the. Ai të tha. Une isha, ti nuk ishe. Ti vodhe, ai s’vodhi. Ti ndërtove, ai s’ndërtoi. Ti humbe, ai fitoi. Une kam dekorata, ti s’ke. Ke prova, ke fotografi? Zero-sum game. Vetëshkatërruese. Dhe ndonjë gjë e vogël që ndodh brenda ditës kryhet mbi modelin e thashethemit. Shumë nga pseudoidetë ditore në fakt janë sesi të arrijmë të kemi sukses me thashethemin që kemi atë ditë, dhe që e pështyra prej tij të thahet sa më vonë.
A është përfudimisht thashethemi mekanizmi i pushtetit mbi tjetrin?! Fraza më e fuqishme e tij është: mos kujto se nuk di se kush je dhe ç’ke bërë? Por ajo më e fuqishmja fare, më totalitarja, është: e dimë mirë ne kush je ti, t’i dimë të gjitha. Këtu futet elementi “ne”, elementi tiranik i turmës, i cili i jep forcë dhe guxim atij që ta pështyn në surrat. Me këtë frazë, ne i numërojmë dhe kryesisht i sajojmë tjetrit apo tjetrës të mirat, të këqijat, lekët, pronat, martirët, dëshmorët dhe dashnorët. Shqiptari që dëgjon t’i drejtohet ajo frazë me gjasë nuk i ka punët mirë. Ai duhet t’i nënshtrohet peshës së thashethemit.
Po të mbyllësh sytë, dhe të mbash vesh i përqëndruar dëgjon që osmanët, grekët, italianët apo gjermanët janë ende vërdalle nëpër Shqipëri. Nuk e di pse antikitetin nuk e ngasim. Ndoshta pse asnjë individ apo turmë nuk arrin dot ta dominojë. Ndoshta pse nuk ngjall interes, nuk tërheq vëmendje. As mbështetje, as vota. Ndërkaq, Enver Hoxha vazhdon të kapardiset në bulevard. Kaosi është total. Njësoj si gara e thashethemeve e cila zhvillohet sipas parimit “n’ato maja rripa rripa, një herë ma hipe një herë ta hipa”, dekorohet dhe viktima dhe xhelati. Rracë hipokrite. Ne nuk jemi “rreth flamurit të përbashkuar me një dëshir’ e një qëllim”. Mashtrojmë. Me gjasë ne bashkohemi vetëm rreth thashethemit dominues.
Thashethemi është kryevepra e shqiptarit thotë një mikja ime. Na bën të veprojmë. Thashethemi ditor si motorri kryesor lëvizës i shoqërisë, i diskutimit, i të përditshmes sonë është në fakt lëngata jonë. Ekzistenca jonë është një lëngatë nevrastenike. Është një lëngatë që ka pa-aftësuar brezat, edhe më të rinjtë nuk arrijnë të shkëputen prej saj. Drejt një ideje, drejt një të ardhme. Ata mbetën të mbërthyer në lëngatën e thashethemit, aty gjejnë modelin e suksesit. Por dhe dënimin e përhershëm të ekzistencës si njerëz të vegjël. Pa ide. Pa të ardhme.
Kush e bëri? Çfarë bëri? Kur e bëri? Ku e bëri? Besoj se konkurrojmë fort si shoqëri në dhënien përgjigje shumë të detajuara, të stërholluara, ngjyra ngjyra, të këtyre pyetjeve. Secili sipas variantit të vet individual, por kryesisht të turmës ku është futur që të rrijë ngrohtë dhe të ndjehet i fuqishëm. Nganjëherë më duket se nuk na e kalon kush në këtë vrull. Ndoshta?! Të gjitha përgjigjet e këtyre pyetjeve janë projeksione fizike. Ato janë të vdekshme. Kjo i bën të sigurta.
Por ne nuk pyesim Pse? Pse-ja është projeksion metafizik. Mendor, shpirtëror. Pse-ja është ideja. E një njeriu. E një kombi. E një shoqërie. Ajo është e pavdekshme. Nuk mund të kesh pushtet mbi pavdekësinë. Prandaj ne e kemi braktisur pavdekësinë! Një burrë i mençur thotë se ne e braktisëm jetën e shpirtit dhe ju dhamë asaj të kurmit. Prandaj ne merremi ditë natë, natë ditë me dimensionin e vdekshëm dhe kërkojmë të krijojmë pushtetin mbi të sotmen dhe të ardhmen tonë prej këtij dimensioni. Prej këtij thashethemi.
Nëse pyetjet kush?, çfarë?, kur?, ku? do ishin tulla të vëna mbi njëra tjetrën, pyetja pse? do ishte çimentoja që do i lidhte dhe do i lejonte të qëndronin si mur në këmbë. Pyetja pse? do i lidhte këto projeksione fizike me arsyen me mëndjen, me njohjen. Përgjigjja e kësaj pyetje përfundimtare do çonte tek e vërteta. Por ne nuk pyesim Pse. Asnjëherë. Pse-ja do zbulonte pafuqinë tonë, që nuk duam ta zbulojë askush. Pse-ja zbulon mungesën e sistemit të vlerave. Arritja e të vërtetës thërrmon fuqinë e thashethemit. I cili sot shihet si thelbi i pushtetit mbi tjetrin.
Thuhet se sa më shumë të dish nga e shkuara, aq më shumë je i përgatitur për të ardhmen. Siç e thamë, varet çfarë di nga e shkuara, çfarë mëson prej saj. Pa bërë në mënyrë të sinqertë pyetjen pse? nuk mëson asgjë nga e shkuara. Diskutimi rreth saj mbetet një betejë thashethemesh, ku me rradhë fiton o njëra, o tjetra palë, apo një e tretë. Në këto kushte ne nuk mësojmë nga e shkuara për t’u përgatitur për të ardhmen. Por ne në ekzistencën tonë nuk negociojmë me të ardhmen. Ne thjesht negociojmë me të shkuarën.
Po sikur të pështynim ndonjë ide? Por kjo është thuajse e pamundur. Vetëm pasi ta kesh idenë, mund ta pështysh atë. Idetë janë produkt i mendjes, i shpirtit. Të dyja këto lidhen përmes shtyllës kurrizore. Pra që të arrish të kesh një ide duhet të kesh mendje, shpirt, dhe shtyllë kurrizore. Duket sikur ne, këto të trija, i kemi mbajtur larg nga njëra tjetra me qëllim. Në liri ne po demostrojmë se nuk duam të kemi ide. Edhe ato që kemi shpesh janë për të korrigjuar ndonjë thashethem të së shkuarës. Duket sikur nuk kemi deshire ta perdorim mekanizmin që prodhon ide. Ide që të na çojnë tek veprimi i përbashkët. Që formohen në dashuri dhe paqe mes nesh. Për të cilat të biem dakord si shoqëri. Për të ekzistuar, për qënë përmes tyre. Për t’u identifikuar me to. Për të na identifikuar me to.
Nga ana tjetër, thashethemi i sotëm mbi çka ndodhur dikur është produkt i gjëndrave të pështymës. Ajo çka ne përkufizojmë si shoqëria jonë sot, funksion me së shumti përmes thashethemit dhe pështyrjes si kumt i veti, si identitet i veti. Si aftësia e saj për të qënë. Veprimi ynë shoqëror, kështu duket sikur formohet dhe ekzekutohet, jo përmes mëndjes, shpirtit dhe shtyllës kurrizore, por tek gjëndrat e pështymës. Ato që janë poshtë gjuhës! Udhëheqja e ekzistencës sonë, kryesisht ditore, në këtë vend që jo rrallë i ngjan një çmendine, kryhet përmes gjëndrave të pështymës. Kjo na mundëson të llapim pa fund versionet fitimtare apo humbëse të së shkuarës sonë, dhe të na duket se bëjmë plane për të ardhmen e përbashkët. Ne duket sikur kemi frike nga e ardhmja. Nuk gjejmë dashuri për të. Ajo na duket e pamundur. Prandaj, të sigurtë pështyjmë, dhe në frikë nuk mendojmë.
Sipas Descartes i cili thoshte cogito ergo sum ”“ mendoj, pra jam, ne kemi zgjedhur të mos ekzistojmë.
Hajt pra, Gëzuar Vitin e Ri 2016!