Nga Fritz RADOVANI
Injac Baqli ka lé në Shkodër në vitin 1915. Ishte nëpunës në Bankën e Shtetit Shqiptar në Shkodër. Një burrë i madh dhe i shëndetshëm, kuqlosh, me flokë kaçurrela, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun. Dukej edhe ma i pashëm se ishte mbasi gjithmonë shihej i buzëqeshun. I njohun ndër rrethe të ngushta për humor të hollë. Paraqitja tregonte një intelektual të mirfilltë. Nuk e kam njohtë afër, po dij, se, kishte miqësi të madhe me Prof. Gaspër Ugashin mbasi kishin edhe kumbari. E shihshe shpesh nga Dugajtë e Reja mbasi andej kalonte me shkue në punë, në bankë. Më pat lanë një mbresë ndër ato ditë që nuk e pashë ma: Më kujtohej thanja e malësorve: “Mos me pasë shka me i ba as pushka!” por, kjo thanje ishte para se të njihej në Shqipni sllavokomunizmi.
â– Até që të ban komunizmi, nuk ta ban as pushka!
â– Injac Baqli me datën 22 dhetor 1952 arrëstohet nga Sigurimi i Shtetit. I kontrollohet shtëpia dhe në arkën e nanës gjindet një revolver. E mjaftueshme me fillue ndjekja penale. Kur fillon hetimet, duket, sikur çështja rreh nga armbajtja pa leje, por nuk asht ashtu! Nana e Injacit merr përsipër se revolverin ia ka lanë me e ruejtë avokat Paulin Pali, para se të tentonte me u arratisë, mbasi ai ishte nipi i sajë. Hetimet fillojnë me 26 dhjetor 1952. Gjatë zhvillimit të proçesit çështja e revolverit sa vjen e ngatrrohet. Marko Markoja, ish kryetar i lagjës atëherë, deklaron: “Injaci ka pasë një revolver të bukur në kohën e Italisë që e mbante në brez dhe me sa kujtoj unë, ky revolver që asht këtu, nuk më duket se asht revolveri që ka pasë Injaci.” Krijohet mundësia e kenjes së një revolveri tjetër tek shtëpia e Injacit. Kontrollohet shtëpia së dyti por nuk gjindet gja. Injaci pranon se revolverin që kishte në kohën e Italisë e ka dorëzue kur janë dorëzue armët, prandej, ai që kujton Marko nuk asht në të vërtetë ky që asht këtu, mbasi ky nuk asht i emi. Hetuesi, nën/toger Fahri Kraja tue u ndodhë para një kokforti, fillon kërkimet në pistën e “agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit”, pistë shumë e njohun ndër hetuesitë komunistë, me të lanë mbrendë edhe pa asnjë fakt.
â– Një listë rreth 80 vetësh janë përsonat me të cilët ka bisedue Injaci. Aty rreshtohën të gjithë banorët e lagjës simbas rënditjes së dyerve të oborrit, kryetari i lagjës, antarët e këshillit të lagjës, sekretari i patisë, shokët e punës, ish shokët e shkollës, plakat e mahallës që rrinin në darkë ndër stola tek dyert e oborrit etj. Hetuesi ndigjon me vëmendje sësi po “zbërthehej” Injaci, por kur e pyet se shka janë gjithë këta emna, Injaci përgjigjet: “Ju më pyetët me kë ke folë, unë, ju tregova të gjithë njerëzit që përshëndes e flas me to përditë”. Ironia e Njacit zemron hetuesin…
â– Nuk ishte e thjeshtë puna në financë. Njëherë në fillim kur njerëzit fillonin punën dukej, sikur, këta përsona ishin të privilegjuem, por në fakt mungesat e mëdha të kuadrit patën lejue që disa përsona me hy në punë në mjaft ndërmarrje si financierë. Kur filluen me dalë disa kuadro që ishin ma të besueshëm se ata që u morën për nëvojat e tyne, atëherë, u mendue zëvendsimi i kuadrit të parë. Në shumë raste shkarkoheshin nga puna për shkelje ligji, sëpse ligjët ndryshonin përditë. Por, kur kishin të banin me njerëz të respektuem, atëherë, vëprohej ndryshe.
â– Rastet në Shkodër nuk kanë kenë të pakta, p.sh. Kel Abati, edhe ai nëpunës në bankë, dihët se asht pushkatue vetëm nga ndonjë përson që donte eleminimin fizik të Kelit. Po kështu asht veprue me Zef Darragjatin e Çezar Shllakun, që mbasi janë dënue me pushkatim për “difiçit”, në fund të kërkesave për falje jete, shënohej: “… rrjedhë nga një familje që nuk e don Pushtetin, prandej t’i epët dënimi kapital … etj.” si, në rastin e Zef Darragjatit, që ruhët edhe sot shënimi i Aranit Çelës. Si duket, kjo po ndodhte edhe me Injac Baqlin, edhe ky ishte kushrini i avokat Paulin Palit, pak vite ma parë i mbytun në Sigurim. Ishte edhe kushrini i At Aleks Baqlit, i arrëstuem si Françeskan e i dënuem me shumë vite burg.
â– Me datën 4 mars 1953 mbas katër muejsh në hetuesi, hetuesi njofton kryetarin e Sigurimit të Shkodrës, kriminelin Hilmi Seiti: “I pandehuri Injac Baqli nuk nënshkruan proçesin.”
â– Me datën 22 maji 1953 Injaci shënon në fund të një proces-verbali: “Nuk jam dakord me përmbajtjen as si formë, mbasi nuk janë thanjet e mija. I pandehuri: Injac Baqli d.v.”
â– Gati mbas një viti në tortura, nga fundi i vitit 1953, asht Petraq Janko që nxjerr hetuesin nga situata, tue deklarue se në vitin 1952 Injaci, ka dashtë me u arratisë me Petraqin. Madje, kanë ba plane dhe pergatitje për këtë qëllim të dy bashkë. Përveç arratisjes, Petraqi, ngarkon Injacin dhe me biseda politike, tue paraqitë Injacin si një person të paknaqun nga Pushteti etj. Akuzat sa vijnë e randojnë çështjen. Injaci vazhdon me qëndrue i vëndosun në mohimin e të gjitha thanjëve të Petraqit. Hetuesi organizon një ballafaqim me hjekë Injacin duarsh. Petraqi përsëritë akuzat përballë Injacit tue vërtetue me firmën e tij proçes-verbalin.
â– Injaci deklaron: “Në kjoftë se del kush dhe provon tue me thanë ndër sy, se janë të vërteta thanjët e Petraq Jankos, pranoj pa asnji kundërshtim edhe dënimin kapital.
â– Kjo asht arësyeja që nuk firmoj proçes-verbalët, mbasi nuk asht asgja e vërtetë për shka akuzohem.” Injac Baqli d.v. (Dosja nr. 1989) ***
â– Hetuesi Fahri Kraja pergatitë akuzën: – Injac Baqli ka dorëzue armën e vet, ndërsa kjo që asht gjetë ka qenë e Paulin Palit, kushrinit të tij (i pushkatuar). – Ka qenë spijun në shërbim të fashizmit. -Ka folë kundër Pushtetit Popullor, sëpse ka pikëpamje armiqësore. Akuzat e sipërme vërtetohën edhe nga thanjet e dëshmitarëve: Zef Berdica, Ndoc Deda, Marko Marko, Petraq Janko.
â– Poshtë dokumentit shënohet:
â– Pëlqehët: N/kol. Hilmi Seiti d.v. â– Pëlqehët: Kryetari Degës hetuesisë (N/kol. Nëvzat Haznëdari)d.v.
â– Pëlqehët: Komandant i Rep. 2111 (Dhimitër Gjoni) d.v.
â– Trupi Gjykues i Gjykatës Ushtarake Shkodër, i përbërë nga: Kryetar, Faik Spahija, antarë: Rexhep Haxhiu e Marko Dëmiri dhe prokuror Njazi Zjarri, japin vëndimin ndaj të pandehurit Injac Baqli, me 6 vjet heqje lirije.â– Gjykata e Naltë Tiranë, vëndosë përsëritjen e gjyqit, mbasi proçes-verbalët nuk janë firmuar nga i pandehuri Injac Baqli.
â– Përsëritet gjyqi me datën 18 koriik 1953, tue shënue: “… për krimin e armbajtjes (revolver gold amerikan, me 5 fishekë) deklarohet i pafajshëm. Akuzat tjera mbesin …
â– Me datën 29 janar 1954 Injaci ban këtë kërkesë: “Kërkoj prishje vëndimi dhe rikthim aktësh për rishqyrtim dhe rigjykim. Injac Baqli d.v.”.
â– Prej datës 22 dhjetor 1952 e deri më 29 janar 1954 vazhdonin proçes-verbalet tue u sjellë sa andej këndej ndër dosjet e Seksionit katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës dhe, në podrumet e mëshefta të Ministrise së Mbrendshme në Tiranë.
â– Vazhdohej vetëm tue shënue “pëlqehët” nga kriminelët e pashoq Hilmi Seiti, Nevzat Haznëdari e Fahri Kraja me shokët e tyne. Mjaftonin çpifjet me torturue të pafajshmit dhe çështja vazhdonte pafund …. Nga përdorimi i elektro-shokut Injaci, u keqsue me shëndet. Zemra nuk duronte ma. E dërgonin formalisht në podrumet e spitalit civil të Shkodrës, por përgjegja e mjekëve ishte:
â– “Pse e sillni kot përderisa ju vazhdoni punën tuaj?”. Infermjere Angjelina Martini më tregonte, së si njëditë, tue mos pasë jastekë me e mbështetë mbasi Injacit po i merrej fryma, u ula në shtratin e tij dhe e mbështeta për parzmin tim.
â– Zemra e tij e shkatrrueme nga torturat donte me dalë nga kafazi i krahnorit, kur jepte ndonjë rrahje si shenjë jete. Ishte në agoni, vetëm më shtërngonte dorën me të cilën u mundoja me e qetsue tue i fërkue gjoksin. Ai fliste me një shok të tij Mikel Gulin, me të cilin i dukej se po lonin pokër. Dikur, ra në njëfarë qetësie dhe dha Shpirt. I bana Kryq e dola nga dhoma. Erdhën dy policë dhe ashtu të mbështjellun në batani e çuen në dhomën e të vdekunve. Mora vesht se e kishin nisë për Tiranë. Atje, e kishin dërgue në morg dhe simbas një dëshmisë Dr. A. D., që atëherë ishte student në fakultetin e mjeksisë dhe, tashti asht mjek në Shkodër, Injac Baqli asht coptue nga studentat për studim, mbasi ai e ka pa me sytë e tij kokën e Injacit, të cilin e njihte shumë mirë.
â– Kështu, u mbyll edhe dosja nr. 1989, me shënimin “pëlqehët” Nën/kol. Hilmi Seiti d.v., një kriminel i regjun dhe i pangopun me gjak shkodranësh, viktimë e të cilit, asht edhe Martiri i Ri, 39 vjeçari i Pafajshem, Injac Baqli.