Nga Alfons Cupaj
Festat, sidomos Krishtlindja dhe Viti i Ri, shënojnë edhe momentin kulminant të hipokrizisë së qeveritarëve.
Këto ditë, të gjithë kujdesën që të duken të qeshur, të dashur dhe altruistë. Të gjitha veprimtaritë dhe daljet janë të kuruara deri në detaje, ndërkohë që kamerat përpiqen të fiksojnë buzëqeshjet dhe momentet më pikante në mënyrë që edhe mesazhi të jetë i fortë dhe i qartë.
Pasi të gjitha kamerat janë gati, urimet dhe premtimet vershojnë lumë, për t’u pasuar nga një duartrokitje e gjatë e dekorit të sahanlëpirësve që i shoqërojnë. Nuk i paragjykoj, falsot kanë nevojë për skenografi, pasi ekzistencialja e mbyt falsitetin.
Ndërkohë që të gjithë kanë vershuar nëper qendrat e kujdesit social, një foshnje fatkeqe, vetëm 3 muajshe, humbi jetën nga i ftohti në zemër të Tiranës. Humanizmi, përkujdesi, toleranca dhe mirësia vetëm në ditë të veçanta dhe me praninë e kamerave, janë një hiç, një hipokrizi e shëmtuar!