Të nderuar opozitarë, me shqetësim të thellë po ndjekim lënien përgjysmë të protestave që kurrësesi nuk mund të quhen as revolta dhe as revolucion. Me zhgënjim sugjerojmë dhe konstatojmë 10 shkaqet e paprecedenta të gabimeve dhe dështimit të përpjekjeve tuaja për revolucion, janë:
1) Shpërthimi i revoltave nuk planifikohet sipas përvjetorëve jubilarë. Festat qofshin më 8 dhjetor, 20 shkurt apo 28 nëntor s’mund të jenë pretekst për kopje deja’vu ngjarjesh apo rrethanash. Rebelimi lind spontanisht nga zemërimi, zhgënjimi, varfëria, shtypja, tirania dhe nevoja për ndryshim. Revolucionet nuk shpallen një muaj përpara me datë fikse grumbullimi duke u bazuar në parashikimin e motit me shi apo me diell.
2) Baza e revolucionit është më e gjerë se struktura e një partie madje shumë më e gjerë se gjithë opozita politike së bashku. Në protestat tuaja nuk gjej asnjë flamur kombëtar kuqezi e jo më flamuj të subjekteve të tjera.
3) Kryengritjet burojnë nga populli e janë produkt i faktorit të brendshëm dhe jo preferenca apo dëshira ambasadorësh. Revolucioni prodhohet “Made in Albania” dhe nuk importohet as nga Brukseli, Washingtoni, Athina dhe Berlini.
4) Palca e revolucionit duhet të jetë kauza mbi të cilën ngrihet fryma për ndryshimin e regjimit. Kauzat nuk mund të braktisen nga drejtuesit duke bërë marrëveshje konsensuale në parlament siç ndodhi sot apo javën e kaluar. Populli dilte në rrugë dhe ju uleshit në tavolinë duke shtrënguar duart me kundërshtarët.
5) Udhëheqësit apo organizatorët nuk mund të devijojnë objektivin dhe qëllimin si në rastin e demokratëve që e nisin me:
a) dorëheqjen e Edi Ramës,
b) e devijojnë me djegie bunkeri,
c) e ndryshojnë për buxhetin,
e) e katandisin me kalamaj repera që kërcenin rap te bahçja e Kuvendit.
6) Revolucionet nuk lindin as nga Sheratoni, as nga Hotel Rogneri, por nga rrugicat dhe çdo cep i vendit. Bulevardi dhe hotelet nuk do prodhojnë as revolucion, as kauzë dhe as frymë.
7) Liderët e revolucionit duhet të rrezikojnë dhe shkrijnë gjithçka për kauzën: profesionin, pasurinë, postin, familjen dhe jetën. Shqipëria s’ngrihet nëse liderët ulen.
Populli s’mund të qëndrojë në revolucion nëse përfaqësuesit e tyre ulen në Kuvendin më të inkriminuar nga viti 1920.
Demokratët s’mund të motivojnë popullin pa grisur mandatet e tyre. Djegia e mandateve për deputetët do ishte motivimi i parë për turmën.
8) Gjysma e deputetëve demokratë nuk duan zgjedhje apo revolucion, sepse kanë frikë që nuk do të jenë më deputet në parlamentin e ardhshëm. Shumë prej tyre mund të humbasin pasuri përrallore nga revolucioni dhe konfrontimi civil.
9) Revolucion me kostume firmato Armani dhe syze Prada nuk mund dhe s’ka për të ndodhur kurrë në asnjë vend të botës. Disa nga ish-ministrat e PD nuk motivojnë dhe ngjallin shpresë tek asnjë qytetar përtej gardhit të militantëve që presin të rikthehen në detyrat që kanë pasur në dogana, tatime, polici, bashki etj.
10) Tragjike dhe komike mbetet ndërpreja e revolucionit sepse organizatorët do ikin me pushime. S’ka revolucion që të ndalet nga Bajrami, Krishtlindjet, Viti i Ri apo festa e ashures.
Çfarë do u thuhet popullit që pret ndryshim: “Ngrihemi pas dy javësh sapo të kthehemi nga Karaibet”? Jo! Shqipëria, s’ngrihet kështu…
Kreshnik Spahiu, Aleanca KuqeZi