Home KRYESORE LARGIMI…

LARGIMI…

Nga Albert Z. ZHOLI

Burrë e grua kishin mbi një orë që shihnin, të heshtur, akrepat e orës. Ai rrinte i shtrirë, me këmbën e djathtë të prerë deri mbi gju dhe ajo rrinte në karrige, aty pranë. Kur vinte ndonjë zhurmë nga koridori, ata sytë i mbërthenin te dera. Ora shënonte 23-30. Emanuela, fëmija e vetme, ende nuk ishte kthyer. Në dy-tre muajt e fundit, qyshkur babai kish prerë këmbën, ajo kthehej gjithmonë e më vonë.

Pas mbarimit të gjimnazit e ndaloi vazhdimin e shkollës, por edhe punë nuk po kërkonte. Nëna e kish parë disa herë me një rom-grek, një mustaqelli të zi, këmishëlëshuar e gjithmonë në shregullt, siç duken të gjithë romët e botës. Ulërima e motorit “JAMAHA” para shtëpisë dhe ajo pamje e romit mbi motor e tërbonin nënën e Emanuelës. Disa herë i kish bërtitur të bijës, por më kot. Kur ora donte edhe tre minuta të shkonte 24 u dëgjua “ulërima” e motorit. Dy-prindrit u lehtësuan disi, në heshtje dhe sytë akoma nuk ia ndanin derës. Dera u hap dhe vajza hyri pa thënë asnjë fjalë. I pa të dy në sy dhe i dha një qeshje buzës së poshtme.

-Pse më shihni sikur do më hani të gjallë?
-Si u flet kështu prindërve?
-Sikur të jem kriminele, ç’ju kam bërë?
-Ende nuk po e kupton? Në shkollë nuk po shkon, në punë-jo, bredh e nuk mblidhesh në shtëpi…
-Dhe shoqërohesh me një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me ne-vazhdoi nëna.
-Ai ka para dhe më trajton mirë.
-Si të mos të të trajtojë mirë, ku do gjente një vajzë të tillë?!
-Pse të mos gjejë kur ka para. Me para sot blihet shteti e jo një femër.

Ata pane njëri-tjetrin në sy. Nuk mund të kuptonin logjikën e atyre fjalëve. Ajo fliste me siguri të plotë.

-Po ne kemi tjetër moral moj bijë, ne gjithmonë kemi bërë jetë të qetë e të varfër-dhe fërkoi këmbën e cunguar.
-Atëhere ishte ndryshe jeta, ishte tjetër sistem. Nuk kishte as celular, as vetura, as vila, as xhinse, as banane pa le koka-kola.
-Ne robëtohemi në punë për të të siguruar ti jetën. Babai mbeti sakat për tërë jetën-foli nëna duke lotuar.
-Ç’më kini dhënë?!Ju punoni sa për qeranë e shtëpisë e për të ngrenë, pse kjo është jeta?!
-Por aq janë mundësitë tona, me punë të ndershme nuk mund të vesh miliona.
-Dhe unë nuk duroj dot që shoqet e mia ta jetojnë jetën e unë vetëm të shikoj. Kur më lindët nuk e menduat?!

Babait i erdhi dhoma rrotull. Këto fjalë si mund t’i dëgjonte nga goja e vajzës së tij. U ngrit në të ndenjura dhe i bërtiti:

-Turp, turp të kesh! Nuk e meriton të jesh vajza jonë-dhe pështyu në drejtim të saj.
-Turp për juve që nuk jini të zotë t’i siguroni një jetë normale vajzës së vetme,-foli ajo dhe u ngrit – unë s’kam për të shkelur më në këtë shtëpi. Doli. Burrë e grua mbetën me sytë nga dera…

Ajo derë tashme u dukej si nje bunker hermetik.

Share: