Home KRYESORE Linda Rama: Ka plot arsye për ta kritikuar këtë qeveri, por a...

Linda Rama: Ka plot arsye për ta kritikuar këtë qeveri, por a ka alibi për të kundërshtuar aksionet për të bërë shtet.

Ndryshe nga kater vitet e meparshme, ne darken e fundvitit me disa nga gazetaret, moderatoret dhe drejtueset e medias ne Shqiperi, Linda Rama bashke shortja e kryeministrit mbajti nje fjale te shkurter pikerisht ne takimin qe ajo vete organizon, takim i kthyer tashme ne tradite. Duke dhene opinion socio -politik si e perjeton ajo ne veten e pare politiken. Zonja Rama i ishte shmangur deri tani kesaj qasje dhe sinqeriteti i saj duket se ka nxitur shume komente.

Me poshte fjala e mbajtur nga Linda Rama:

Kisha tundim po dhe pasiguri për të shkruar disa fjalë që dëshiroja t’ju them. Tundim sepse kam ndjesinë e fortë që në këtë grup grash e vajzash, ka diçka të veçantë dhe doja të provoja ta arsyetoja këtë ndjesi. Por jo vetëm kaq, po edhe ta ndaja me ju arsyetimin tim të sistemuar në letër, ndoshta për t’i dhënë pak më shumë rëndësi jo vetes, po këtij momenti të takimit tonë tradicional.

Por kisha edhe pasiguri, ndoshta sepse mungesa e një tradite të fjalëve të shkruara në darka familjare ose miqësore si kjo e jona, më bënte të mendoja që gabimisht mund t’ju dukesha e distancuar. Megjithatë vendosa ta provoj dhe dua të ma thoni ju pastaj, nëse ishte një provë e dështuar apo një eksperiencë të cilën mund ta bëjmë traditë të darkës sonë të vitit që vjen; ku natyrisht të tjera këtu të bëjnë atë që po bëj unë sonte.

Mikeshat e mia, Pesë vite më parë, telefonova trembedhjetë nder ju për darkën e parë dhe sot, pas pesë vjetësh, mund të them me shaka por jo pa gëzim, jam shumë e lumtur që Juda nuk ishte mes të trembëdhjetave! Mesa duket besnikëria është grua, jo burrë… Ju ftova atëherë të mblidheshim sebashku në nje darke miqesore fundviti. Për mua vetë ishte një mënyrë për t’ju njohur nga afër, duke ju vleresuar të gjithave per kurajon speciale, qe sipas meje kërkon nga një vajzë ose grua të jetuarit në nje fushe kaq te veshtire, sic eshte kjo e medias. E kujtoj fare mirë se edhe atëherë pata pasiguri nëse duhet të ftoja dhe disa ndër ju, me të cilat nuk njiheshim së afërmi. Ashtu siç e kujtoj po aq mirë kënaqësinë qe ndjeva nga pranimi i menjehershem i fteses

. E cila sidoqoftë nuk ma fashiti pasigurine njohjes se paket, ne distance, nga sipërfaqja e ekranit apo leximet e herahershme. Nuk e di se sa ndikoi kurioziteti, se sa ndikoi politesa, se sa ndikoi dëshira xhenuine apo qoftë edhe se sa vendimtar ishte fakti që mbase thjesht e kishit të lirë atë darkë, kur më thatë të gjitha pa përjashtim, “Po do të jem!”. Por, dua të më besoni sonte, se duke numëruar pesë vjet me radhë ku asnjëra nuk ka munguar në këtë takim tanimë tradicional (edhe kur rralle ka ndodhur vetem per aresye madhore), ndjehem e privilegjuar për njohjen me ju, për çka kam mësuar prej jush dhe mbi të gjitha, për miqësinë e butë që më keni dhuruar.

Diku kam lexuar Kunderën të shkruajë që, “Nëse gjithcka bëhet tematikë, atëherë konteksti zhduket, dhe si në një pikturë kubiste, nuk mbetet asgjë veçse plani i par딝. Mosqoftë që kjo sforco e imja për të lënë një gjurmë më shumë se zakonisht nga kjo darkë, të jetë në përfundim si një pikturë kubiste (ndonese kam bindjen se im shoq dhe shoku juaj, jo vetëm nuk do të ishte kundër po mund të kishte bërë në vendin tim një pikturë kubiste të gjatë sa e gjithë darka!). Por s’dua as që në këtë sforco, unë të mbetem thjesht tek përcjellja e valëve të patrazuara të miqësisë që ushqej për secilën prej jush. Sepse, në sytë e mi, ju jeni shumë më shumë se mikeshat e mia të veçanta, dhe puna juaj e vështirë më imponon jo vetëm një respekt të veçantë, por edhe detyrimin që t’ju shpreh përjetimin tim lidhur me të.

Mua më vret gjithnjë e më shumë, rendja gjithnjë edhe më tepër e medias drejt përplasjeve kaq shpesh të stisura e kaq përgjithësisht banale në skenën politike. Më vret si diçka që më dhunon syrin, veshët, por edhe inteligjencën; një lloj force e dobësisë njerëzore që të merr peng dhe të shkëput nga konteksti dhe realiteti ku jeton. Kam ndjesinë gërryese që tanimë kjo është kthyer në një sëmundje, që i ngjan një loje, por që në fakt dëmton përditë rrugët tona të të menduarit dhe gjykuarit. Ju mendoj në fakt hera ”“ herës, herë njërën e herë tjetrën, kur shfletoj menunë mediatike të ditës.

Dominanca nga agresiviteti, humbja e sensit të etikës, shterpësia deri në kotësi e debateve (nuk e di a e meritojnë gjithsesi të quhen të tilla) jo thjesht mes politikanëve, po tanimë mes të gjjthëve në rrjetet sociale dhe gazetat online, më bëjnë të them mjaft, stop, nesër jo më! Por vjen e nesërmja dhe përsëri e gjej veten me menunë në dorë. Gjithnjë edhe më e trembur se mos ndoshta bëhem edhe unë pjesë e së tërës, në mënyrën si i shoh gjërat, si i lexoj mendimet e të tjerëve dhe si i gjykoj të tjerët. Falë Zotit, të paktën s’e kam ndjerë asnjëherë, asnjë çast, tundimin të hap faqen time të facebook­ut apo të komentoj në faqet e në blogjet e hapura nga të tjerët! Por e di që kjo nuk ndryshon asgjë, është një higjenë krejt personale për të cilën nuk synoj zilinë e askujt.

Kam filluar të besoj se i gjithë humori i ditës së njerëzve në kafenenë e vogël tek rruga e punës time, ku pi prej 15 vitesh me të njëjtët miq kafenë time të mëngjesit, do të përcaktohet nga fakti se si janë gdhirë ata që sot janë të kudondodhur nëpër studio, blogje, gazeta. Të cilët edhe kur nuk janë aty, mjafton të teshtijnë në profilin e tyre, dhe fap, shfaqen kudo ku është e mundur të na shfaqet lajmi që duan të na japin apo mendimi dhe përjetimi që duan të na tregojnë : jo vetëm në televizor, por edhe në tavolinë, në çantë, në xhep, përmes telefonit që lajmëron se dikush erdhi pa pyetur, drejt e në jetën tënde.

Ma thoni ju nëse e mendojnë gjatë apo shkurt, efektin që fjala ka në mendjet apo botën emocionale të atyre që e dëgjojnë. Por përshtypja ime është se e vetmja gjë që me siguri mendojnë, është që fjala e lëshuar të bëjë sa më shumë efekt negativ tek ne, në raport me dikë, apo me disa të tjerë. Modestisht dhe pa kërkuar t’ju them ndonjë gjë të re, mendoj që të keqpërdorësh pushtetin që jep liria e fjalës dhe e mendimit, të përcjellësh lajmin pa ndjekur fillin e të vërtetës, të kërkosh të bësh opinion të qëllimshëm në shërbim të cdo lloj axhende, përvecse të asaj të dobisë shpirtërore e mendore për të tjerët në raport me tjetrin, vendin, kombin, botën vetë, quhet abuzim.

Ne kemi natyrshëm një ndjeshmëri të veçantë ndaj asaj që në shqip quhet ngacmim seksual, po na mungon si fjalë në fakt (ose të paktën unë nuk e di) kur ndjehemi “harassed”, të ngacmuar në intimitetin apo inteligjencën tonë, nga abuzivizmi i dikujt. Më falni po mua më duket se kjo shoqëri po “haraset” përditë nga të katër anët! Është kthyer pothuaj në një kulturë shoqërore kudo ku flitet shqip, të parit errët të gjithckaje që ndodh dhe të gjykuarit me agresivitet ekstrem të gjithshkaje që shihet.

Nuk flas për politikën këtu se fatkeqësisht ka kohë që është kështu, por sot ngacmimi abuziv ka prekur çdo mjedis, çdo shtresë, çdo pjesë. Madje ka filluar të ketë tanimë edhe profesorë me tituj të cilët shkruajnë në publik me fjalor ekstremisht banal dhe të padenjë. Universitarë, studentë e pedagogë, që dhunën verbale dhe shpërdorimin etik në komunikim me publikun i përdorin si armë thuajse ekskluzive, për t’u imponuar. Dekanë, rektorë e kolegë të tyre që i marrin në mbrojtje duke i imituar.

Duke qenë plotësisht të shkujdesur ndaj faktit që misioni i parë dhe më sublime i cdo mësonjësi është të garantojë shoqërinë për vlerat dhe modelin që transmeton. Si vajza, gra e shumë nëna këtu, besoj dakortësohemi që disa vlera, duke filluar nga etika në komunikimin e ndërsjellë dhe pastaj me publikun, duhet të jenë të panegociueshme kudo. Po në një mjedis të brishtë dhe pa traditë demokracie si ky i yni, unë besoj se këto vlera nëse mbrohen e promovohen kanë shumë më tepër forcë se ngacmimet abuzive. Po ashtu, unë nuk mendoj se ka arsye për hezitim nga cdo protagonist publik, për tu pozicionuar jo vetëm kur është fjala për të akuzuar me të drejtë, po edhe kur është fjala për të edukuar njerëzit me sensin e të drejtës.

Për shembull, ka plot arsye për ta kritikuar këtë qeveri. Harrojeni këtu se kush është Edi për mua në shtepi, po flas me ju dhe s’jam as në shtëpi me Edin, as në punë me ju para kamerave ose mikrofonëve! Po si mundet që një aksioni me dobi të qartë për publikun, sic është fjala detyrimi për të paguar energjinë, t’i jenë gjendur deri tani të gjithë bishtat e mundshëm dhe asnjë protagonist publik jopolitik, të mos e ketë artikuluar qartë atë që e kam dëgjuar vetë të artikuluar qartë nga njerëzit e thjeshtë(?): S’ka alibi për të mos paguar energjinë! Jo, askush nuk e thotë, përkundrazi. Vetëm bishta që stimulojnë energjitë negative të njerëzve. Mund të përmend një nga një edhe shembuj të tjerë, po ju i dini më mirë se unë dhe s’dua t’ju lodh.

Për mua, çdo përpjekje për ardhmërinë e një vendi si ky i yni, që krijon themelet e një raporti normal me shtetin dhe e bëjnë normal vetë shtetin, duhen mbështetur jo sepse i bën ky apo ai, po sepse duhen! Vetëm kështu do të legjitimohej më tej edhe çdo shqetësim nga zbatimi i tyre, edhe çdo kritikë në këtë kontekst për ecurinë e tyre. Përndryshe gjithçka dhe kushdo mbetet i paragjykuar, çka prodhon vetëm negativitet dhe mbi të gjitha rrit stresin social në çdo nivel. Secila prej jush këtu, ka një rol publik, fillin e të cilit unë e ndjek me sa mundem, edhe me vemendjen e posacme si për dikë që e kam në zemër.

Kurdohere shoh lajmet, mësoj të rejat, ndjek opinionet apo pushoj në efektin e formateve argëtuese dhe kulturore, ju mbështes nga larg shpirtërisht dhe përpiqem të kuptoj me aq sa lejon distanca vështirësitë që kapërceni. Dhe jo për konformizëm, po për hir të një të vërtete të madhe, më duhet t’ju them se sic thotë populli, “Ju mikeshat e mia hani sidoqoftë bukë veç!”. Më vjen cdo herë mirë kur shoh përpjekjet këmbëngulëse që bëni ju, për të dhënë më të mirën pa lejuar që profilin dhe pasionin profesional t’ua marrë lumi i turbullt i aktualitetit të veshur si s’ka më keq me petkun e medias. Biblioteka, shqip apo dritarja, studio e hapur, mengjeset dhe pasditet, periferia, Tonight dhe Insight, pertej Bigbrother dhe Newsbomb apo jo edhe recetat per njerezit qe dua apo një ditë si Sofia, Maria, X­i dhe Classi, tek Madame, living apo ne blogun e nje vajze single ose aty rrotull e të tjera kontakte me gjithësesilën prej jush në ekran apo letër, janë për mua kurajo për të mos u humbur në turbullirën e errët të së përgjithshmes. Për të mos ngacmuar abuzivisht të tjerët.

Për të mos u konformuar me guximin fals të agresivitetit mashkullor, që rëndom shitet e lexohet si pavarësi profesionale. Por që, të me falni, profesionale s’ka thuajse asgjë. Duke provuar dhe zbuluar hapësira të reja dhe mundësi për t’u ofruar njerëzve jo vetëm ushqimin e rëndë të politikës së ditës, por edhe një marrëdhënie të qetë në komunikim, ju bëni diferencën. Dhe modestisht konstatoj që edhe kur ju kritikoni fort, nuk e bëni këtë dhunshëm. Më krijoni përshtypjen se përgatiteni përpara se të hyni në studio, kujdeseni për mënyrën si flisni, dëgjoni përpara se të kundërshtoni. Mbi të gjitha, shqetësoheni për axhendën e publikut, ndonëse personalisht problemet e ditës mund ti keni me shumicë dhe pavarësisht se askush, as unë vetë mbase, nuk i shpëton dot kontaminimit nga mjedisi i ngacmimeve abuzive, ju nuk jeni aktore të telenovelave me dhunë verbale që i ofrohen publikut si debate demokratike. Jo vetëm ndjeshmëria juaj femërore, po padyshim vetëdija juaj për limitet etike, ju bën sot pjesën më të moderuar të medias dhe për mua, më dinjitozen e saj.

Për të kuptuar se nuk po bëj këtu asnjë kompliment të pamerituar, thjesht imagjinoni skenarin se si mund të ishte media sot sikur asnjëra nga ju apo kolege tuajat, të mos ishte më në ekran ose në faqet e tjera të komunikimit publik. “Mos u trembni nga përsosmëria, sepse kurrë s’do ta arrini dot at딝, thoshte një njeri i mençur. Dua të them me këtë se padyshim, asnjëra prej nesh, asnjëra prej jush, nuk është e përsosur në atë që bën. Edhe ju keni ditët tuaja të këqia, orët tuaja jo fatlume, momentet tuaja të humbura në ushtrimin e profesionit. Por ju asnjëherë nuk gaboni me qëllim për të bërë dëm. Asnjëherë nuk gaboni për t’i rënë në qafë kujt. Asnjëherë nuk e humbni momentin në sytë e publikut, sepse doni të manipuloni publikun.

Engjëjt nuk jetojnë në tokë dhe nëse ndonjërës nga ju mund t’i duket shumë e zbukuruar pamja që unë kam për ju, me siguri kjo është thjesht dhe vetëm paaftësia ime për ta konkretizuar besnikërisht perceptimin tim. Po jo qëllimi im. Qëllimi im nëse nuk arrita ta nxjerr dot nga e gjithë kjo fjalë, është e thënë troç, t’ju lutem të kuptoni peshën e rëndë të rolit tuaj. I cili shkon përtej suksesit të ditës në një mjedis ku jeni të dënuara të bëni përditë e më shumë diferencën. Me shpresën se i’a vlejti durimi juaj për të më dëgjuar deri në fund, jam e gëzuar që kam privilegjin t’ju uroj nga kaq afër të jeni të gjitha sa më shpesh të gëzuara, për vete dhe mbi të gjitha për njerëzit tuaj të zemrës. Faleminderit!

Ndryshe nga kater vitet e meparshme, ne darken e fundvitit me disa nga gazetaret, moderatoret dhe drejtueset e medias ne Shqiperi, Linda Rama mbajti nje fjale te shkurter pikerisht ne takimin qe ajo vete organizon, takim i kthyer tashme ne tradite.

Share: