Home I pakategorizuar Lu: Propozimi për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën…

Lu: Propozimi për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën…

“Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ekspertët tanë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë aktivisht të përfshirë në hartimin e secilit prej 58 ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme, ky propozim ofron një mekanizëm për të shqyrtuar dhe larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre një sistem më të mirë për të disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen. Dhe ristrukturon funksionet e prokurorit të përgjithshëm për të nxitur më pak politizim. Ne bashkëndajmë pronësinë e këtij propozimi dhe e mbështesim atë fuqimisht.”

Lexoni të plotë dhe në shqip, fjalimin e Ambasadorit Donald Lu në Tryezën e Diskutimit “Reforma në Drejtësi dhe të Drejtat e Grave.

Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Tryezën e Diskutimit “Reforma në Drejtësi dhe të Drejtat e Grave” (22 dhjetor, 2015)

Zonja Bregu, Zonja Hysi, Zonja Doda, Profesore Anastasi, zonja dhe zotërinj,

Një nga arsyet pse më intereson kaq shumë reforma në drejtësi është historia e një nëne shqiptare që një gjyqtar e privoi nga fëmijët e saj. Ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh vuajtjeje, ajo më në fund gjeti guximin ta linte bashkëshortin në emër të sigurisë së fëmijëve të saj. Kur ajo shkoi në sistemin gjyqësor shqiptar për të kërkuar drejtësi, gjeti vetëm më shumë vuajtje. Gjyqtari i dha bashkëshortit të saj, një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë, të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj. Kjo i theu zemrën. E pse do të vendoste një gjyqtar në favor të një personi të tillë? Vetëm një arsye e thjeshtë — korrupsioni.

Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve normalë të ndershëm. Dhe në një sistem të korruptuar, viktimat janë shpesh gratë. Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat.

Sa nga ne kanë dëgjuar histori të tilla?

Sa herë iu vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar e të paaftë?

Sa kohë duhet të presim që të pasurit e të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?

Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ekspertët tanë, nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, u përfshinë aktivisht në hartimin e secilit prej 58 [pesëdhjetë e tetë] ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme, ky propozim ofron një mekanizëm për të vlerësuar dhe larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre një sistem më të mirë për të disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen. Dhe ristrukturon funksionet e prokurorit të përgjithshëm për të nxitur më pak politizim. Ne bashkëndajmë pronësinë e këtij propozimi dhe e përkrahim atë fuqimisht.

Por, puna e vështirë, nuk ka mbaruar. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë dhe udhëheqësit e tyre të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reforme të rëndësishme. Dhe këtë javë kemi parë një vlerësim paraprak të propozimit nga Komisioni i Venecias. E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të pasqyruar idetë më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i përgjithshëm. Ky proces ka filluar tashmë.

Së fundi, kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi — mundësinë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga ky kancer i korrupsionit dhe për të rivendosur besimin e burrave dhe të grave të zakonshme ”“ besimin se ata do të marrin drejtësi.

Ndërsa shqiptarët shqyrtojnë nëse do ta mbështesin ose jo këtë reformë, u kërkoj atyre të konsiderojnë gruan e ndershme që humbi fëmijët e saj, shtëpinë e saj dhe jetën e saj sepse një gjyqtar i korruptuar vendosi se i duheshin më shumë para për të financuar stilin e tij luksoz të jetesës.

Share: