Home KRYESORE Me Aleksin dhe pa Albinin!

Me Aleksin dhe pa Albinin!

Nga Dr. Ndricim Mehmeti

Fitorja e pritur e Cipras në Greqi përkoi në pak ditë me një valë demonstrimesh në Kosovë, që në pamje të parë, të jepnin përshtypjes se kishin kaluar cakun e një demonstrimi të paqtë dhe demokratik. Në dy ditë me radhë, shqiptarët u përplasën ashpër për çështjen e Trepçës, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Aleksandër Jabllmaoviç. Mirëpo në fakt shqiptarët opinion bërës me titujt që ja kanë vënë apo gjetur me kujdes vetes së tyre: Studiues, historian, politologë, ekspertë, vazhdues, mosdurues etj., vrapuan që të gjithë të na shpjegojnë, se ç’është fenomeni “Cipras”, vlerat e tij, të mirat që do të na sjellë. Me pak fjalë, Mesia kishte zbritur në Tokë me emrin Cipras. Na shpjeguan në tryeza lokalesh, në rrjete sociale (sidomos në FB), në studio prestigjioze, se tani jo vetëm Shqipëria, por edhe Evropa në pak vite do t’i thoshte fukarallëkut tutje. Cipras, do të sillte, solidaritetin, humanizmin, luftën kundër të pasurve që i kanë pirë gjakun popullit, bejlerëve dhe agallarëve evropianë dhe për këtë “elita” pro-evropiane e deri parazgjedhjes së Cipras, tani po e shikon vëngër Evropën dhe me shumë admirim Ciprasin. Pati nga ata që kërkojnë të asociojnë Ciprasi-n me Albinin tonë në Kosovë. Edhe pse me zë të shuar dhe tepër vonë. I shkathti, eleganti, elastiku Cipras, zë më shumë vend në zemrat e grupi të specializuar të politikës mbarëbotërore në Shqipëri.

A thua se këta individë e ndiejnë më afër veten me Ciprasin se sa me Albinin. Edhe mundet të jetë kështu. Njëfarë internacionalizmi, duke mos pyetur shumë për punët tona, ne e kemi të trashëguar dhe nuk është se do të bëhet përshtypje, “dashuria e re Cipras”. Me Cipras dhe pa Albinin, duket në pamje të parë me shumë si vendimi i nj arbitri, i cili kërkon të çojë lojën në barazim, për të mos prishur qejfin e asnjërit. Në fakt unë mendoj të kundërtën. Me Cipras dhe pa Albinin, është më mirë për t’i thënë Evropës se e kemi xhan. Kur e përqafuan me shumë mall Ciprasin nga larg dhe shkruajtën aq bukur për vlerat që do t’i sillte Evropës, pak kush nga admiruesit e Cipras e dinin, se ai do të rikthente rrotën e historisë në dëmshpërblimet e luftës. Po ashtu Facebookistët e “pavarur”, ishin gati të të “vrisnin” po t’i kundërshtoje tezën se Cipras, i do kaq shumë shqiptarët. Dashurinë për Evropën dhe Shqiptarët vetë i admiruari i tyre, jua dogji në dorë, me deklarata pak orë pas fitores së zgjedhjeve. Ende pa mbaruar urimet dhe përqafimet për djalin grek, që do t’i vinte shpatullat problemit të shqiptarëve dhe vuajtjeve të Evropës, “modestët” politologë, studiues, opinonues e çoroditës të popullit të tyre, nuk folën fare. Si kundërpërgjigje, disa filluan të përkrahin me gjysmë zëri Albinin, të cilin e braktisën thuajse të gjithë. Pa Abinin. Pse? Natyrisht që nuk duan ta thellojmë gabimin me Evropën. Albini, vërtetë mund të duket si Cipras, kur që kërkon rinegociim, por Albini, nuk mund të jetë Cipras-i. Albini, nuk fiton dot i vetëm dhe as që ka besimin e njerëzve që marrin më shumë erë nga bota se populli i thjeshtë.

Me Albinin dhe me Cipras? Edhe kjo duket e vështirë. Mbase këtë nuk guxon ta bëjë askush. Kjo kërkesë është e tepërt, por me Cipras dhe pa Albinin, është edhe më shumë absurde. Nëse Albini kërkon negociim me Evropën për bisedimet me Serbinë, Cipras, kërkon të negociojë me të gjithë njëherësh. Ai deklaroi qartë se i është lëshuar shumë pe Shqipërisë, se duhet të kishin përfunduar problemet me Egjiptin, Libinë e shtete të tjera me të cilat rrethohet Greqia. Kërkesat e kryeministrit grek, janë një e drejtë e tij dhe gjykohen prej popullit të tij. Ashtu sikundër edhe qëndrimi ndaj perëndimit është një e drejtë e tij. Nuk e di dhe nuk kuptoj, entuziazmin e madh të shqiptarëve dhe besimin e shprehur me 100 përqind, se shqiptarët me këtë kryeministër do të dilnin në selamet. Nuk arrij të kuptoj pse për ne shqiptarët punët e fqinjit kanë më shumë rëndësi se ato tonat. Nuk e di pse Albini, u quajt njeriu që shtyu drejt protestave të dhunshme shqiptarët, kur edhe Nisma, AAK, kishin deklaruar se mbështesnin kërkesat e popullsisë dhe do t’u prinin protestave. Nuk e kam kuptuar ende rolin e një kryetari bashkie në krye të protestuesve në qytetin e tij. Nuk e di dhe pak kush ka marrë mundimin të na shpjegojë, se a ka ndonjë kryetar bashkie në ndonjë kryeqytet që bashkohet apo edhe bën sehir, kur dëmtohen ndërtesat qeveritare, pavarësisht qëllimit të protestës.

Me Aleksin nëse shqiptarët do të kenë një pozitë më të mirë. Me Aleksin nëse qeveria e tij, i jep më shumë liri mësimit të gjuhës dhe kulturës së Shqipërisë për emigrantët shqiptarë. Me Aleksin nëse kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve njihen nga shteti grek, me një marrëveshje që ende mungon për këtë qëllim. Me Aleskin për një zhvillim sa më të madh ekonomik, teknologjik, kulturor dhe arsimor të zonave ndërkufitare dhe mes dy vendeve në tërësi. Me Aleksin nëse qeveria e tij njeh Kosovën si shtet i pavarur. Me Aleksin nëse qeveria e tij, do të japi shembujt sesi përpiqet të mos humbasim shpresën tek Bashkimin Evropian, i cili, vite më parë e mirëpriti shtetin e tij dhe e ndihmoi të rrisë mirëqenien.

Po aq t’i dalim në krah Albinit, kundër keqpërdorimit të pasurive kombëtare në interes të politikës. Me Albinin për të mos lejuar arrogancën të dominojë arsyen në qeverisjen e një vendi. Me Albinin për të mos lejuar që shteti i Kosovës të varfërohet dhe të kthehet në një vend ku shpresa për të jetuar shuhet dita-ditës. Pa Albinin nëse nacionalizmi, përjashton mundësinë e bashkëpunimit global. Pa Albinin nëse aspirata politike që ai ka, bie ndesh me zhvillimet e kërkuara prej vetë shqiptarëve dhe atyre që duan realisht të na ndihmojnë në një proces zhvillimi dhe përafrimi me vendet më të përparuar evropiane.

Gjithsesi asgjë nuk shihet bardh e zi dhe vështirë se gjykohet nga një demonstratë, fjalim apo intervistë. Ndoshta ne duhet të merremi më shumë me punët tona sesa ato të botës, qoftë edhe fqinjët tanë më të afërt. Ne duhet të jemi të vëmendshme ndaj zhvillimeve në Greqinë e udhëhequr nga Cipras, por pa ushqyer iluzione të mëdha e as paragjykuar një gjë ende të paprovuar. Është në detyrën tonë të ulemi e diskutojmë të kuptojmë më mirë Albinin e më pas të gjykojmë nëse përfitojmë apo humbasim nga lëvizja e tij.

Dr. Ndriçim Mehmeti

Share: