Home KRYESORE Mëmësia e Krishtit!

Mëmësia e Krishtit!

Nga Artan Fuga

I njejti autor i krishterë i dys shekujve më parë në librin kushtuar muajit të Marisë, shtjellon se Biri i Zotit ishte Jezusi, por në fakt përballë tij, heshturazi, pa u dukur në dhimbje, ngrihet figura e Shën Marisë, pra monumenti hyjnor i Nënës.

Mua nuk më intereson aq në planin fetar, por si figurë universale antropologjike.

Nëna – thotë ai – sjell në jetë një qenie që e ka mbartur, dhe kur e sjell këtë produkt të vetin e di që nuk është për të, por do të sakrifikohet, i linduri që nëna e rrit me aq dashuri do të vdesë, pra drama e nënës është se rrit për vdekjen, dhe misteri është i tillë që sado Nëna dëshiron ta zejë vendin e martirit në vend të fëmijës të vet, kjo nuk i lejohet.

Tragjizmi i jetës.

Njeri nga tre Magjistarët që vjen nga Lindja tronditet se Maria i thotë : “Ja e linda, merreni tani!” Ajo ishte e qartë se fëmija e vet nuk ishte për të dhe me zemergjerësi e dhuron.

Por historia nuk është e lehtë. Magjistari i thotë pak a shumë : “Jo, jo, mbaje, je ti që do ta rritësh, por fëmija jot i dashur do të jetë për ty një shpatë me dy tehe që do të të hyjë direkt e në zemër.”

Kështu Maria ndjek pas rrugëtimin e mundimshëm të të birit dhe vuan më shumë sesa ai, meqë ajo edhe i vuan ato që vuan fëmija, por është edhe dëshmitare e atyre, çka i biri nuk është sepse ai nuk e sheh veten.

Ajo e di se sa më shumë rritet figura e Birit, aq më shumë afrohet ora e Ikjes të tij. Vetëm ajo e di sekretin sepse e ka ndjerë të Birin në trup.

Në një çast, si fshehurazi nga të tjerët, Jezusi i pëshpërin : Tani është koha!

Dhe ditën e kryqëzimit, autori shpjegon se vetëm Nëna qendron poshtë Kryqit duke parë e përjetuar vuajtjet e martirit, të gjithë miqtë, turmat e konvertuara, besnikët, ata që i ishin përbetuar për ta ndjekur deri në fund, ata kishin ikur nga sytë këmbët, nga frika dhe egoizmi për të shpëtuar kokën.

Ishin po ata që i Biri kishte thënë në sy të Nënës se këta janë vëllezërit dhe prindërit e mi.

I Biri kishte ikur te Zoti, në parajsë, kurse të gjitha sharjet, vuajtjet, varfërinë, shtypjen e pëson Maria gjatë gjithë jetës të saj, që nuk ishte zot por njeri.

Autori shpjegon se në fakt imazhi i lindjes dhe martirizimit të Krishtit është po aq edhe ngritja në kulmin e sublimitetit të figurës të mëmësisë.

Share: