Znj.Mimoza Ferraj njëra nga studentet protagoniste te lëvizjes se dhjetorit 1990-91 e cila flet sinqerisht pa rrumbullakime te atyre realiteteve. Mënyra si si ajo tregon ato ngjarje historike tregon sinqeriteitn dhe bindjet e saj ndaj vlen te lexohet per te kuptuar me shume nga njeri prej këndvështrimeve te atyre viteve ka dhëne ketë interviste per gazetën “Sot”.
-A e detyroi Lëvizja e Dhjetorit Ramiz Alinë të lëshonte pushtetin apo Ramizi stimuloi dhe përdori lëvizjet për të mundësuar zbatimin e Marrëveshjes së Katovicës?
Mimoza Ferraj. Trysnia e brendshme dhe e jashtme, e detyruan Ramiz Alinë që të zbatonte projektin e Katovicës. Projektin e Katovicës, ai do ta zbatonte në bazë të kushteve që ishte Shqipëria. Çdo projekt, pavarësisht se është i njëjtë për t’u zbatuar, ndryshon në bazë të kushteve dhe rrethanave të vendeve. Ramizit i duhej të krijonte një rrëmujë, të krijonte parti të ndryshme, dhe njerëzit që do të përbënin partitë, do të ishin njerëz të vënë nga ai.
Kështu, Ramiz Alia e filloi me shkollën e Mjekësisë. Me anë të sigurimsave, ai ngriti studentët në demonstratë. Ramiz Alisë nuk i interesonte ardhja e pluralizmit, por synimi i tij ishte që të shfrytëzonte demostratat e studentëve dhe më pas të zbatonte Katovicën. Por Sabit Brokaj, i cili nuk ishte i informuar për planin e Ramiz Alisë, si komunist dhe si administrator i shkollës që ishte, i shtypi demonstratat. Më pas i shkon pranë një i sigurimit dhe i thotë: “Çfarë na bërë, na prishe punë?”. Urdhri kishte ardhur nga Ramiz Alia që çdo gjë të ishte e programuar.
Pasi Sabit Brokaj ia dështoi planin, Ramiz Alia urdhëroi Pandeli Majkon që të hidhte një fletërrufe. Majko ishte shoku im i Universitetit, djali i sekretares së Universitetit, Janulla Majko. Kur doli fletë-rrufeja, Majko, Ilir Meta, Arben Imami, Edmond Budina, Skënder Gjinushi, Blendi Gonxhja zhvilluan një takim me Ramiz Alinë. Ramiz Alia pasi dështoi me Fakultetin e Mjekësisë, vijoi me të tjera universitete. Në takimin me 200 studentë erdhi ministri i Transportit. Brenda studentëve ishin edhe atë studentë që Ramizi i kishte zgjedhur. Pandeli Majko ishte i zgjedhuri i Ramizit.
-Çfarë bisedoi me ju ministri i Transporteve dhe cili ishte qëllimi i takimit?
Mimoza ferraj. Ministri i Transporteve na tha neve studentëve, se qeveria kishte vendosur të hapte transport ajror dhe rrugor, dhe se kishim shkuar kundër interesave tona, pasi kishim mbyllur kufijtë. Ai na tha se do të kishim benefite nëse do të hapnim kufijtë. Dhe unë ngrihem në mes të 200 studentëve dhe i them ministrit të Transportit: “Çfarë thoni ju është mashtrim, pasi si mund t’i jepni liri transportit rrugor dhe ajror, kur ju nuk i keni dhënë liri fjalës, fesë dhe ardhjes së pluralizmit?!”.
Në atë kohë, salla buçiti: “Moza, ty do të arrestojnë…!”. Kur dola përjashta, më del përpara Pandeliu dhe më thotë: “Moza, dua të takoj…”. Ik ore pirdhu, i thashë. Më pas ne dërgojmë një letër te Ramiz Alia, ku i kërkojmë takim. Ramiz Alia e konfirmoi takimin. Dhe u vendos që në 8 nëntor, te Qyteti Studenti, te godina e inxhinierisë mekanike dhe transporteve të mblidheshim të gjithë në një takim me qeverinë.
Mua më lajmëruan me vonesë. Mora biçikletën e profesorit që e kishte në holl, dhe nisem te studentët. Salla ishte mbushur plot me 300 studentë, kishte ardhur e gjithë qeveria. Oratori ishte Skënder Gjinushi dhe Adil Çarçani. Ishte planifikuar nga Ramizi që studentët të thoshin “s’ka drita, s’kemi xhama”.
Pasi përfundojnë studentët, çohem e them: “Z. Adil Çarçani, unë respektoj çfarë thonë shokët e mi lidhur me anën ekonomike të Qytetit Studenti, por problemi nuk është ekonomik, por politik. Qeveria juaj është qelbur nga koka! Problemi është komunizmi, nuk është ekonomia!”. Pastaj më drejtohet mua Adil Çarçani: “Si e ke emrin dhe vajza e kujt je?”. Më pyeti për të më kërcënuar.
Dy nga ata të Sigurimit ishin mbrapa meje, të veshur me pardesynë e bardhë dhe automatikun në dorë. I them Adil Çarçanit: “Merri këta mbrapa kurrizit tim dhe nxirri përjashta, se mbledhja është e hapur! Ne ju ftuam të flasim atë që duam dhe jo me frikë. Se këta nuk më trembin mua…!”. Adil Çarçani, më thotë vazhdo. Dëgjo i thashë: “Ju si qeveri do jeni përgjegjëse jo vetëm për brezin tonë, por edhe për brezat që do të vijnë. Pse? Sepse qeveria dhe komunizmi juaj nuk është asgjë tjetër, por është si ai krimbi, dhe do mbani përgjegjësi për të gjitha ato që keni bërë!”.
Pastaj çohet Gjinushi për të më trembur dhe thotë: “Kujt i flet ti kështu moj?!”. Ndërsa unë i them: “Ti mua as nuk më tremb dhe as nuk më entuziazmon me dy formula matematike që ke bërë për librat e klasës së parë! Ti je djali i filanes, që ka qenë bashkë me babanë tim në brigadën e 5-të. Ajo ka qenë ushtare, ndërsa babai im komandant. Gruaja jote dhe jot ëmë, veshin takën elegante 7 pond, ndërsa unë dhe babai im kemi ngrënë si i gjithë populli, jo me lugë floriri!”. Në atë kohë, salla buçet: Moza, Moza…se u iku frika. Më pas Adili merr qeverinë dhe del përjashta.
-Çfarë ndodhi më pas?
Në darkë, më dërguan Azem Hajdarin te godina për të më takuar mua. Unë Azemin as nuk e kisha parë ndonjë herë në jetën time. Azemi më thotë: “Labe, hajde se do bëjmë demonstratë!”. Ngrihemi të gjithë në demonstratë, ditën e 8 nëntorit në darkë. Të nesërmen në 12 dolëm prapë në rrugët e Tiranës, te ambasada amerikane. Unë dhe Azemi rrëmbyem mikrofonin. Skënderi ishte aty dhe thoshte: “Bashkohuni me mua dhe shikoni çfarë do bëjmë!”. Nëse do shikosh videon me Ramiz Alinë, do shohësh që ata brohorasin dhe i japin kredite Ramiz Alisë. Studentët që ishin me shpirt demokratik, ata u shoshin ju s’do flisni.
-Cili ishte roli i Shenasi Ramës gjatë përmbysjes së regjimit komunist?
Mimoza Ferraj: Fillimisht dua të them: Ne shkuam te shtëpia e Gramoz Pashkos, në bodrum, në katin e parë. Ishim 5 vetë që u mblodhëm për të krijuar Partinë Demokratike. Shenasiu ishte për të krijuar Lëvizjen Studentore, ndërsa unë, Gramoz Pashko, Arben Imami dhe Aleksandër Meksi ishim për krijimin e partisë. Kur u mblodhëm për të krijuar PD, unë shkova për të marrë edhe disa profesorë nga korpusi. Marr biçikletën, dhe bashkë me Azemin shkojmë te korpusi.
Atje ishte Eduard Selami, i cili më kap nga dora dhe më thotë: “Moza, unë kam dëshirë të futem në parti, kam me vete librin e Helsinkit dhe do ju ndihmoj juve për programin e partisë”. Eduardi ishte i vënë nga Ramiz Alia si pedagog që vinte nga jashtë shtetit dhe që kishte sjellë librin e Helsinkit.
Bashkë me Eduardin shkojmë te shtëpia e Gramoz Pashkos. Atje, më vonë vjen edhe Sali Berisha, për të cilën grupi nuk e besoi. Ne nuk e pranuam, pasi ishte provokator. “I them Meksit ta dëgjojmë një herë çfarë do thotë. Berisha na thotë: “Unë kam dëshirë vetëm që të shtoni në programin e partisë pjesën për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”.
Ramizi kishte si synim të bënte president Ilir Metën. Kishte bërë listën për çdo katër vjeçar, që do të bëheshin zgjedhjet. Shenasiu ishte caktuar nga Ramizi që të bënte Lëvizjen Studentore. Por, Shenasiu dështoi në planin për Lëvizjen. Nuk arriti dot të zbatonte planin e Ramiz Alisë. Meritë e Berishës ishte që i tha Shenasiut: “Ti je spiun!”. I tha të vërtetën. Shenasiu donte të dështonte krijimin e PD.
Në Shkodër, nga një grup i caktuar, u vendos që të qëllohej Shenasi Rama. Arben Broci, të cilin e kam pasur shok klase për 5 vjet, veshi pardesynë e Shenasiut për të dalë në podium. Ata donin të qëllonin Shenasiun, por fatkeqësisht dhe gabimisht qëlluan Arben Brocin.
-Çfarë vlerësimi keni për politikën shqiptare sot pas 25 vjetësh?
Në Parlament janë të gjithë ushtarët e Byrosë Politike. Ramizi ka vdekur dhe ka lënë të tjerët pas. Tranzicioni duhet të marrë fund! Të gjithë aktorët e Ramizit duhet të largohen. Pasurinë që kanë bërë, është pasuria e shtetit. Ka vdekur shpirti te populli…populli është i lodhur me të njëjtat figura. Të rrëzohet qeveria dhe të futen në burg ata që duhet të futen, të dalin njerëz të pastër me parti të reja dhe të fillojë jeta normale për popullin shqiptar.