Nga Gezim Ostreni
Partitë politike parlamentare shqiptare (BDI dhe PDSH), deri tani, ofrojnë dy oferta, që karakterizohen me ide të varfëra të kontrolluara nga VMRO DPMNE-ja, për zhvillimin e mëtutjeshëm të Republikës së Maqedonisë dhe tentojnë pengimin e pluralizmit politik, për të siguruar monopol për vete. Po ashtu, partitë shqiptare nuk i bëjnë transparente marrëveshjet për koalicion me partitë maqedonase ashtu që shqiptarët gjithmonë e ndjejnë veten të pasigurt për realizimin e çështjeve për të cilat i kanë votuar.
Njëra parti rregullisht kërkon marrëveshje të re me maqedonasit, që do të thotë ndryshime të reja në Kushtetutë, duke e quajtur të vjetëruar Marrëveshjen e Ohrit, të cilën vetë e ka firmosur dhe nuk merr iniciativë për të realizuar këtë ide, ngase është betuar se deri në vdekje do të jetë besnike e një organi të shtetit. Ndërsa tjetra, viteve të fundit, anulon të gjitha përpjekjet, duke i mbuluar me demagogjinë: anëtarësim në NATO dhe BE, në vend që të punojë për arritjen e standardeve me të cilat do të krijoheshin kushte që anëtarësimi të ishte pasojë e punës për ndërtimin e jetës cilësore të qytetarëve në Maqedoni.
Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë shndërruar në vasalë të VMRO DPMNE-së. Qëllimi i formimit të UNITETIT është hapja e një alternative të re për zhvillimet e mëtutjeshme demokratike në Maqedoni, duke i evituar pengesat që qëndrojnë para qytetarëve shqiptarë, maqedonas, turq, romë, vllehë e të tjerëve, për sigurimin e dinjitetit, lirive dhe të drejtave të tyre.
Qeveria e Maqedonisë nuk ka ngurruar të përdorë dhunën. Ky është një gabim i madh, ngase ajo ka në dispozicion për të aplikuar, mjetin më të fuqishëm se gjithçka tjetër, zhvillimin e demokracisë në vend, sigurimin e të drejtave të plota për të gjithë qytetarët dhe institucionet, e jo përdorimin e dhunës, e cila në shumë raste organizohet, gjithmonë tolerohet dhe përherë praktikohet nga organet qeveritare në Maqedoni, nga Kuvendi kundër deputetëve dhe gazetarëve, angazhimi i forcave për të ndalur manifestimet e pakënaqësive në forma të ndryshme të lejuara me ligj, për veprim me forcë kundër gjendjeve të sajuara me pasoja shumë të rënda për jetët e njerëzve, duke mos marrë masa për funksionimin demokratik të shtetit ligjor gjatë zgjidhjes së problemeve.
Në vend të bashkëjetesës, për të cilën flasin pushtetarët, keqtrajtohen, rrihen, burgosen dhe vriten shqiptarët dhe jo vetëm ata. Kjo po ndodhë edhe me maqedonasit, që janë oponentë politik të partive në pushtet, ndodh edhe me gazetarët. Partitë i nxisin qytetarët për përçarje për të fituar sa më shumë vota, gjoja se për t’u mbrojtur çështja nacionale e shqiptarëve nga maqedonasit dhe e kundërta.
Analiza e gjendjes aktuale në Maqedoni tregon se ajo ka arritur në krizë institucionale. Në një gjendje ku shtyllat e demokracisë janë deformuar, ngase disa pushtetarë dhe pjesëmarrës në pushtetin aktual janë ngritur mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe kanë kontribuar të sundojë presioni, frika dhe rreziku nga burgosja, nga rrahja e njerëzve që janë të “fajshëm” vetëm pse janë shqiptarë ose e maqedonasve pse janë oponentë politikë; rrahja e gazetarëve, djegia dhe rrënimi i objekteve të shqiptarëve dhe të tjerëve; mita dhe korrupcioni, nepotizmi që mbretëron gjatë punësimit dhe leverdive tjera, të cilët arrijnë ta korruptojnë elektoratin për t’ia marrë votën, që kanë për pasojë apatinë.
Këtu duhet theksuar edhe ideja e rrezikshme e shprehur nëpërmjet kërcënimit dhe ofendimit të shqiptarëve që manifestohet nëpër ndeshjet sportive me parulla të ndryshme fashiste kundër bashkëjetesës. Për të gjitha këto dhe shkeljet e tjera që po ndodhin, askush nuk përgjigjet. Hapen institucione arsimore dhe në të njëjtën kohë të njëjtat injorohen.
Bëhet deprofesionalizimi gjatë angazhimeve në nivelet e larta dhe në vendet e punës në kundërshtim me kualitetet arsimore, përvojën dhe aftësitë që i parashohin sistematizimet në pajtim me detyrat e tyre që dalin nga rregulloret dhe ligjet, që do të garantonte aplikimin e vlerave. Kjo bëhet edhe në nivel ministrash, zv/ministrash e sekretarë shtetëror pa arsimim përkatës, të cilët nuk mund të garantojnë profesionalizëm në punë dhe nga kjo shndërrohen në poltronë.
Në kundërshtim me Kushtetutën, vazhdojnë përpjekjet e Qeverisë për të mbrojtur karakterin një nacional të shtetit. Askush nuk shqetësohet për këto devijime dhe të tjerat, edhe pse për çdo ditë i kemi në jetën reale. UNITETI do të angazhohet për evitimin e kësaj që përmenda, për rregullimin e gjendjes dhe marrëdhënieve ekonomike dhe eliminimin e padrejtësive. Kultivimin e bashkëjetesës, relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare dhe ndërkulturore.
Përparimi i demokracisë dhe funksionimi i shtetit juridik, do të jetë angazhim i përhershëm dhe do t’u prijë situatave që shkaktojnë konflikte ndëretnike dhe të tjera, e jo në mënyrë proaktive dhe për çdo rast do të kërkojë përgjegjësi të veçantë, përfshirë edhe dorëheqjen e bartësve të funksioneve përkatëse në nivelet më të larta.
Gjithashtu, UNITETI do të punojë për rritjen e besimit ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të aplikuar shtetin qytetar ”“ shumetnik si realitet demografik i zhvillimit të shoqërisë të krijuar në rrethana të caktuara historike.
Dëshirojmë që partitë maqedonase ta kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet e Kushtetutës janë bërë për ta ruajtur Republikën e Maqedonisë në kufijtë ekzistues, në të cilën shqiptarët e shohin veten si qytetarë të barabartë me maqedonasit dhe jo si lypsarë, të cilëve dikush duhet t’ua jep ose jo të drejtat e tyre.
Stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik, politik dhe i sigurisë së brendshme dhe të jashtme i Republikës së Maqedonisë varet nga stabiliteti i marrëdhënieve ndërnacionale në shtet dhe këto janë themeli i vetëm i sigurt për perspektivën e Maqedonisë.