Home KRYESORE Nga se ka frikë Ilir Meta?

Nga se ka frikë Ilir Meta?

Nga Andi Bushati

Nëse kreu i kuvendit Ilir Meta është treguar kundërthënës ndaj reformës në drejtësi, herë duke vënë kushte për miratimin e saj dhe herë duke u shprehur pro, ajo që ai mendon realisht mund të lexohet përmes dy faktorësh.

E para, nga sinjalet domethënëse që ka lëshuar ministri i tij i ri i drejtësisë, Manjani, që ka vënë në pah edhe anën më pak vezulluese të kësaj “nisme të shndritshme”.

E dyta, nga reagimet e një sërë rekrutësh të tij mediatikë, të cilët në komentet e tyre po i mëshojnë më shumë pabesueshmërisë të draftit fillestar dhe hullisë ku donte ta dërgonte kryeministri Rama.

Shqetësimi nën rreshta i Ilir Metës është se mos kjo reformë e çon sistemin e drejtësisë në duart e shefit të qeverisë, që mund ta përdorë atë më pas kundër rivalit të tij brenda koalicionit të majtë.

Këtë frikë nuk e kuron as mbështetja që po i jep kësaj nisme kryediplomati amerikan në Tiranë.

Deklarata e ambasadorit Lu, se pas miratimit të saj do të ketë të korruptuar që do të shkojnë në burg, fryma e përgjithshme që gëlon në gjirin e aleatëve perendimorë të Shqipërisë, për të pasur më në fund politikanë të lartë pas hekurave, disa qëndrime të zyrtarëve përtej Atlantikut dhe së fundi, sabotimi që i bëri « Zëri i Amerikës » vizitës së tij shumë të kushtueshme në ShBA, kanë rritur frikën e Ilir Metës se ai mund të jetë viktima e parë e një gjuetie të mundshme shtrigash.

Prandaj në tregun politik, makineria e propogandës e LSI-së, po shton dozat e pikpyetjeve:

Kush është garant për këtë reformë?

Kush siguron se ajo nuk përfundon si një larje hesapesh?

Kush mund të vërë dorën në zjarr se diplomatët perendimorë, kërkojnë më shumë sesa standartet, një “pre të shquar” për të dëshmuar se i është dhënë fund pandëshkueshmërisë?

Kush mund të pretendojnë se tenderaxhijtë milionerë të Ramës qenkan më të ndershëm dhe më të besueshëm?

Të gjitha këto pyetje, pavarësisht nga qëllimi me të cilin ngrihen, kanë një të vërtetë brenda.

Sepse dilemma e vërtetë e reformës në drejtësinë shqiptare është: “Kush janë hajdutët që do do të vendosin për fatin e hajdutëve të tjer딝. Ose thënë në mënyrë jo kaq pesimiste: a mund të nxjerë sistemi ynë në sipërfaqe (qoftë edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve) njerëz të ndershëm, të drejtë, të papolitizuar, me integritet, për ta mbajtur në ekuilibër peshoren e shtrembëruar të drejtësisë?

Ilir Meta ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, është nga ata që nuk besojnë se kjo “mrekulli” mund të ndodhë.

Me karierën e tij çerekshekullore, me mënyrën bizantine si është mbrujtur, me paranojat me të cilat e ka mëkuar politika, me përvojën se si e ka përdorur drejtësinë kur ka qenë në pushtet dhe se si është mbrojtur prej saj, që i ri, kur ka qenë në opzitë, ai nuk mund të dalë jashtë këtij sistemi të menduari.

Për këtë nuk e ndihmojnë as aktorët e tjerë në lojë, që nga Rama dhe Berisha, që janë të së njëtës mendësi dhe të së njëjtës shkollë.

Prandaj ai ka frikë. Prandaj ai e sheh si kërcënim çdo përpjekje për të nxjerrë drejtësinë nga ekuilibrat e sotëm të kontrollit politik.

Natyrisht, që këtë ankth e shton dhe e shkuara e tij plot njolla të errëta. E bën më të madh edhe bindja se, alibia e parë e hajdutëve të mëdhej, është goditja e të singjashmëve të tyre.

Të gjithë këta faktorë e bëjnë Metën që të jetë kundër reformës në drejtësi. Ndonëse ai nuk e ka artikuluar kurrë kështu këtë frazë (me kushtëzimin e vetëm kur kërkoi aleatë dhe tha se ajo nuk mund të bëhet pa opozitën), ai po vepron në këtë drejtim.

Kush e njeh politikën dhe kulisat e saj di ti lexojë mirë zërat e mbështetësve të tij mediatikë. Në thelb ata shprehin refuzimin e Metës, jo vetëm për Ramën dhe për Lu-në, por edhe për reformën.

Marre nga www.Lapsi.al

Share: