Edhe Barack Obama ka shigjetuar në mënyrë direkte Donald Trump, duke trajtuar temën më delikate në Shtetet e Bashkuara: diskriminimin racor. Ne fakt, pas një seri fjalimesh për kohezion kombëtar kundër terrorizmit, presidenti ka dhënë një intervistë për Radion Publike Kombëtare, duke prekur temën kyçe. - “Zoti Trump ka kapitalizuar frikën e klasës punëtorë, por edhe dyshimet e përhapura në disa pjesë të elektoratit republikan, që lindin nga fakti se unë jam presidenti i parë me ngjyrë”, ka deklaruar Obama. Duhet kujtuar qe në prill të vitit 2011, Trump kreu një fushatë personale kundër Obamës, duke insistuar se ai nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për rrjedhojë duhet të linte Shtëpinë e Bardhë. Duke folur për stacionin radiofonik, Obama nuk i ka përmendur akuzat, por referimi ndaj këtyre deklaratave, që në atë kohë qarkulluan në mbarë organet mediatike, ka qenë i qartë. Një ditë më parë ishte radha e Hillary Clinton, që e kishte cilësuar pasanikun si “rekrutuesin më të mirë të ISIS”, të binte pre e shigjetimeve të tij. “Hillary gënjen. Pres të më kërkojë falje për këtë histori të neveritshme”, tha ai.