Home KRYESORE Orët e Lu-së dhe orët tona biologjike.

Orët e Lu-së dhe orët tona biologjike.

Nga Luan Kurti

Deklarata e Lu-së për “Orët” na ka futur në ngasje. Aq sa kemi filluar të bishtënojmë edhe tek tregu Çam, tek vitrinat e orëve. Ky biznes me gjasë, falimentoi. Të kërkosh të blesh një orë të shtrenjtë do të thotë t’i futesh belasë. Gruaja që kishte vendosur të ma blinte një për ditëlindjen, ndërroi mendje. “Orët u hyjnë në punë vetëm nostalgjikëve, punëshumëve dhe jaranëve që u lënë takim dashnoreve. Ti s’ke qenë i zoti për asgjë nga këto, ndaj mos u ndjej. Unë jam ora jote biologjike”, – më tha me pathos. U përpoqa ta kalkuloja me mendje sentencën e saj dhe arrita këtë konkluzion: Të mbash orë duhet të kesh arsye, të kesh arsye do të thotë të kesh para, të kesh para do të thotë të bësh para të tjera… Po paratë gjithsesi kërkojnë kohë dhe koha matet me orë?! Ja ku më ngeci filli i mendimeve, si në një fjalëkryq… Ah, ja bëra pas pak më i lehtësuar: Në parim Lu-ja nuk duket të jetë kundra orëve. Me kusht ama, që të jenë cazë më të lira se makina e tij, qoftë edhe 10 qindarka..

Share: