Home KRYESORE Pakurajoja mediatike e Blendi Fevziut

Pakurajoja mediatike e Blendi Fevziut

Nga Denis Dyrnjaja

Lexova një opinion të Blendi Fevziut, ku i jepte të drejtë dhe mbështeste qëndrimet dhe deklaratat publike të Ambasadorit Amerikan, ndaj korrupsionit dhe njerëzve të pushtetit, të përfshirë në afera të dyshimta kriminale përmes shprehjes së përsëritur “unë mendoj si ai” një shprehje që ia referonte z. Donald Lu.

Dhe këtu parimisht nuk ka asgjë të keqe. Problemi nis dhe bëhet nga serioz në qesharak, për të mos thënë skandaloz, kur opinionisti, ndoshta pandërgjegjshëm, ose pa koshiencë ka dalë nga misioni që ka. A nuk është paradoksale që Ambasadori Amerikan flet me emra konkret zyrtarësh të korruptuar dhe gazetari jo?! A nuk është paradoksale që në vend se të flasë gazetari me prova e emra konkretë, flet një diplomat, kur në fakt duhej të ishte e kundërta, ambasadori t’u referohej provave të gazetarit.

Pra Ambasadori foli me emra sepse media nuk flet, sepse gazetarët dhe opinionistët e famshëm, mërmërisin pa kurajo, nën zë, nëpër tavolina baresh e restoranteve për të korruptuarit e të inkriminuarit, por këtë se bëjnë në një studio televizive, duke pritur që të tjerët ta thonë, ambasadori ta thotë. Ambasadori foli sepse e sheh se të gjithë u shmangen përballjes me emrat dhe përgjegjësit e skandaleve korruptive e kriminale. Ambasadori foli sepse e di se është e pamundur që të inkriminuarit dhe të korruptuarit t’i kesh dhe miq dhe armiq.

Ambasadori foli sepse media (si ajo e shkruar dhe ajo vizive), pjesë e rëndësishme e së cilës është dhe Fevziu në këtë rast, ka patur të gjithë kohën dhe mundësitë e nevojshme të provojë dhe flasë me fakte e emra konkretë, por se ka bërë, sepse nuk ka kuptim në drekë të hashë tavë peshku e në mbrëmje të denoncosh banketshtruesin.

Të gjitha këto e kanë detyruar Ambasadorin Amerikan që të veshë veç kostumit të diplomatit edhe atë të gazetarit, kur sheh se hapësirat publike dhe mediatike harxhohen për hoka e qoka, jo për gazetari kurajoze që flet me emra konkretë, prova e fakte. Për këtë ka nevojë publiku sot jo për llogje Kavaje, në Tiranë, apo për t’i bërë fresk publik Ambasadorit Amerikan për atë që ne fakt duhet ta bënte media.

Share: