Home KRYESORE Party-partitë per median dhe një këshillë Baba Mondit

Party-partitë per median dhe një këshillë Baba Mondit

Nga Flutura Acka

Që Kryeministri jep darkë për median, është një gjë normale, edhe pse nuk është normale mënyra se si e jep darkën dhe si i trajton gazetarët ‘si kavie’. Por në një Shqipëri si klub fshati dhe me hatërmbetje të mëdha, nuk mund të presësh më shumë.

Edhe këtu në Holandë do të eksperimentohet për herë të parë ky model në muajin shkurt, por përpara se Kryeministri Rutte të thumbojë gazetarët, një komedian e pavarur (vërtet i pavarur) do të thumbojë mirë Kryeminisrin, dhe nëse Rutte pas kësaj do të ketë fuqi të thumbojë gazetarët, kjo mbetet për t’u parë. E bën Obana çdo vit, por Obama ka bërë aq shumë për Atdheun e tij, sa ka purteka të mbahet që të mos bjerë (prej thumbave), dhe aq kulturë fundja.

Unë jam nga ato që më duket fare normale një mbrëmje e tillë Kryeministrore me median, pavarësisht se do të kisha pëlqyer më pak tension të fshehur nëpër të. Nuk më duket çudi që as zonja e kryeministrit të japë darkë vajzave të dalluara të medias, që sekush i numëroi se ishin 18. Unë them se janë 518, po të përfshij aty vajzat e terrenit që paguhen aq keq dhe vetëm për te rendur në shi e në erë për lajmin, atë armatë të heshur që punon natë e ditë për kulturën shqiptare në median e shkruar e televizive, shpesh të kërcënuar nga kultura e institucionalizuar “e seksit me shefin” në mediat tona, ose më qartë, në kulturën e punësimit shqiptar.

Hajde në edhe një party nga kryetari i parlamentit, se sigurisht në majë të shtetit është, edhe pse një pjesë e atyre gazetarëve që morën pjesë aty, na kanë bërë me dije për të na bindur përditë se ai është “kryehajdut”, të paktën me çfarë lexojnë prej tyre këtë përshtypje ka çdo shqiptar. Që edhe partitë i kanë qejf party-t, është fare normale, por të ftohen 2000 vetë, kur mund të ishin ftuar 200 dhe paratë t’u shkonin rinovimit të kopshteve të Tiranës, do të ishte më normale. Jo të paguajnë qytetarët e thjeshtë, siç po duket nga taksat e reja.

kryegjyshataPrapë të gjitha këto i kuptoj, por party-n e organizuar nga Kryegjyshata shqiptare për median, nuk arrij ta kuptoj. Por, fare-fare. Baba Mondi njihet për një burrë shumë fisnik dhe që bën shpesh gjeste të tilla. Por këtë të medias mund t’ia kishte kursyer vetes dhe Kryegjyshatës. Sigurisht një party e tillë është një hiçmosgjë për fondet e tyre, por gjithsesi ato 30-50 metra rrugë lart në kodrën e Kus Babasë në Vlorë në hyrje të Teqesë, do të ishin ndërtuar me këto fonde.

Se ç’është e drejta, nëse do ta shkatërrosh makinën, ngjitju asaj kodre dhe bëji ato 30-50 metra rrugë. Mbase nga koha e verës kur kam qenë atje, rruga mund të jetë ndrequr, por nëse jo, do ta këshilloja miqësish Baba Mondin t’i kishte kursyer këto fonde për atë copëz rrugë, pasi për te parajsa lart në Kuzum Baba, nuk është gjithnjë e këshillueshme të kalosh nëpër Ferrin e asaj rruge…

Share: