Nga Artan Fuga
Doli nga dera e pallatit. Kujdes – tha – se mermeri i shkallëve, pa mbajtëse, i lagur nga shiu, të kthehet në pistë patinazhi e thyen kokën. Doli në rrugë ku përtej pa mure të rrjepur dhe shkatëruar avllish. Pusetat e kanaleve ose të hequra, ose të bllokuara. Pellgje gjithandej. Shkallët e pallatit dhe trotuaret brazda, brazda. Të kafshuara nga mijëra qenër.
Ngriti sytë për të parë nëse retë ishin kërcënuese, por i uli menjëherë nga pamja e shëmtuar : qindra tela të bëra lesh arapi mbi krye. Të varur e të mpleksur keq. Te cepi pa dyqanin bosh dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Kati i parë i pallatit plot me dyqane e sallone : berber për burra, farmaci, kafene, sallon flokësh për gra, dyqan ushqimesh, qendër Interneti, rrobaqepsi, këpucari – riparim çantash, përsëri dyqan ushqimesh, etj. Shërbime pa klientë. Edhe kabinet dentar. Të gjitha brenda një pallati.
Cdo pallat ka TEG -un e tij. Në ballkone rrobe dimri të lara që mezi thahen. Kaloi dy tre pika shitjesh produktesh bujqësore. Shegë, hurma, sallatra, presh, domate, arra, pothuajse në tokë. U shty te rrëza e një muri të leckosur pë të lejuar një veturë të kalonte. Pasqyra e saj i preku lehtë me përkëdheli parakrahun. Doli në rrugë të madhe midis pallatesh me mure të shkarravitur.
Udhët si shtigje shkëmbinjsh gëlqerorë. Copë – copë. U përshëndet me shumë qenër. Sa janë shtuar ! – mendoi. Të gjithë me nga një vath në vesh. I kanë vaksinuar së paku. Por frika nga kafshimi i mbetej. Këlyshë të një bushtre. Po sikur një ditë rrugica të ketë më shumë qenër sesa njerëz??? Më në fund pa plehrat ku duhet të hidhte qesen e tij. Kujdes – tha me vete, – mos hidh çantën me dokumente, por qesen me plehra. Kazanë të lyer me ngjyrë tulle. Pa kapak. Kundërmojnë erë. Mbushur me ujë shiu. Brenda dy burra seç rrëmojnë. Plluq, mikrobuzi privat që sjell nxënësit te shkolla jopublike e rrugicës i lëshoi një stërkalkë uji.
Përballë po bëheshin picat. Kaloi në trotuarin tjetër me kujdes sepse viza të bardha nuk ka. Ja bëri me sy shoferit të taksisë dhe hypi në të. Radioja e makinës transmetonte debatin parlamentar të ditës…