Home KRYESORE “Princ Klaus” për Lubonjën një humbje domethënëse e politikës shqiptare…

“Princ Klaus” për Lubonjën një humbje domethënëse e politikës shqiptare…

Nga Flutura Açka

E ftuar disa kohë më parë në një nga emisionet televizive për të diskutuar mbi median dhe kulturën shqiptare në kapërcyell të vitit 1990, një kolegu im, tashmë publicist i njohur, me një qetësi të çuditshme, e pranoi publikisht se atë vit, pra në vitin 1990, ai vendosi ta braktiste të qenit shkrimtar dhe “të prostituonte” (shprehje e tij) në median shqiptare. Shtoi madje se, sikurse ai, kishin bërë edhe disa miq të fushave të tjera, duke u përfshirë kësisoj në një armatë gazetarësh, analistësh e njerëzish të medias, një pjesë e të cilëve kishin vendosur qysh në krye “të prostituonin”.

Duke e dëgjuar kolegun tim ta thoshte dhe ta përsëriste aq pa të keq frazën, do të duhej të debatoja me të, por e bindur se e kishin dëgjuar mijëra shqiptarë, por edhe nga ndjesia e shmangies së ndonjë skandali të mundshëm në transmetimin e drejtpërdrejtë, e kalova qetësisht bisedën. Nuk e di nëse ka ndonjë gazetar të huaj që do t’ia pranonte vetes publikisht se si kishte flirtuar me politikën dhe se si mbahej ende nën hijen e saj.

Por në etiketimin që publicisti i bëri vetes dhe medias shqiptare në përgjithësi, ka në thelb një të vërtetë të madhe: Sa integritet ka media shqiptare, veçmas ata figura, fjala e të cilëve zë vend mes nesh? Ky është një debat për të cilin është folur shpesh, dhe nga një skaner i hollësishëm, atë traun e lartë të besueshmërisë dhe të integritetit publik, mes gazetarëve dhe publicistëve shqiptarë pak figura arrijnë ta kalojnë. Për fat të keq.

Mes këtyre të paktëve, padyshim më i dalluari, është Fatos Lubonja. Intelektuali i pakompromis, idhnak ndaj poltikës që nuk po e bën si duhet detyrën gjatë trancizionit shqiptar, i qartë, i thellë, dhe ndër zërat e vetëm të besueshëm. Fatos Lubonja është fjala shqiptare e pamanipuluar, dhe si e tillë ai i bën Shqipërisë një shërbim shumë të madh, edhe pse asnjëherë nuk e mori dhe as e kërkoi mirënjohjen e meritueshme shoqërore.

Shpesh, kur në çaste bëmash të politikës shqiptare, në ngjarje kombëtare jo të pakta të këtyre viteve të trazuare, ne kemi kërkuar një pikë referimi të asaj që mendojmë edhe vetë, dhe kemi pyetur veten: Çfarë do të mendonte Lubonja për këtë? Dhe presim shkrimin e tij të radhës. Prej vitesh, çdo të huaji, nga ata të interesuarit përtej turzimit për Shqipërinë, emri i parë që u artikullohet si njeriu për t’u takuar dhe për të folur, është padyshim Fatos Lubonja. Dhe jo nga e shkuara e tij e hidhur familjare, as nga vitet e burgut (që janë tashmë qartësisht të dokumentuara në veprat e tij), as nga të qenët një kritizer i natyrës së intelektualëve që e shohin Shqipërinë nga syri i Europës, ku edhe jetojnë. Fatos Lubonja është zëri i së sotmet, për të cilin kemi aq shumë nevojë ne shqiptarët e sotëm, një zë i qartë dhe i pakompromis.

Çmimi “Princ Klaus”

NLD/Amsterdam/20151202 - Koninklijke Familie bij uitreiking Prins Claus Prijs 2015, groepsfoto Koninklijke Familie en prijswinnaars
NLD/Amsterdam/20151202 – Koninklijke Familie bij uitreiking Prins Claus Prijs 2015, groepsfoto Koninklijke Familie en prijswinnaars

Mbrëmë në Amsterdam, Fatos Lubonjës ia dha çmimi “Princ Klaus” mes dhjetë fituesve të tjerë, në ceremoninë e mbajtur në fuajenë e Pallatit Mbretëror dhe në prani të familjes mbretërore holandeze. Çmimi i madh “Princ Klaus” shkoi për fotografen iraniane Newsha Tavakolian, dhe çmimet e tjera për artiste dhe intelektualë nga Senegali, Kazakistani, Siria, Kina, Argjentina, Kameruni, Nigeria, Zimbave dhe Iraku.

Ky çmim është i përvitshëm, dhe qysh nga viti 1998 u është dhënë vetëm personaliteteve dhe organizata, puna e të cilëve ka ndikuar në shoqërinë, pjesë e së cilës edhe janë. Politikat e “Fondacion Pric Klaus” janë të orientuara veçmas kah vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, dhe u dedikohet shkrimtarëve dhe artistëve që punojnë në zona ku përpjekjet për të t’i dhënë zë artit dhe kulturës së lirë, janë të kufizuara dhe ku pasuria kulturore është e kërcënuar nga dhuna e pushteteve dominuese dhe nga autoriteti. Rradhë ka ndodhur që ky çmim t’i jepet ndonjë europiani, edhe ky në ato raste kur e ka orientuar karrierën e tij pikërisht në vende të interest të këtij Fondacioni.

Irani, Senegali, Kazakistani, Siria, Kina, Argjentina, Kameruni, Nigeria, Zimbave dhe Iraku: duket si një pazëll i çuditshëm po ta mendosh se mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Kjo do të duhej të na dëshpëronte shumë, dhe çdo shqiptar do të ndihjej patjetër i humbur ta shohë Shqipërinë e tij të renditur në mes këtyre vendeve, që më së shumti janë pjesë e lajmeve nga vende diktaturash dhe mungese të lirisë. Por, është një mrekulli që fondacione të tilla prestigjioze, të njohura për mbështetjen e artistëve që nuk shkojnë mirë me ujërat ku notojnë, ka zgjedhur mes të tjerëve edhe Fatos Lubonjën dhe nuk është e rastit.

Ky është çmimi i parë që i jepet Shqipërisë gjatë gjithë historisë së çmimeve, edhe pse Shqipëria ka 25 vite që përpiqet të dëshmojë se po ndërton demokraci. Pikërisht në kohën kur Shqipëria më shumë se kurrë duhej të ishte jashtë hartës së vendeve problematike për fjalën dhe shtypin e lirë.

Përse pra Shqipëria?

flutura acka te PanoramaShqipëria në zemër të Europës befas merr një çmim të tillë. A është pra Shqipëria një demokraci perëndimore? Mund të jetë tronditëse për çdo shqiptar që beson një Shqipëri të mire, por s’është faji i Lubonjës pse në këtë listë çmimi është edhe Lubonja.

Fatos Lubonja ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me shkallë të lartë analize gjithçka nuk shkon mirë në vendin tonë, dhe është faktkeqësi që atë nuk mund ta lexojnë edhe aq lirisht nga media dhe lexuesi i huaj, siç ndodh me zërat e botës që kemi mundësi t’i dëgjojmë dhe t’i lexojmë e dhe ne.

Me një blog të thjeshtë, me revistën cilësore “Përpjekja”, me shkrimet e tij të vazhdueshme, me praninë e tij në debatet publike, ai ka mundur t’i japë zë fjalës së lirë, artit dhe kulturës shqiptare në botë. Sigurisht, fjala e thuktë, e vërtetë dhe pa ekuivoke e Fatos Lubonjës, është ambasadorja më e mirë e jona, shumë më e mirë se propaganda mediatike me ngjyra e larushi me të cilat i prezantohet e rrenët Shqipëria botës.

Fatos Lubonja na e ka bërë me dije shpesh me analizat e tij të holla se deri ku ka hyrë metastaza e kancerit të korrupsionit shqiptar, deri ku ka shkuar ethja për të rrënuar mjedisin dhe shpërdoruar vendin, deri ku janë dhunuar hapësira publike dhe e drejta për të jetuar si njerëz në një atdhe që nuk po e ndërtojmë për njerëz, a thua se ata që do të vijnë pas nesh nuk janë fëmijët tanë. Fatos Lubonja na ka treguar qartë e hidhët se politika shqiptare vazhdon të jetë një gangrenë e pandreqshme, e pashërueshme dhe e pandëshkuar për fajet e saj të njëzet e pesë viteve të fundit.

Por problemi i Fatos Lubonjës është mungesa e një podiumi të vërtetë, që ai ende nuk e ka siç e meriton. Çdo shqiptar i thjeshtë e kupton shumë mirë se Fatos Lubonja nuk është vetëm rrufepritës në debatete televizive, dhe as përfaqësues i fjalës objektive në debatet televizive, gjë që ai e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, por ai është zëdhënësi i aspiratës së fjalës së lirë, në një botë shqiptare të ngarkuar shpesh ose me frikë ose dhe flirte poltike.

Ky çmim është një fitore personale e Lubonjës, por një humbje personale e politikës shqiptare. Politika shqiptare sot është në ditë zie, sepse nga zemra e Europës po vjen një sinjal shumë i qartë: Liria jonë shqiptare është në kufijtë e lirisë së vendeve në diktaturë. Dhe kjo pas 25 vitesh demokraci, është gati një humbje kombëtare.

Unë nuk besoj se ndonjë politikan do të ndihej mirë të duartrokiste për këtë çmim të Lubonjës, por ky nuk është problem i Lubonjës. Një çmim i tillë është një zile alarmi për dizenjuesit poltikë të demokracisë në Shqipëri. Fatos Lubonja është ndër të vetmit që ka artikuluar herët se pushtet në Shqipëri, nuk janë veçse ndërrime bandash që mu si duar të pista përpiqen të lajnë njëra tjetrën, dhe ia nxijnë të dyja fytyrën edhe Shqipërisë sonë.

Ndodh që mediat me integritet në botë, për arsye të kuptueshme, në kohë fushatash politike të mbështesin forca të caktuara, me bindjen se fitorja e saj, do t’i japë më shumë mundësi vendit të tyre. Por pas zgjedhjeve, një media me integritet, kthehet në pozitën e saj të lirë, jo për të bërë një opozitë të rëndomtë ndaj pushtetit, por për të qenë tërësisht e pavaruer dhe për të bërë detyrën si pushtet i katërt. Ajo çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, është gati e pashpjegueshme. Asnjëherë më parë mendiat shqiptare nuk janë kthyer në masë në shërbim të pushetit. Mjaft të hapësh televizorin për të kuptuar se çfarë ndodh me televizionet shqiptare, e mjaft të hapoësh gazetat për të gjykuar se ç’ndodh me median e shkruar. Sikurse është kombi i polarizuar nga partitë, e njëjta gjë reflektohet edhe në media. Këto tërheqje prej përfitimesh politike, kanë qenë edhe më parë, por kam drojë që kurrë si këtë herë.

Dhe në këtë hulli mediatike shqiptare, Fatos Lubonja nuk e ka patur të lehtë të kontribuojë vërtet, të artikullojë me force dhe të mbetet i pastër. Dhe ia ka dalë. Mjaft të kujtoj vetëm një pasdite kur kam qenë e pranishme, dhe ndërsa u bënte guidë nëpër Petrelë disa të huajve, celulari i binte vazhdimisht. Ishte koha kur në Shqipëri plasi skandali i universiteteve fantazma dhe diplomave të tyre false. I bezdisur nga zilja, ai e ndërpreu një çast bisedën dhe këqyri ekranin. Ishte një nga drejtuesit e universiteteve private që mbase, siç ndodh shpesh në Shqipëri, po të përpiqej ta intimidonte. Kishte disa orë që i kërkonte takim. “Çfarë të bëj?,” tha. Nuk ishte pyetje. Çfarë mund të bësh pra në këtë Shqipëri, kur të gjithë i njohin të gjithë?

Të bësh atë që bën Fatos Lubonja, të mos tërhiqesh nga asnjë joshje politike, të vazhdosh betejën qoftë edhe i vetmuar, të përpiqesh të gjesh shokë që mendojnë dhe ndiejnë si ty, t’i bashkosh e t’i drejtosh, deri sa ajo të jetë një rrjedhë e mjaftë që të mund të bëjë ndryshimin. Të tillë, që Shqipëria të mos jetë më në listën mes vendeve të botës së tretë për asgjë, madje as për çmime honorifike që evokojnë lirinë e munguar. Por deri atëherë, do të vazhdojmë t’i kërkojmë Fatos Lubonjës që të vazhdojë të flasë.

fatos lubonja cmimPak ditë më vonë, Fatos Lubonjës do t’i jepet çmimi në Shqipëri, nga vetë përfaqësuesja e Holandës, Ambasadorja Dewi van de Weerd. Aty ku jeton dhe në atdheun për të cilin Fatos Lubonja ngre zërin përditë. Atë ditë unë nuk e di se ç’duhet të bëjë poltika shqiptare. Unë nuk e di se ç’duhet të bëjnë kolegë të tij të medias, disa prej të cilëve, ata që shquhen për shërbime përjetësisht ndaj pushteteve, çmimin e tij e artikuluan me gjysmë zëri, ose nuk e artikulluan fare në mediat e tyre? E mira do të kishte qenë të solidarizoheshin të gjithë bashkë e ta quanin një festë edhe të tyre. Ndërsa sa për politikën, le të futet në bunkerin që po ndërton me zell në mes të Tiranës, bunker që na kujton as më shumë e as më pak, një kohë ndëshkimi të fjalës së lirë.

Amsterdam, 3 dhjetor 2015

Share: