Nga Gjergj Zefi
Sot kam lexuar shumë reagime, shkrime, reagime të ashpra kundër një poeteje që unë e kam shumë për zemër: Rita Petro.
Rita është një poete e mrekullueshme për mua, është një katarakt ndjesish, një poezi në vete që për ta shijuar, për ta kuptuar, duhet të jesh mendjehapur. Rita është një ujëvarë dhe ujëvara nuk shijohet në akuarium…
Rita është ndër të paktët poetë tek ne (në fakt ne kemi shumë pak të tillë, të vërtetë) që trajton erotikën në poezi.
Qëndrimi ndaj poezisë së Ritës sipas meje është shprehje e kjartë e robërimit mental të shoqërisë sonë, e enjtur nga tubutë dhe e pangopur ende seksualisht…
“A të kam thënë ndonjëherë” ”“Rita Petro-
A të kam thënë ndonjëherë,
se dua të vdes në pranverë.
Bashkë me ty.
Përkundur në një shtratlisharës,
varur në degën e një lisi plak.
Kur të mos kemi më fuqi për të vrapuar,
kur të mos kemi më fuqi për të vallëzuar,
kur të mos kemi më fuqi për aventura,
kur të mos mundim më ta bëjmë…
Vetëm dielli do të na i ngrohë fytyrat,
puthitur nga frymë e njëri-tjetrit…
Unë e kam provuar njëherë,
te kasollja në mal.
Sapo kishte shkrirë dëbora
dhe pemët i kishin zënë ethet e pranverës.
Vdekja kishte shije eksituese,
të athët, si fryti ende i papjekur.
(Apo më mirë t’i lëmë krahasimet romantike, si seksi yt).