Home I pakategorizuar Raporti për Shqipërinë, Fleckenstein: Zgjedhjet, dështim. Drejtësia, prioritet

Raporti për Shqipërinë, Fleckenstein: Zgjedhjet, dështim. Drejtësia, prioritet

Pas festave nis puna për përgatitjen e raportit për Shqipërinë. Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, i cili do merret vetë me këtë raport në një intervistë për Top Channel flet për një situatë pozitive, por sipas tij ka patur edhe dështime si në rastin e zgjedhjeve lokale. Ndërsa thekson se detyra kryesore e klasës politike të Tiranës tani ngelet reforma në drejtësi.

TCH: Zoti Fleckenstein, Komiteti i Jashtëm i PE-së ka diskutuar tashmë raportet për të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kur do ta paraqisni ju raportin për Shqipërinë dhe çfarë shqetësimesh do të jenë në fokus të tij?

Fleckenstein: Kam disa mendime, por pas pushimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri do të filloj të përgatis raportin. Nuk kam shumë shqetësime, pasi është e dukshme se ka patur mjaft progres të mirë, por kemi patur edhe dështime, si në rastin e zgjedhjeve lokale. Për momentin, reforma kryesore mbetet ajo e drejtësisë, sigurisht.

TCH: Përpara prezantimit të raportit në Komitetin e Jashtëm, siç pritet, në fund të Shkurtit, a parashikoni të shkoni sërish në Shqipëri?

Fleckenstein: Po, por jo për të pyetur në lidhje me raportin. Mbase do të shpjegoj pak se çfarë kam shkruar në të, sepse nuk është e rëndësishme vetëm që Parlamenti Europian të dijë se çfarë mendoj unë, por dhe kolegët shqiptarë duhet ta dinë se çfarë kam shkruar dhe përse. Së dyti, në këtë vizitë do të jem i shoqëruar nga kolegu Eduard Kukan, për të biseduar mbi hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi, pasi të gjithë e ndjejmë, tashmë, se kjo është reforma më e rëndësishme për vendin, veçanërisht, kur një sërë reformash të tjera nuk mund të zbatohen pa patur këtë reformë të gjyqësorit.

TCH: Në qëndrimin tuaj të fundit të përbashkët, ju përgëzuat Kuvendin vetëm për miratimin e ligjit të njohur si dekriminalizimi, por në të njëjtën ditë, Kuvendi votoi dhe paketën fiskale, ndërsa opozita vijoi protestën kundër qeverisë. A keni ndonjë koment për këto zhvillime?

Fleckenstein: Është një detyrë e qartë e Parlamentit që të marrë vendime dhe qeveria duhet të zbatojë atë çfarë vendos Parlamenti. E kuptoj se jo gjithmonë vendimet e tij janë të mira për qeverinë, pasi deputetët kanë mendimet e tyre. Gjithësesi, në fund të fundit, Parlamenti është ai që vendos dhe qeveria është ajo që zbaton vendimet. Nga ana tjetër, unë do të thoja se është e drejtë e opozitës për të iniciuar protestat në rrugë. Pse jo?! Për sa kohë që ato janë të paqta, njerëzit kanë nevojë t’i tregojnë qeverisë se nuk pajtohen me njërin vendim të saj, apo tjetrin. Kështu që, këtu s’ka asgjë spektakolare. Mesazhi im kryesor, në këtë pikë, është që të ruhet qetësia dhe të flitet më qartë. Unë e kuptoj shumë mirë se çdo opozitë dëshiron të ndryshojë rregullat dhe të qeverisë. Por, për fatin e tyre të keq, zgjedhjet bëhen çdo katër vjet dhe ato të fundit çuan një parti në pushtet dhe tjetrën në opozitë. Gjithësesi, nëse ata kanë ide të mira e konstruktive për mënyrën e trajtimit të problemit, ne duhet t’i mbështesim ata, por nuk nevojitet detyrimisht një ndryshim qeverie, thjesht që qeveria të dëgjojë opozitën.

TCH: Këshilli i BE-së ftoi Komisionin për të vlerësuar Shqipërinë mbi përmbushjen e prioriteteve kyçe, përveç raportit vjetor të progresit, në 2016. A do të nxisni Komisionin me anë të kësaj rezolute të Parlamentit Europian, për ta bërë këtë vlerësim brenda gjysmës së parë dhe jo në fund të vitit të ardhshëm?

Fleckenstein: Unë dua të shtyj Komisionin, por nëse shohim përparim në reformën e drejtësisë, sepse është mëse e rëndësishme. Në rast se do të shohim se ka një votim të reformës nga parlamenti, atëherë do të nxis Komisionin, pasi mendoj se do të ishte koha e duhur për nisjen e negociatave. Për këtë arsye, na nevojitet ky vlerësim. Kështu që, PO, por së pari, kolegët tanë shqipëtarë në parlament duhet të bëjnë ca detyra shtëpie. Unë do ta përmend në raport se nëse ata e bëjnë këtë, atëherë, automatikisht, kjo duhet të pasohet me hapin e radhës nga ana jonë.

TCH: Ju sapo mbushët 62 vjeç, kush ishte risia e këtij viti?

Fleckenstein: rreth 350 përgëzime në facebook vinin nga Shqipëria dhe kjo ishte diçka e re. M’u be qejfi me të vërtetë. U jam përgjigjur me gishtin lart, pasi ishin shumë për t’i shkruar secilit personalisht. Ishte një ndjesi e mirë. U ndjeva më pranë njerëzve dhe vendit, me të cilin merrem.

TCH: Vërejmë se ju keni marrë dhe dhurata nga Shqipëria…

Fleckenstein: Po dhe e mbaj me shume krenari.

TCH: Urimi juaj?

Fleckenstein: Urimi im është të përfundoj këtë intervistë, të vrapoj për në aeroport, të kaloj kohë të këndshme pranë familjes në prag të vitit të ri dhe ju uroj juve dhe atyre, që po na ndjekin, Gëzuar Vitin e Ri (në shqip)!

Intervistoi: Arta Tozaj / www.top-channel.tv

Share: