Të gjithë punonjësve të cilëve u zgjidhet kontrata e punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa arsye, do të marrin dëmshpërblim deri në 1 vit pagë. Tashme në ndryshimet që i janë bërë Kodit të Punës, të publikuara në Fletoren Zyrtare parashikohet dëmshpërblimi me 12 paga.
“Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme, të pajustifikuar, të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, me kërkesë të punëmarrësit dhe duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos dëmshpërblimin, deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit”, thuhet në nenin 155 të ndryshuar të Kodit të Punës.
Nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të justifikuara, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit, në gjykatën kompetente, brenda 180 ditëve nga dita e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës.
Në rastin kur motivi i pajustifikuar është zbuluar pas kalimit të këtij afati, punëmarrësi duhet të ngrejë padinë brenda 30 ditëve nga dita e zbulimit të këtij motivi.
Gjithashtu të punësuarit në administratë mund të rikthehen në vendin e punës, nëse gjykata jep një vendim të formës së prerë.