Home KRYESORE Vëmendje ndaj te varfërve edhe pse mund te thonë: si u bëtë...

Vëmendje ndaj te varfërve edhe pse mund te thonë: si u bëtë kaq të pasur ju?!

Nga Selim Belortaja

Çdo fakt i ditës më bind fort e më fort se të varfrit në këtë vend janë absolutisht të papërfaqsuar. Askund. I përfaqson ata kush në Institucionet qëndrore? Në qeverisjen vendore? në shoqërinë civile? Në media? Në gjyqësor? Në spitale? Në shërbimet publike? Keni parë ndonjë temë debati kushtuar më të varfërve? Përkundrazi. Përveç fshikullimit të përditshëm nga mungesa materiale dhe përbuzja sociale, ata veçse shtyhen, shtrydhen, fyhen a injorohen.

Organizojmë -dhe shumë mirë bëjmë – evente plot ndjenjë e dhimshuri, për kategori të shoqërisë, për romët, autikët, bartësit e sindromave, ish-të përndjekurit, veteranët, viktimat e kësaj apo asaj rrethane, pooor kurrë një ditë a një orë ..për të varfërit Nuk është se zgjidhet problemi, por ..të mblidheshin dhe ata njëherë përballë pushtetmbajtësve e vendimmarrësve.

Është shumë kurative të rrish ca çaste me më të varfërit e kêsaj shoqërie. Me ata mbijetuesit që shohim përditë nga xhamat e makinës sonë. Ricikluesit përkulur kazanëve, lypsat me dhe pa diplomë, të pastrehët, të braktisurit, të përzënët, të pashpresët. Unë e di pse nuk e bëjmë e pse s’guxojmë të festojmë një orë me ta. E para, sepse të varfërit ..s’prodhojnë asnjë rezultat serioz politik; numurat zgjedhorë realisht janë “vjelë” thjesht nga..”bajraktarët”.

Të varfërit nuk qerasin, nuk sponsorizojnë, nuk “dhurojnë”, nuk bamirësojnë, nuk “garantojnë”, nuk manipulojnë. E dyta, sepse kemi frikë: frikë se mos mos na ngrihen e bubullijnë mu në mes të sallës: “e dimë, ne jemi të varfër -mund të thonë ata me gishtin drejt fytyrës sonë, ..po ju? më thoni ju …si u bëtë kaq të pasur?!”

Share: