Home KRYESORE A DUHET MARRË SERIOZISHT THIRRJA E MANJANIT PËR TË DIPLOMUARIT NË PERËNDIM?

A DUHET MARRË SERIOZISHT THIRRJA E MANJANIT PËR TË DIPLOMUARIT NË PERËNDIM?

Nga Ilir Hysa, Ph.D. SHBA

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka ftuar shqiptarët e diplomuar jashtë shtetit të kthehen dhe të shpëtojnë drejtësinë e vendit të tyre. Ai mësohet të këtë thënë se “[ë]shtë e papranueshme që aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës që të jetë diplomuar në vendet e BE-së dhe në SHBA.” Ai më tej paska shprehur habinë se si një kriter arbitrar i një mesatareje 8 për Shkollën e Magjistraturës lë jashtë kandidatë shumë seriozë nga universitete prestigjioze anembanë botës. Pra, ministri ka pranuar se shteti shqiptar, të cilit ai i përket, është një dhi e zgjebosur me bishtin përpjetë. Së fundi, Manjani ka konstatuar se të diplomuar në perëndim ka pasur dikur, në vitet ’90 (5 vetëm në Shkodër), por nuk ka më. Ç’ndodhi vallë që nuk kemi më të tillë?

Këtu po ndalem në diskutimin e dy çeshtjeve: Pse kërkesa e Manjanit nuk bind dhe çfarë kushtesh minimale kërkohen për tërheqjen e atyre të diplomuar në perëndim.

Duke filluar me të parën, pyetja që lind natyrshëm është: Kujt po i ankohet Manjani? Nëse ai e do Shqipërinë, shërbimi më i mirë që mund ti bëjë asaj është thënia e së vërtetës. Deri tani Manjani ka thënë vetëm të vërteta të pjesshme, por kjo nuk mjafton. Ai harron, ose bën sikur, se vetë ai nuk është mes shenjtorëve dhe se edhe ai ka ndihmuar dhe vazhdon e kontribuon në gatimin e çorbës së thartuar që na serviret sot. Ai harron se është eksponent i LSI-së, apo siç e gjej unë të arsyeshme ta quaj Lesh-e-lisë. Kjo është pa dyshim njëra nga krijesat më të frikshme të çerekshekullit të fundit. Ndonëse e njohur si parti politike dhe “flamurtare” e integrimit të Shqipërisë në Europë, leshelija është pa asnjë dyshim struktura më nepotike, më perverse dhe më kriminale e realitetit shqiptar të çerekshekullit të fundit.

Sikurse është bërë fare e qartë prej kohësh dhe kulmoi me intervistën e fundit të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta tek Zëri i Amerikës, struktura kriminale që drejton Meta nuk ka vullnet dhe predispozicionin të reformohet dhe të heqë dorë nga praktikat kriminale. Kjo sepse e vemja mënyrë për të mbuluar një krim është kryerja e një krimi tjetër më monstruoz sesa i pari. Sjellja perverse e partisë së Metës dhe Manjanit nuk njeh limite, por duke qenë tejet të implikuar tipa si Meta nuk e kuptojnë se edhe gjëra të vogla (për atë) si blerja e votave dhe spastrimet politike për të punësuar militantët dallkaukë dhe rrugaçë deri në poste drejtorësh, e madje ministrash, janë krime. Janë pikërisht ato disa nga arsyet që i mbajnë shqiptarët e edukuar në perëndim larg atdheut të tyre.

univesity-graduateParadoksi është se me thirrjen e tij duket se Manjani hamendëson që të diplomuarit në perëndim janë idealistë në kufinjtë e çmendurisë. Shumë prej profesionistëve shqiptarë në perëndim janë idealistë dhe nuk presin asgjë nga Shqipëria. Në fakt, ata jo vetëm besojnë por edhe jetojnë sa munden sipas devizës së ish-Presidentit amerikan Kenedi: “Mos pyet se ç’mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet ç’mund të bësh ti për vendin tënd!” Pastaj, nuk duhet harruar se edukimi në perëndim kalon përmes sakrificash që ata që nuk i provojnë as që mund ti mendojnë. Ndaj pavarësisht dëshirës së mirë dhe idealizmit, për shumë profesionistë shqiptarë në perëndim kthimi në atdhe vjen me një dozë të lartë pasigurie. Ndërsa ata kthehen për të sherbyer si profesionistë, ka një pritshmëri të çmendur që këta medoemos të radhiten në njërin nga klanet hajnore. Pra, ata që duan të kthehen duan ta bëjnë një gjë të tillë si shërbëtorë të popullit të tyre, jo sa për të shtuar numrin në listat e këtij apo atij klani.

Një ftesë si ajo e Manjanit do të ishte normale në rrethana të një politike me vullnet për ti ndryshuar faqen Shqipërisë, por shembulli që ka dhënë politika dhe familja politiko-hajnore e Manjanit veçanërisht, e bëjnë këtë thirrje hipokrizinë e radhës. Pra, sistemi i korruptuar i drejtësisë, për të cilin ministri ankohet, nuk ra nga qielli. Ai sistem është pjesë e grupimeve politike të shndërruara në banda të cilat terrorizojnë sistematikisht, vrasin shpresën dhe shkatërrojnë ardhmërinë e shqiptarëve. Kjo klimë e frikshme jo vetëm që nuk tërheq ata që janë larg, por edhe largon ata që janë afër. Por si zakonisht, si gjithë të tjerët, edhe Manjani nuk flet për kriminalitetin në familjen e tij politike. Puna më e lehtë është t’ua hedhësh fajin të tjerëve.

Për tu kthyer në temë, shqiptarët e diplomuar jashtë kanë një çerekshekulli që duan të ndihmojnë vendlindjen, por ftesa për ta ka qenë më shumë një manovër politike për të siguruar mbështetje elektorale (apo një mburojë nga presioni ndërkombëtar) sesa një kërkesë e sinqertë për të mirën e vendit. Tashmë të gjithë e dijmë se jo vetëm thirrje si kjo e Manjanit, por edhe programe të mbështetura nga institucione ndërkombëtare, si ai ‘Brain Gain’, kanë përfunduar si fiasko të radhës sepse ka munguar vullneti. Ose më mirë, mahnia për të vjedhur gjithçka nuk i ka lënë kohë politikës as për të reflektuar dhe as për të filluar një debat të sinqertë për të ardhmen e vendit.

Kështu që ndoshta e vetmja çeshtje për të cilën ka një konsensus të gjerë në Shqipëri dhe jashtë saj është të të kuptuarit mbi arsyen kryesore pse nuk kthehen profesionistët shqiptarë të ndihmojnë atdheun: Ata nuk vijnë në vendlindje sepse nuk i lënë të punojnë. Rregullat arbitrare, si mesatarja 8 që u përmend më lart dhe të tjera si ajo, nuk janë vendosur për të rritur cilësinë. Jo, askush nuk duhet të mendojë që profesionistët shqiptarë në perëndim janë më pak të aftë se militantët me diploma të rreme që rriten si kastraveca serash në Tiranë e rrethe. Kritere të tilla arbitrare vendosen për të krijuar barriera artificiale që dekurajojnë profesionistët e mirëfilltë nga pjesmarrja në jetën e vendit. Duke qenë se ata janë edukuar dhe jetojnë në ambjente me ligje dhe rregulla të përcaktuara mirë dhe ku ato që shkruhen nuk mbeten në letër, ambjenti shqiptar ata i nënçmon por edhe i irriton. Në një vend ku rrugaçi bën ligjin, ata profesionistët në perëndim, krenaria e atdheut të tyre në botë, ndjehen të dobët dhe të padobishëm. A nuk është kjo irrituese? Dhe në fakt, jo vetëm ata, por çdo qenie normale duhet të irritohet nga padrejtësitë, imoraliteti, dhe kriminaliteti.

FB_IMG_1452324630527Ironia therëse është se partia e Manjanit ka dhënë njërin nga kontributet më të dukshme në shndërrimin e Shqipërisë në një vend të frikshëm. Nëse do të më duhej të parashikoja se kur do të vijnë profesionistët shqiptarë në atdhe, ka shumë gjasa që parashikimi më i saktë do të ishte kur ti vihen prangat disa njerëzve që e kanë mbushur kupën në Tiranë. Do të ishte mirë që Manjani drejtësinë ta fillonte me bosin e tij dhe hajdutë të tjerë të pacipë të leshelisë në çdo cep të Shqipërisë. Pra, nëse ka nevojë për një thirrje sot, ajo duhet të jetë një kushtrim për të përmbusur një klan kriminal që po abuzon me shqiptarët në emër të integrimit. Pastaj, do ti vinte radha sistemit të drejtësisë. Kush mendon se mund të reformohet drejtësia me Ilir Metën në krye të Kuvendit të Shqipërisë pa u përgjigjur para drejtësisë së mirëfilltë, ushqen veten me iluzione. Dikush mund të thotë se Manjani po mundohet të bëjë pikërisht atë, të luftojë krimin. Realisht kjo punë është si dilema e vezës dhe pulës dhe është e vështirë të kuptohet se cilat janë qëllimet e Manjanit, por një gjë është e sigurtë. Ai nuk mund ti zgjedhë kriminelët të cilëve iu shpall luftë. Ose luftë ndaj të gjithëve, ose quajeni këtë fiaskon e radhës!

Share: