Nga Teuta Nunaj
Për të krijuar një model të ri për ekonominë shqiptare është e nevojshme të maten paraprakisht disa parametra të domosdoshëm dhe të zgjidhen disa çështje teorike. Fillimisht lind e nevojshme të përcaktohet nëse modeli që duam të zbatojmë për zhvillimin e ekonomisë do të ngrihet tërësisht i ri, si një model shqiptar? Apo do të bazohet në një nga modelet ekonomike që njihen në botën e kapitalizmit, si: modeli anglosakson (SHBA, Britania e Madhe), modeli gjerman (Gjermania, vendet skandinave), modeli i kapitalizmit shtetëror (Franca, Italia), modeli amerikano-latin (Brazili), modeli kinez apo i vendeve të Azisë Juglindore etj. Po kështu, duhet të analizohen faktorët dhe burimet që e bëjnë modelin e ri, apo atë të zgjedhur nga të sipërcituarit, si të qëndrueshëm dhe garant për suksesin.
Në rastin e Shqipërisë, që të zbatohet një model ekonomik, lind e nevojshme që të maten dhe të analizohen: kapacitet burimore që kanë të bëjnë me natyrën dhe me lëndët e para, pasi Shqipëria ka nevojë të shfrytëzojë burimet e saj; kapacitetet teknike dhe teknologjike; kapacitetet financiare dhe njerëzore; niveli arsimor, i punësimit dhe niveli i varfërisë së popullatës; shkalla e stabilitetit makroekonomik dhe e ndryshimeve strukturale ekonomike etj.
Sot, ekonomia shqiptare vijon të mbetet në kufijtë ekzistencialë të saj me ritme të ulëta rritjeje. Që të themi se kemi një model të ri ekonomik, do të thotë se kemi gjetur çelësin për ta zhvilluar ekonominë tonë dhe për ta bërë atë të suksesshme. Qeveria e mëparshme dhe kjo e tanishme kanë deklaruar në vazhdimësi se e kanë gjetur modelin e ri ekonomik. Qeveria aktuale e ka kaluar periudhën e provës dhe veprimet e saj duhet të jepnin impaktin e tyre, por ekonomia vijon të mbetet problematike, duke lënë ende shqiptarët në varfëri e papunësi dhe me borxhin publik më të lartë në 6 vitet e fundit. Ndërsa qeveria e shkuar dështoi në mënyrë spektakolare në ekonomi, duke e rritur borxhin publik përtej normës ligjore që ishte 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke lënë të fshehur faktin e mospagesave të sigurimeve shoqërore për 250 mijë punonjës publikë, duke mbuluar borxhin e brendshëm galopant që shteti u kishte kompanive private, për përcaktimin e vlerës të së cilit ka pasur një debat të madh publik mes dy palëve.
Në programin e qeverisë aktuale për zhvillim ekonomik, deklarohet se rritja e qëndrueshme do të mundësohet përmes gjetjes së “burimeve të reja që ushqejnë rritje ekonomike” dhe si burime, qeveria sheh këta sektorë prioritarë: manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia, arsimi dhe shërbimet. Le t’i analizojmë me radhë. Në rastin e Shqipërisë, kemi të zhvilluar sektorin fason, i cili punon me mall porosi, që do të thotë se importon lëndën e parë lëkurë apo tekstile dhe i përpunon për realizimin e produktit përfundimtar, që janë këpucët dhe veshjet. Ky sektor ofron për punonjësit e vet pagën minimale 22.000 lekë të rinj (duhet theksuar se Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Evropë), e cila mjafton vetëm për mbijetesë. Po kështu, kjo industri kërkon punonjës pa formim të thelluar profesional dhe dallohet për nivel shumë të ulët zhvillimi të burimeve njerëzore. Duke qenë se kompanitë fasone mallin e kanë me porosi dhe lëndën e parë e importojnë po nga dhënësi i punës, i cili njëkohësisht merr produktin përfundimtar, atëherë edhe fitimi i këtyre kompanive është i kontrolluar drejtpërdrejt nga porositësi. Dobia e vetme e industrisë fason në Shqipëri është se ul nivelin e papunësisë, por nuk mund të shërbejë kurrsesi, si një tregues për të rritur ekonominë në vend, ndaj zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet dhe nuk mund të ngrihet me bazë fasonin.
Sipas prioriteteve të vëna nga qeveria shqiptare, synohet hartimi i një strategjie afatgjatë dhe efikase për sistemin elektro-energjetik të Shqipërisë, me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm operacionalisht, teknikisht dhe financiarisht, të aftë për të plotësuar kërkesat në rritje për energji elektrike brenda vendit, me qëllimin për ta shndërruar Shqipërinë në një periudhë afatgjate, nga një vend importues i energjisë elektrike, në një vend eksportues të saj. Por, pas 27 muaj qeverisjeje jemi ende në synim. Edhe qeveria e mëparshme, tentoi një ristrukturim të sektorit, por dështoi, duke lënë një gropë të madhe financiare, ku vetëm detyrimi i faturave të papaguara ishte mbi 150 milionë euro. Sipas prioriteteve të vendosura nga qeveria aktuale, nevojitet një reformë e thellë për ta kthyer sistemin elektro-energjetik, nga një sektor me miliona euro humbje në vit, në një sektor të suksesshëm e rentabël dhe për këtë duhen vite punë, investime dhe mirëmenaxhim.
Turizmi shqiptar është një nga sektorët ku ka lulëzuar informaliteti dhe mungojnë standardet. Edhe pse ka një konkurrencë të fuqishme me vendet e rajonit, të cilat janë shumë hapa përpara nesh, ka gjasa që si sektor të jetë prioritar për ekonominë e Shqipërisë, sepse ka potencial zhvillimi, por mungon infrastruktura e kapitalit njerëzor edhe atij fizik. Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Turizmit është një rrugë e mirë dhe hap i rëndësishëm nëse realizohet, pasi mund të sjellë përmirësime të ndjeshme në cilësinë e shërbimit dhe produktit turistik që ofron. Por, rezultatet e synuara kanë prirjen që të arrihen më shumë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, sesa afatshkurtër.
Asnjë komb nuk mund të zhvillohet pa u arsimuar. Licencimi dhe hapja pa kriter e shkollave në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë e rrënoi arsimin duke krijuar një sistem fiktiv nxënësish e studentësh dhe me nivel të ulët përgatitjeje. U fillua një reformë arsimore me premisa të mira për të bërë ndryshime, por ajo ende vijon të jetë larg pritshmërisë dhe problemet kanë mbetur pa u zgjidhur. Arsimi parauniversitar dhe universitar ka nevoja të mëdha për ndryshim e përmirësim dhe për këtë nuk mjaftojnë vetëm reformat e strukturuara në letër, pasi ato duhet të shoqërohen paralelisht me rritjen e buxhetit për arsim dhe kërkim shkencor, gjë e cila nuk është bërë as në buxhetin e vitit 2016.
Më tej, bujqësia dhe agroindustria kërkojnë investime që të zhvillohen dhe të rrisin konkurrueshmërinë në treg, por që ende mungojnë në këtë sektor. Njëkohësisht, ato duhet të bashkërendojnë aktivitetin e tyre që produktet bujqësore të përpunohen në vend dhe krahas plotësimit të kërkesave të tregut të brendshëm, të synohet fillimisht rritja e eksporteve në rajon, me synim të mëtejshëm për t’u zgjeruar në tregun ndërkombëtar. Problem i madh në këtë sektor mbetet ende çështja e pazgjidhur e pronësisë së tokës.
Ekonomia shqiptare për t’u zhvilluar ka nevoja të mëdha për likuiditete dhe kreditime. Kreditë e këqija vijojnë të jenë në nivele të larta dhe likuidimi i një pjese të borxhit që qeveria i kishte sektorit privat, nuk u reflektua me rritjen e investimeve. Ndaj, që të zhvillojmë një ekonomi, është e nevojshme të zgjidhim problemin e plotësimit të kërkesës që tregu ka përpara dhe njëkohësisht të rriten investimet, të cilat do të gjeneronin vende të reja pune, do të rritnin të ardhurat dhe konsumin, duke bërë që niveli ekonomik të jetë më i lartë.
Deri tani ekonomia shqiptare ka ecur duke u mbështetur në recetat e FMN-së dhe në bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare. Për sa kohë tranzicioni ekonomik do të vazhdojë nuk mund të kemi një model ekonomik shqiptar, qoftë të ri apo edhe të huazuar. Edhe pse kanë filluar të ndihen lehtë efektet e reformave të qeverisë, që kanë sjellë sipas raporteve të Bankës Botërore një rritje ekonomike në Shqipëri, sërish themi se mbetet shumë punë për t’u bërë. Në Shqipëri kemi fillesat e reformës për të zhvilluar ekonominë, por nuk mund të themi se është krijuar një model ekonomik, aq më tepër një model i ri ekonomik.