Home KRYESORE Ambasadorët dhe lojërat politike me reformën në drejtësi

Ambasadorët dhe lojërat politike me reformën në drejtësi

Nga Mimoza Kociu

Po bëhet i lodhshëm ky testi foshnjarak publik, se kush kundërshton mënyrën se si po bëhet reforma në drejtësi qenka më së paku antiperëndimor e hajdut, e kush e miratoka në heshtje, qenka një lider suedez, si në pikëpamje ashtu edhe në veprime, nga ata që edhe drekën e marrin nga shtëpia për ta konsumuar në zyrë. Ndërkohë që asnjë emër nuk po i vihet kujt po i shkel syrin, në rolin e indiferentit, shfrytëzimit të fuqisë numerike edhe në rastin e kësaj reforme kaq të rëndësishme. Prandaj, duke mos e pranuar një kategorizim të tillë për një klasë politike, që pasqyrë të vetme ka reflektimet njerëzore në Kuvendin e Sshqipërisë, duhet ndalur pak në mënyrën se si po shkojnë gjërat, në aspektin formal, që anashkalohet nëpër analiza e deklarata publike.

Që aktorët politikë po e zvarrisin reformën në drejtësi, e bashkë me të edhe vetë dyshen e ambasadorëve që po e nxit këtë reformë, kjo është një histori e stërparë në këto 25 vjet, e ne gazetarët, ashtu si vetë qytetarët thjesht po bëhemi dëshmitarë e raportues të kulisave politike pa ndroje nga ndërkombëtarët. Ka të paktën dy mësime që na I sjell tradita e kaluar. Së pari se një reformë nuk ka shanse të bëhet jashtë politikës.

E së dyti se palët nuk i besojnë aspak njëra-tjetrës, pasi njihen me dhëmbë e dhëmballë. Por duhet pranuar se krejt i paparë dhe record absolut në 20 e kusur vjet është mosbesimi akoma më I fortë që ekziston brenda të njëjtit koalicion qeverisës. Troc, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk ia kanë besën reciprokisht njëri-tjetrit. Pushteti duhet të jetë një afrodiziak vërtetë magjik, që i mban me gajret, teksa edhe kur japin dorën, tjetrën e kanë nga pas, të gatshme për sulm a mbrojtje.

Në këtë panoramë, nuk është aspak për t’u habitur që palët besojnë më shumë tek ekspertët e Komisionit të Venecias, sesa tek ekspertët e kontraktuar nga komisioni Xhafa, edhe pse mes tyre ka juristë amerikanë e europianë.

lulzim-basha-donald-luPër definicion të të qenit në opozitë, Partia Demokratike e Lulzim Bashës ishte e para që e shpalli ekspertizën e Venecias, si garante të ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi. Të paktën publikisht opozita po mbetet konseguente në qëndrimet e saj, duke kërkuar vetëm reflektimin e atyre rekomandimeve në propozimet për reformën në drejtësi. Nëse ky qëndrim I opozitës shkon kundër draftit të parë e të dytë të ekspertëve të kontraktuar nga komisioni Xhafa për këtë reformë, duhet lexuar gjithashtu se edhe partneri bashkëqeverisës LSI, duket po aq mosbesues sa opozita ndaj drafteve të ekspertëve të kontraktuar.

Ndërsa Edi Rama kryeministër shprehej se as nuk e kishte lexuar draftin e ekspertëve, cka më shumë është mungesë serioziteti, se besueshmëri sinqeriteti, Ilir Meta me eksperiencën e gjatë politike, përgatiste dy oponenca, një nga partia, përmes Spartak Brahos, e një tjetër si bashkëqeverisës, përmes Ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. Koincidenca e qëndrimeve me opozitën, e organizuar apo jo, flirt i rradhës, dashuri e vjetër, a e ardhshme, ka pak rëndësi përballë asaj që dukshëm mungon: një konsensus politik për këtë reformë, edhe brenda vetë mazhorancës. E këtë duhet ta lexojnë qartë edhe vetë partnerët e nderuar ndërkombëtarë, për të kuptuar se për shkak të terrenit pjellor mosbesues, por edhe mjeshtërisë politike për maksimizim përfitimesh, edhe vetë ekspertët e Venecias po të ishin angazhuar në Tiranë, sërish nuk do I bashkonin dot palët, për shkak të “efektit” ndikues të kontraktuesit të tyre, actor I përfshirë në process.

Kjo është arsyeja që Venecia u gjithëpranua si garante dhjetorin e kaluar, madje edhe nga shoqatat e profesionistëve të drejtësisë, duke e mbyllur me shumë optimizëm vitin 2015, për konsensusin e rëndësishëm politik të arritur.

Nga ana tjetër, nëse Venecia paraqiti mbi 130 rekomandime për draftin e ekspërtevë të kontraktuar, bazuar edhe në vërejtjet e PD-së e LSI-së, kjo do thotë se edhe ekspertët te kontraktuar, me shumë respekt për përvojën e tyre, të vetëm nuk bëkan cudira ligjore, sepse iu dashka edhe përvoja e ekspertëve partiakë, që njohin si ligjin, ashtu edhe politikën.

E kur palët i drejtohen Komisionit të Venecias, një organizëm ndërkombëtar këshillimor, duket e cuditshme reflektimi i pjesshëm i rekomandimeve të saj në draftin e ri të ekspertëve të kontraktuar. Cka solli distancimin për herë të dytë brenda pak ditëve, të tre aktorëve kryesorë nga njëri tjetri, dy nga të cilët në koalicion qeverisës. Aq të distancuar janë së pari dy partnerët bashkëqeverisës, sa ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin, po shpenzojnë kohë dhe energji për t’i takuar shpesh dhe fizikisht si kryeministrin ashtu edhe kryetarin e kuvendit, ditën e natën në zyrat e tyre, jo së bashku, por vec e vec, një tjetër detaj që tregon se as komunikimi në parim, nuk I bashkon dot përballë ndërkombëtarëve.

RAMA META NE KONFERENCE - Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, pas nje konference te perbashket shtypi, ku kane komentuar ne lidhje me zgjedhjet lokale te 21 qershorit. /r/n/r/nRAMA AND META IN CONFERENCE - Prime Minister Edi Rama and Parliament Speaker Ilir Meta, during a press conference, where have commented for local elections on 21 June.

Nga ana tjetër, nuk po shohim të paktën publikisht të njëjtën sjellje të ambasadorëve me opozitën, megjithë zërat e caktuar publikë që e shënjestrojnë si pengesë të reformës, pasi ka qenë mazhorancë e djeshme.

Përtej këtyre trukeve, duhet thënë se edhe për një demokraci të re si Shqipëria, është e turpshme që një reformë për të cilën, palët kanë nga pas mbështetjen e plotë të opinionit public, të zvarritet kësisoj. Një drejtësi e nënshtruar nga politika, e blerë prej saj, apo e shndërruar në një zanat fitimprurës, janë detaje të njohura që kanë prodhuar një realitet që po vret jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e këtij vendi: korrupsion në nivele të larta dhe një tradite kokëfortë të pandëshkueshmërisë.

Si qytetarë, duhet të ndihemi me shumë fat që politika është e detyruar të lëshojë pak nga sovraniteti i saj vendimmarrës, duke i pranuar ambasadorët si aktorë të pazëvendësueshëm në kryerjen e kësaj reforme, hartimi dhe zbatimi I së cilës, më së pari duhet na kthejë të gjithëve shpresën që e kemi humbur, se ky vend mund të bëhet.

E nëse ambasadorët do ia dalin t’i orientojnë palët drejt ekspertizës që vetë e kanë pranuar, asaj të paraqitur nga Komisioni i Venecias, suksesi nuk do vonojë. Idetë që gjoja po bashkojnë dy aleatët bashkëqeverisës për t’iu drejtuar popullit me referendum, vendimmarrja e të cilit në parlament për ironi kërkon të njëjtin numër votash sa edhe ndryshimet kushtetuese, janë më së paku taktika për ta zvarritur këtë process përmes burokracive të gjata të përgatitjes së një referendum, apo presione të rradhës brenda koalicionit.

Share: