Nga Entela KASi
Atje në shtëpinë e prindërve të mi në fshat, në kodrën që të drejton kah mali i Moravës, gjendet një tunel, një tip vendstrehimi për kohë lufte, i ndërtuar në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar dhe e rrethuar me vetveten sfidonte rrezikun e madh botëror. Sot, janë ende në modë bunkerët dhe kërpudhat. Them të kultivoj ca kërpudha aty brenda, pasi trustin e lulelakrës e ka përkufizuar qartë Brehti, tek Arturo Ui….
Sigurisht që nuk do të mungojë ajri i pastër i Moravës, ku herë pas here do të ngjitem për të lexuar Njeriun e natyrës, së Rusoit, për të kuptuar qytetarin shqiptar të shekullit të XXI….Nuk besoj që ky status të lexohet si ”˜ arrati, agjitacion dhe propagandë apo sabotim’.
Pas publikimit të statusit tim të lartpërmendur nga mediat shqiptare online, gazetarja Sh. M, e gazetës Shqip, mu drejtua pikërisht me këtë pyetje që unë po e sjell më poshtë. Pas pyetjes të saj në atë mbrëmje i dhashë këtë përgjigje të shkurtër.
Sh. M.- Prej disa orësh në mediat sociale qarkullon lajmi se jeni shkarkuar nga detyra. MAS pretendon zyrtarisht se motivacioni që e çoi DAR Tiranë në marrjen e këtij vendimi, është fakti që ju nuk jeni paraqitur në mësim as dy javë përpara se të publikonit letrën drejtuar kryeministrit Rama dhe as dy muaj pas publikimit të saj. Burime zyrtare në këtë institucion pretendojnë se iu është komunikuar vazhdimisht që duhet të ktheheni në shkollë, por që sipas tyre nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje nga ju, shkaku që çoi në shkarkimin tuaj nga detyra, në shkollën “Qemal Stafa”.
Ku konsiston e vërteta? Pse ky vendim për largimin tuaj nga puna, pas një jete përvojë në arsim?
E. K : Pyetjes tuaj në lidhje me vendimin për largimin tim nga puna pas një përvoje në arsim duhet ti përgjigjen drejtuesit e Institucioneve të Arsimit në Shqipëri. Mbase ju si media duhet të bëni investigimin tuaj, në shërbim të së vërtetës.
Sot e shoh të arsyeshme ti përgjigjem pyetjeve të shumta që mund të kenë mediat për këtë çështje.
MAS sipas referencës që jep paska pretendimin se unë nuk jam paraqitur në punë dy javë para publikimit të letrës drejtuar kryeministrit dhe publikut. Letra është publikuar në datën 25.11.2015. Unë nuk jam paraqitur në punë në datën 23.11.2015, dhe po atë ditë kam njoftuar Institucionin të merrte masa për zëvendësimin e orëve të mia mësimore, për të mos pasur kosto mungesa ime tek nxënësit. Ndërkohë kisha një problem shëndetësor dhe isha me raport mjekësor, të cilin ju mund ta verifikoni në shërbimin e mjekut të familjes. Data 23 dhe 25 krijojnë një diferencë prej dy ditësh, jo dy javësh.
Në letrën time publike i kam kërkuar institucioneve ta lexojnë dhe po atje kam shkruar se nuk i kthehesha ushtrimit të detyrës deri sa prej atij institucioni të largosheshin drejtuesit të cilët nuk krijonin thjesht një shqetësim personal por një shqetësim publik.
Kam pritur që të ketë reagim zyrtar dhe publik, gjë që nuk ndodhi. Duke cituar titullaren në intervistën e saj në TV News 24, të dt. 26. 11. 2015 ajo pretendon se nuk ka dijeni për gjëra të cilat unë I kisha bërë publike, madje ajo thekson se është e ofenduar prej letrës sime, ndërkohë që isha një mësuese me vlerësim shumë mirë nga drejtoria e shkollës. Për më tepër më prisnin të kthehesha në punë ditën e hënë, ndërsa shkolla fillonte ditën e martë për shkak të pushimeve të festave të Nëntorit.
Në fund të intervistës ajo u shpreh për dosjet e diktaturës. Po ju sqaroj edhe një herë, unë nuk kthehesha në punë deri ditën që do të largoheshin individët që përmendja si shembull konkret në atë letër zyrtare, e përveç kësaj unë nuk mund të kthehesha në institucion integriteti i të cilit po vihej në dyshim pikërisht prej drejtuesve të tij.
Ajo thotë në media që nuk ka dijeni! Unë kam një pyetje publike për të, të njëjtën pyetje që i kam ndërtuar në mëngjesin e ditës së hënë, dt 2. 11.2015, së cilës ajo nuk pati kohë apo dëshirë të përgjigjej.
Në datën 1.11.2015, në orën 21:01, ditën e diel, në telefonin tim mbërriti pikërisht ky mesazh: ”˜Nesër, të dielën, brenda orës 10 të sjellësh në shkollë të gjitha dokumentet që u kemi kërkuar të gjithë mësueseve ku ju jeni nga të vetmet që nuk jeni treguar korrekte, duke na penguar si drejtori për të kryer detyrat.’
Si e kisha penguar unë institucionin? Cila ishte karta ime e performancës ne lidhje me korrektesën për të cilën akuzohesha po nga drejtoria? Dhe cilat ishin këto dokumente që duhej ti dorëzoja në ditën e diel, e cila ishte ditë pushimi? Përse një mesazh i tillë më dërgohej në emër të drejtorisë së gjimnazit në mbrëmje vonë? Cili ishte qëndrimi zyrtar i drejtuesve për këtë çështje të cilën duhej të ma sqaronte me shkrim, dhe përse ajo asnjëherë nuk iu përgjigj zyrtarisht kërkesës që i bëra unë?
Po atë ditë, pas mbarimit të mësimit në turnin e paradites, unë isha duke fotokopjuar në Sekretarinë e shkollës disa dokumente pune që na ishin kërkuar ti plotësonim e dorëzonim brenda ditës. Bashkëdrejtuesi i institucionit, dërguesi i mesazhit që citova më lart, nuk e pati aspak problem të shkelte të gjitha rregullat e etikës, duke më ulëritur në fytyrë në mes të kolegëve që prisnin radhën për të përdorur fotokopjen, në mënyrën më banale të mundshme, ( ndërsa tymi i duhanit po i përzihej me alkoolin që kishte konsumuar).
Sa herë kishte njoftuar drejtoria, prindërit e gjimnazistëve që konsumonin duhan duke i kujtuar gjobat që duhet të paguanin sipas ligjit anti – duhan, dhe përse asnjëherë kjo drejtori nuk I kujtoi nëndrejtorit të Institucionit zyrtarisht se ai po shkelte të njëjtin ligj që e thyenin minorenët? Përse qytetarët shqiptarë nuk ishin të barabartë përballë ligjit?
Me çfarë morali ky staf drejtues, pasi thyente ligjet e shtetit, iu kujtonte zyrtarisht ligjet e shtetit komunitetit dhe gjimnazistëve të Shkollës ”˜Qemal Stafa’?
Pse ky staf kishte fuqi të mbyllte derën e shkollës para orës 8:00 dhe linte për gjashtë orë të tëra jashtë shkollës gjimnazistët duke na kërkuar të vendosnim 6 mungesa ditore ndërsa nxënësit ishin lënë jashtë derës po prej nesh?
OBazuar në cilin ligj të Republikës së Shqipërisë ky anëtar i stafit drejtues ngrinte zërin dhe fyente brenda institucionit komunitetin të cilit duhej ti shërbehej? Për atë se çfarë bënte ky individ brenda zyrës së tij me nxënësit apo prindërit e tyre nuk mundem të flas unë. Kjo u takon atyre!
Nëse drejtoria nuk ka dijeni, le ti kthehet dokumenteve të punës, mbledhjeve me protokoll të mbajtura nga sekretaria, po ashtu edhe bllokut të shënimeve të individit në fjalë apo edhe dokumenteve të saj zyrtare dhe jozyrtare. Unë po i sjell në vëmendje vetëm një dokument zyrtar, raportin e drejtorisë së shkollës për këshillin pedagogjik i cili ishte analiza e punës një vjeçare të institucionit. Isha e listuar në vendin e parë për mungesa në punë, ndërsa kisha munguar rreth dy javë të plota në një vit për arsye serioze të shëndetit, dhe këto ky dokument nuk e specifikonte aspak.
Pas kësaj, në fund të mbledhjes, nëndrejtori , u ngrit dhe me zë të lartë tha: Në këtë shkollë ka mësues që e marrin rrogën kot! Ndërsa ai fyente mësues të caktuar, titullarja e pa shqetësuar për këtë akuzë publike të bashkëdrejtuesit jo vetëm që heshti, por as që mbajti qëndrim zyrtar, për ta përgënjeshtruar me kartën e performancës të mësuesve, të cilët ai nënkuptonte apo akuzonte.
Sot unë e kam përsëri të njëjtën pyetje: Cilët janë mësuesit që e marrin rrogën kot duke i shkaktuar një dëm kaq të madh Gjimnazit ”˜Qemal Stafa’ , buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë?
Këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje. Dikush duhet ti përgjigjet zyrtarisht pyetjeve të mia. Dhe para se ti përgjigjet le të marrë kohën e duhur. Kështu do ti shërbehej jo vetëm së vërtetës, për çka unë citoj në letrën time publike, por do të krijohej mundësia që ngjarje të tilla të merrnin një herë e përgjithmonë fund në arsimin shqiptar të vitit 2016. Shqetësimi im është nuk është personal, por publik.