Nga Luela Myftari
Art në trup. Atë nuk mund ta bëjnë të gjithë. Tatuazhet sot gjithnjë e më shumë perfeksionohen. Besomëni, në Shqipëri, e kryesisht në kryeqytet sheh gjumtyrë që përcjellin vërtet art. Dhe ishte një ditë e zakonshme kur në kryeqytet shoh një djalë të ri, që në krahun e tij kishte ingranazhet e një motori, që në fakt të jepnin idenë se nga momenti në moment do të fillonin të punonin. Ishin aq reale ato ingranazhe sa që të bënin të mendojë se në krahun e tij ishte ndërprerë (pause) një film 3D. Nuk e mora guximin ta pyes se ku e kishte realizuar ky djalë atë tatuazh, sepse isha e bindur se ai që e kishte realizuar nuk ishte shqiptar. Pak kohë më vonë, një miku im më prezanton virtualisht me artin e një njeriu që quhej Klodian Luca. Ai nuk jetonte në Shqipëri, por si fillim për së largu mund ta shijoja atë lloj arti. E sigurisht që, pranova të lundroj në fotografitë që Klodian Luca paraqiste një lloj tatuazhi ndryshe. Në fotografinë e katërt, shoh një tatuazh në gjoksin e një mashkulli. Ishte një fushë shahu dhe dy njerëz që “luftonin” mbi të.
Fitorja i mbetej Klod Lucës në këtë rast. Fusha e shahut kishte thellësinë dhe vazhdimësinë e asaj që kishte ajo sekuencë filmi që kisha parë një vit më parë në krahun e atij djalit. Po, përpiqesha midis qindra fotografive të gjeja ingranazhet e atij djali, por gjeta shumë më shumë në profilin e këtij të riu që quhej Klodian Luca. Nuk kaloi shumë kohë që t’i kërkoja një takim. Doja patjetër ta prezantoja artin e tij te një publik më i gjerë. Zbulova paraprakisht se, mediet e huaja kishin shkruar për të. Shumica e shkrimeve ishin në greqisht, por kishte edhe të tjera në anglisht. U lidha me të. Fatkeqësisht jetonte dhe punonte në Greqi, por shumë shpejt do të vinte në Shqipëri. Nuk e di se si, por gjithnjë kishte diçka që e bënte Klodin të vinte e të ikte shumë shpejt nga Greqia.Takimi ynë ndodhi një vit pasi isha prezantuar me të dhe me artin e tij virtualisht dhe më shumë se dy vjet, që nga koha kur për herë të parë më tronditi ajo që unë e quaj tatuazhi 3D, kur Luca, thjesht një tatuazh me thellësi, një tatuazh voluminoz. Sot, po ua prezantoj edhe juve.
Ai ka rreth 25 vjet që realizon tatuazhe. E ka nisur në Shqipëri, por famën më të madhe e ka marrë në Greqi. Për një kohë të gjatë ka bërë luftë me veten, me shkollimin, me kapërcimin e të gjitha vështirësive që ka emigrimi, në një vend si Greqia dhe më pas rikthimi në vendin tënd. Klodian Luca ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve për pikturë. Por, nisja e një rrugëtimi drejt tatuazheve rreth 25 vjet më parë ishte më e vështirë. Të mposhte tabutë e një djali që kishte mbaruar një shkollë arti dhe që punonte “duke zhgarravitur” trupat e njerëzve, sipas shijeve të tyre të çuditshme, ishte për të e tmerrshme, pasi edhe përzgjedhjet e dikurshme të tatuazheve ishin të çuditshme. Dikush zgjidhte të bënte një tank dhe dikush tjetër vitin e ushtrisë, por ka pasur edhe nga ata që shkruanin vitet e burgut. Sot, pas shumë vjetësh ai vlen të quhet një profesionist në këtë fushë. Emri i tij është lakuar në mediet greke dhe studioja ku ai i realizonte këto tatuazhe është shumë e njohur. Tani është kthyer në Shqipëri dhe së bashku me disa të rinj të zgjedhur, ka vendosur që të hapë një studio të vetën. “Shekulli” ua përcjell sot përpjekjet dhe artin e tij, përmes kësaj interviste dhe përmes një seti fotografik. Ky i fundit ishte edhe më i vështirë, pasi shumë nga tatuazhet e realizuara prej Lucës kishin art brenda.
Pikturë në letër dhe piktura në trup… Si ka ndodhur ky kapërcim në krijimtarinë dhe punën tënde?
Unë e nisa Akademinë e Arteve në Tiranë, mirëpo këtu bëra vetëm dy vjet. Dy të tjera i përfundova në Firence të Italisë. Nisa të realizoja tatuazhe që në Shqipëri, ekzaktësisht kur isha 18 vjeç. Në fillim e bëja për lekë. Më duheshin para dhe më vjen keq ta pranoj që unë nuk e kam dashur këtë punë më parë. Nuk e konceptoja dot se si po bëja tatoo, kur në fakt kisha studiuar për art të mirëfilltë. Për një kohë shumë të gjatë realizimin e tatuazheve e kam konsideruar thjesht një punë, derisa kuptova se me to duhet të bëja art. Në vitin 1994, largohem në Greqi me pushime, por më pas kthehem sërish aty për të punuar. Edhe aty realizoja tatoo. Për mua ishte një punë e thjeshtë, por kalimi në Greqi më bëri mirë. Nuk kishte më kërkesa të çuditshme për tatoo si në Shqipëri, që kërkonin vitin e ushtrisë, por kishte edhe më shuam hapësirë për imagjinatën tënde. Kështu që nga koha kur unë kam filluar të realizoj pikturat e mia, imagjinatën time, artin që më buron nga vetja, që atëherë kam filluar ta dua realizimin e tatuazheve dhe të mos e quaj thjesht një punë.
Po sot si janë shqiptarët në lidhje me tatuazhet? Kanë akoma kërkesa të çuditshme, ndoshta edhe të bezdisshme për ju?
Jo, gjërat kanë ndryshuar. Ata që e njohin punën time qoftë edhe vetëm nëpërmjet Facebook-ut apo internetit nuk kanë teka, por besojnë në disa piktura që do t’i propozoj unë, apo sugjerimet që do t’i jap pasi ata të më shpjegojnë se në çfarë duhet të fokusohemi. Sigurisht që ka nga ata që kërkojnë akoma inicialet e dikujt apo një shkrim dore, një flutur të vockël. Dhe këto do të jenë gjithnjë kërkesa të zakonshme, por jo të çuditshme. Përpiqem që këto realizime t’ia lë një prej profesionistëve që kam në krah. Në këtë mënyrë unë mund pikturoj diçka në bllokun tim, që më vonë do ta kthej në një tatoo, nëse personi që vjen për një tatoo kërkon sugjerime.Cilat janë kërkesat më të çuditshme që të kanë mbërritur? Dy rastet që do t’ju tregoj janë nga djemtë, sepse vajzat zgjedhin gjëra pak më të thjeshta. Një djalë erdhi me fotografinë e nënës në dorë dhe më kërkoi portretin e saj në krah. Dhe sigurisht që do t’ia realizoja. Pa e nisur mirë më tha. Të lutem ma qeth pak mamin se tani që i ka prerë flokët të shkurtra ngjan më bukur. Është e çuditshme, por edhe më e vështirë është të gjesh modelin e flokëve të shkurtër të nënës së dikujt. Rasti i dytë është realizimi i një elefanti në pjesën e fundit të barkut të një djali, i cili kishte vendosur që vetëm noçkën e elefantit mos ta realizonte. Të tilla, raste të çuditshme ka pas 24 vjetësh punë, por kjo është edhe e bukura: bën çdo ditë diçka ndryshe.
Tendenca e kohëve të fundit është realizimi i portretit të një ikone, të një idhulli. E keni të vështirë të realizoni portrete në trup?
Jo, në fakt. Madje kjo është një nga ato pjesë që më pëlqen në punën që bëj, e sidomos kur bëhet fjalë për idhuj. Ajnshtajni është një ndër të fundit që kam realizuar. Salvador Dalisë i kam zgjatur pak mustaqet se ka raste që e lejoj edhe surrealizmin tim që të veprojë në portretet që realizoj, sigurisht pa iu larguar imazhit të tij. Është e vërtetë se idhujt janë tashmë tendencë në tatoo.
Çfarë të duhet për të bërë një tatuazh, apo gjithkush mund ta bëjë?
Nuk duhet të jetë anemik, nuk duhet të vuajë nga diabeti, nuk duhet të vuajë nga zemra, nuk duhet të jetë kockë dhe lëkurë. Nuk duhet të vij në studio pa ngrënë dhe sigurisht nuk duhet të ketë konsumuar alkool gjatë dy apo tre ditëve të fundit. Ndonjëherë nevojitet edhe kontrolli i lëkurës dhe i nishaneve. Por, kjo kuptohet me sy nga profesionisti. Nëse ai dyshon se tatuazhet janë problematikë, i kërkon një leje nga mjeku. Të gjitha këto vlejnë edhe në punën time.