Home KRYESORE Axh’ Pjerini

Axh’ Pjerini

Nga Edison Ypi

Axh’ Pjerini asht div, asht vigan. Nji her’ me e pa Axhën, kurrë nuk e harron.
Lis i lartë e i fortë, Axha ka ardh drejt e prej Epeve, drejt e prej telit t’dridhshëm t’lahutës nën gishtat e lahutarit mjeshtër.
Shumçka asht Axha, por, kuadratisht e rrethnisht, sferikisht e përsosmërisht, për s’pari e për s’fundmi, Axha asht shqiptar, asht shkodran, asht’ kristian.
Axha e don Shkodrën sa s’thuhet, sa s’flitet, sa s’shkruhet ,sa s’klithet.
Po aq Shkodra e don Axhën.
Axha e njeh Shkodrën me pëllëmbë. Krejt portat, rrugicat, familjet, luftat, paqet, hallet, sherret, gzimet, lumnimet, e krejt Shkodrës prej kaherit.
Axha për Shkodrën asht si Rozafa për Shkodrën.
Madje Axha për Shkodrën asht edhe ma tepër. Se Axha asht prej mishi, e Rozafa prej guri.
Shko n’Rozaf, shif Shkodrën.
Shko n’Shkodër shif Axhën.
Fol me Axhën, njih shqiptarin.
Jeta e Axhës ?
Jeta e Axhës asht Jeta që vuan por s’vdes. Jeta e luftës mbi ligësinë, dreqninë. Jeta e dashurisë për tjetrin. Jeta e trimit. Jeta e t’pamposhtunit që u jep zemër të dobtëve , që t’mson se nuk ka pranga që nuk këputen, nuk ka zinxhirë që nuk shkatrrohen, nuk ka dhimbje, që nuk durohet, nuk ka vuajtje që nuk shërohet.
Jeta e Axh’ Pjerinit asht Jeta e urrejtjes për ata që premtuan lirinë dhe sollën skllavërinë, premtuan begatinë dhe sollën fukarallëkun, premtuan ndershmërinë dhe sollën hajdutllëkun, imoralitetin dhe krejt dreqnit e botës.
Axha i don njëlloj dhe pa asnjë kusht krejt shqiptarët, krejt Shqipërinë, krejt shqiptarinë. Aty ku janë, ashtu si janë. Me t’mira e me t’liga. Me bukurina e shëmtina. Me fabardhsina e fatkeqsina.
Njohës i thellë i Dantes, Shekspirit, Dostojevskit, Axha di përmendësh krejt Fishtën, Mjedën, pothuaj krejt Komedinë Hyjnore.
Axha i smun ?
Axha n’shtrat ?
Jo Kurr’ !
Nuk munet Axha me u smun.
Nuk munet Axha me u shtri n’shtrat.
Ça asht aj’ shtrat që t’man ty Axh ? Toka mezi t’man ty Axh. Cukali thërrmohet nën këmbët e tua. Rozafa hesht po ia bane i shej. Kiri thahet po i the. Dallandyshet n’dimër kthehen prej shtegtimi po i ftove.
Çou Axh’ prej shtrati.
Çou bre.
Kët’ çast.
Çou t’thash’.
Çou si din ti; Porsi ushtima e njij tërmeti.
Çou Axh’, se asht nji Zot që do ta dona, njaj që jetën na ka dhanun.
Çou Axh’. Eja ti fisniku i veriut me mu fisnikun e jugut ta pim nji kafe. Thirre ti shkodrani nji nga lindja, nga Prishtina. Po e thrres un’ kolonjari nji nga perëndimi, nga Çamëria. Hajt ta bajm nji kryq shqiptarie fije-fije fisnikërie. Do flasim e do qeshim me marrinat e sotme. Me kta ujqër që kan ndërru lkur’, kta sojsiza, kta bastarda që Shqipërinë e dun vetëm për me e vjedh. Hajt t’qeshim me kta horra. Hajt pra, ne që s’ngutemi për kurrgja, t’tallemi me ata që nguten për gjithçka, zengjinët e rinj. T’i msojm si të blejn me paret e vjedhme; Nji mjek që t’ua mundsoj t’rrojn dyqint vjet, muzgun mbi Bunë, mjegullën e liqerit, dborën e Dukagjinit, besën e malcorit, tingujt e lahutës dhe ate për të cilën kan’ nevoj’ ma tepër, at’ pikën e lotit, at’ që bjen prej vetvetiut kur hyn n’Shkodrën e sotme plot me gra veshun me t’zeza.
Asht herët Axh’ me u smun ti. Leni shkamijt e Malcis me u smun ata para teje. Kemi plot gjana përpara për t’bamun e për t’pamun Axh’. Shqipnia asht plot me emra rrugësh e shkollash t’kriminelave që vranë shqiptarët.
Ta dish sa m’ka marr malli për ty Axh’. Sa shum’ kemi për t’thon Axh’.
Ah sa do gzohem un duke pi kafe e duke fol me ty Axh, kur ti, si e ke zakon, t’i bish leht me dor tavolinës e t’thush t’u buzqesh: Sa bukur, Zoti asht i madh.
Fatzi, dhe, si gjithmonë tragjikisht i keqkuptuar, përsosmërish i bindur se miku im Pjerin Deda nuk ishte aspak i sëmurë por tmerrësisht i lodhur, e mbarova këtë shkrim vetëm pak minuta pasi Axh Pjerini ishte larguar nga kjo jetë, në tjetrën.

Share: