Nga Artan Fuga
Do ta mbaj mend, asnjehere nuk do ta harroj, si vitin kur perfaqesues të lartë të pushtetit dhe të sektorit ku punoj, nga tribuna mbledhjesh publike, apo edhe nga foltorja e lartë e parlamentit shqiptar, drejtperdrejt ose terthorazi, duke shperdorur fuqine ekzekutive dhe etikën civile, hodhen sharje, fyerje, shpifje dhe kërcënime ndaj meje si person, por jo vetem, në statusin tim të Profesorit dhe Akademikut.
Besoj se që nga themelimi i shtetit të Shqipërisë nuk eshte pare që te ndodhi që të shfrytëzohet foltorja politike e Kuvendit të Shqipërisë për te shfryrë ndaj një intelektuali, pedagogu e kerkuesi shkencor, thjesht për pikëpamjet e tij dhe pastaj edhe mbi profesoratin shqiptar që nuk pranoi të rreshtohet me komandën…
Ata janë gjithçka sepse janë shteti, unë thjesht një individ me ca mendime në kokë.
Pse kjo frikë dhe ky alarm?
Po ashtu miqtë ose shërbyesit e tyre orkestruan një fushatë denigrimi dhe shpifjesh me anonimë të paguar ose vullnetarë, te genjyer ose skllever ne trup e ne shpirt, lloj lloj mekataresh.
Dhe përse e gjitha kjo?
Sepse si qytetar, si profesor, si kërkues shkencor, si pedagog i brezit të ri guxova t’i them : “JO”, pa ndrojtje dhe hezitim, pa asnjë ngjyrim politik ose lidhje e frymëzim partiak, thjesht teknikisht, që në 30 minutat e para pasi e lexova duke zënë kokën me duar, projektit të ligjit për arsimin e lartë që vazhdoj ta konsideroj krejt të gabuar, klientelist, të prapambetur, pa nivel kulturor, dhe që e dënon rininë shqiptare me padije.
Ngjizja, origjina, mekanizmat e procedurave të tij, interesat pas tij, kulisat, buxhetet e harxhuara për ta shtyrë ate drejt votimit, janë skandaloze. Unë i di të gjitha.
Në fakt as heroizëm nuk bëra as ndonjë guxim nuk duhej. Ose jemi në demokraci dhe çdokush ka të drejtën e kundërshtimit dhe të respektohet si kundërshtar, ose jemi në periudhën e ligjit penal, neni 55, i kodit të vjetër.
Ata mbase e kanë harruar, sepse ai ose ajo që tejkalon të drejtat me anë të forcës dhe shkel me patkojtë e kalit ku ka hipur këmbësorët që kryqëzon në rrugë, nuk shohin se çfarë bëjnë, por unë nuk e anashkaloj me kurrë këtë test që mat natyrën e forcës që ushtrohet si pushtet.
Nuk kam asnjë mllef, veçse trishtim, por edhe vendosmëri për ta pritur fundin e historisë. Historia është si përrallat, në fund gjithmonë mbyllet për mirë.
Mos ketë kush iluzionin se mund të ndodhi ndryshe. Më kanë sjellë personalisht vetëm gëzim dhe energji duke u perpjekur te hedhin mbi dikece te tjere rrebeshe uji me akull.
Në planin personal nuk kam asnjë mllef a armiqësi, madje janë krejt të falur. Bënë atë që ditën, apo atë që nuk ditën të bëjnë!
Në të dyja rastet nuk kanë faj.
Por edhe trishtim, nuk e mohoj, sepse më vjen keq që u rikonfirmua për të mijtën herë që pushteti është si forca e ujit që zbret nga lart poshtë, duhen diga për ta vetëpërmbajtur, sepse pa diga, ai ujë përmbyt gjithçka. Automjeti pa frena që zbret rrëpirën nga lart – poshtë dëmton edhe udhëtarët që merr përpara, por ne fund edhe shoferin e vet.
Por, e gjitha propaganda vjetore kundër meje, si ajo kundër doktor Zhivagos, që përshkruan aq bukur Pasternaku në librin e tij të censuruar në kohën staliniane, nuk më ka dhënë veçse durimin dhe forcen për ta pritur historinë deri në fundin e saj.
Shperdoruesit e pushtetit me mua, sikur ta kishin mall personal dhe jo detyre te ngarkuar nga ne qytetaret, harruan fatkeqësisht që veç parimit hyjnor të Hipokratit që e detyron mjekun t’i qendrojë me çdo kusht te koka të sëmurit, është edhe parimi i Sokratit që e detyron filozofin të jetë besnik deri në fund i së vërtetës, dhe në këto kushte të pranojë pa u qarë, por me gëzim e qetësi absolute, si gjendje normale dhe konfirmimi i vetvetes, pikërisht furinë e akuzave dhe sharjeve e mallkimeve kundër tij.
Ardhshi të bardha !
Prandaj kanë gabuar…
Unë do t’i qendroj besnik me gëzim, për detyrë dhe për hobi qytetarit, miqve, studentëve, kolegëve!