Home KRYESORE Ekonomia shqiptare drejt vitit 2016

Ekonomia shqiptare drejt vitit 2016

Nga Dr. Enriko Ceko

U bënë rreth 10 herë me radhë që, në fund të vitit dhe / ose në fillim të vitit tjetër, unë hedh në letër idetë për ecurinë e ekonomisë për vitin që do vijë apo vitin që sapo ka ardhur. Më vjen mirë që për tërë këtë periudhë pikëpamjet e mija personale dhe / ose parashikimet për të ardhmen afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare dhe të rajonit kanë qenë në përgjithësi të sakta dhe specifikisht pikëpamjet dhe parashikimet për rritjen ekonomike, borxhin publik, deficitin buxhetor, inflaconin, kursin e këmbimit, normat e interesit, etj.

Dua të shtoj në këtë pikë se pikëpamjet e mija personale kanë qenë diametralisht të kundërta me ato të disa analistëve që edhe pse kanë vite me radhë që pretendojnë se janë pedagogë universitetesh dhe që kanë drejtuar për vite me radhë institucionet më të rëndësishme ekonomike dhe financiare në vend, vazhdojnë ende të dalin në publik pa asnjë pikë turpi për të dhënë mendime, ide dhe receta, tashmë të vjetëruara, se si mund dhe duhet të ishte apo se si mund dhe duhet të jetë për tani dhe për të ardhmen e afërt dhe të largët ekonomia dhe financat shqiptare.

Për vitin 2016 mendoj se gjendja ekonomike në variantin më të mirë do jetë njësoj si ajo e vitit 2015. Parametrat makroekonomikë, që trumbetohen prej mëse 20 vitesh nga qeverisjet e ndryshme se janë me përmirësim, do vijnë përsëri në përkeqësim dhe parë në këndvështrimin mikroekonomik, agjentët ekonomikë (individët, familjet, bizneset dhe qeveria) do e kenë shumë të vështirë që të orientohen drejt në një tregu të amullt dhe të pasigurt.

Kjo sepse gjendja ekonomike në përgjithësi e agjentëve ekonomike është në varësi të kushteve dhe problematikës së çështjeve të sistemit të drejtësisë, pronësisë, nivelit të korrupsionit dhe evazonit fiskal, etj. Sado përpjekje të bëhen për përmirësimin e parametrave makroekonomikë dhe të klimës së biznesit, nëse sistemi i drejtësisë nuk bën dhe nuk jep dretësi, nëse nuk zgjidhet çështja e pronës dhe nëse korrupsioni dhe evazioni fiskal mbeten në këto nivelet aktuale, ekonomia shqiptare dhe gjendja ekonomike e sejcilit prej nesh do mbetet në atë nivel që është ose fatkeqësisht do të përkeqësohet.

Problemi kryesor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve mbetet fakti se pjesa më e madhe e individëve që përbëjnë shoqërinë shqiptare ende nuk e kanë kuptuar çdo të thotë kapitalizëm dhe çdo të thotë ekonomi tregu. Kapitalizmi është sinonimi i pronës dhe ekonomia e tregut është sinonimi i iniciativës së lirë. Aktualisht në Shqipëri prona dhe liria ekonomike janë dy aspekte me të cilat nuk mund të mburremi aspak, përkundrazi, sa vijnë dhe përkeqësohen dhe këtë e tregojnë edhe rankimet e ekonomisë shqiptare nga ana e agjencive ekonomike dhe financiare ndërkombëtare më në zë në botë. Klima e bërjes së biznesit pëson degradim nga viti në vit dhe kësaj i shtohet edhe degradimi i infastrukturës së biznesit dhe infrastrukturës urbane e rurale.

Një çështje tjetër ende e pazgjidhur për ekonominë shqiptare mbetet niveli tepër i ulët i manaxhimit dhe shfrytëzimit të faktorëve të prodhimit. Manaxhimi dhe shfrytëzimi i tokës, punës, kapitalit, aftësisë sipërmarrëse dhe inovimit teknologjik, faktorë e prodhimi që përcaktojnë mundësitë e rritjes ekonomike dhe mundësitë e përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, as që mund të krahasohen me manaxhimin dhe shfrytëzimin që u bëhet këtyre faktorëve prodhimi në vendet e zhvilluara, me dhe tek të cilat kërkojmë të integrohemi. Kjo sepse edhe pse kemi dëshirë për modernitet dhe integrim, përsëri, në lidhje me faktorët e prodhimit, mendojmë dhe veprojmë në mënyrë tradicionale, ose më saktë në mënyrë arkaike.

Edhe pse në fushën e ekonomisë ka një kuadër ligjor, përsëri ka probleme sepse ose ligjet nuk zbatohen ose ato nuk plotësohen me akte nënligjore, duke përmendur këtu edhe mangësitë ligjore lidhur me aspektin e përafrimit të legjislacionit shqiptar të ekonomisë, financave, etj, me atë të vendeve të BE, mangësi ligjore që ende nuk po mbyllen edhe pse janë shpenzuar shumë burime, kryesisht financiare dhe njerëzore.

Në këndvështrimin mikroekonomik dhe kryesisht në aspektin e manaxhimit të biznesit, çështja më madhore mbetet standardi. Për aplikimin e standardeve ISO Shqipëria mban vendin e fundit në Evropë dhe renditet krah për krah me vendet e fundit në botë. Pa standardet ISO as që mund të pretendohet për integrim dhe për bashkëpunim me firma të huaja dhe për nxitje të investimeve të huaja në vend. Pa investime të huaja dhe me një reduktim drastik të remitancave (paratë që sjellin emigrantët), ekonomia shqiptare do mbetet shumë shpejt me gisht në gojë.

Nëse në këtë pikë të analizës shtojmë edhe rritjen e ngarkesës fiskale për vitin 2016 me rreth 350 ”“ 400 milionë euro, që do u merren qytetarëve shqiptarë të shtresave të ndryshme), paralelisht me një borxh publik rreth 70% GDP dhe me deficit buxhetor në rritje, me norma interesi jo të logjikshme, kur bankat e nivelit të dytë rezultojnë me fitime marramendëse, agjentët ekonomikë, buxheti i shtetit dhe ekonomia në tërësi do vuajnë vështirësitë e rritjes sepse qeveria e ka humbur si Xhaferri simiten dhe kjo duket fare hapur thjesht dhe vetëm duke marrë në analizë politikën e çoroditur fiskale, ndërsa FMN dhe Banka Botërore e SHBA dhe BE, edhe pse mendojnë se e kanë kuptuar mentalitetin e shoqërisë shqiptare, në të vërtetë as që e kanë idenë se si funksionon në realitet truri i shqiptarit.

Share: