Home KRYESORE Ekuilibri shoqëror dhe autoritarizmi burokratik

Ekuilibri shoqëror dhe autoritarizmi burokratik

Nga Entela Kasi

( mbi reagimet që janë bërë rreth qëndrimit tim publik)

Institucionet në përgjithësi, në shoqërinë e sotme globale e cila është në lëvizje të vazhdueshme teknologjike, dhe për më tepër në shoqërinë shqiptare e cila është një mjedis i rrëshqitshëm, gjëja e parë që këshillohet është nevoja për ekuilibër.
Si mund të vendoset ky ekuilibër, ndërsa forcohet autoritarizmi burokratik?

Vendosja e balancës në mjedisin social kulturor edhe më gjerë është një proces, i cili përfshin jo vetëm institucionet por krejt shoqërinë shqiptare, dhe po ashtu opinionin publik.

Në këtë proces, institucionet i mbyt klasa politike dhe fuqia e saj. Reflektimi i opinionit publik e gjen veten nën vorbullën e politizimit në skajet më ekstreme. Liria e mendimit kufizohet nga kuadratet në të cilat e vendosin ndasitë dhe divergjencat false në këtë shoqëri postkomuniste.

Në fakt, media ka nevojë për inkurajim, dhe për më tepër kurajë intelektuale kanë të gjithë ata që sjellin në vëmendjen e publikut çështje të shoqërisë shqiptare në zhvillim.

Shoqëria shqiptare ka në kujtesën e saj akte rebelimi të dhunshme të cilat e kanë kthyer prapa në kohë. Mendimi i pavarur intelektual, degët e së cilit priten si pyjet, ka nevojë për frymëmarrje, ndërsa ne na përmbyt pikërisht akti barbar kur iu kundërvumë natyrës, njëri pas tjetrit secili.

Mendimi publik nuk ka nevojë për akte heroizmi, pasi besoj se të gjithë ne së bashku nuk kemi hyrë në një fushë beteje për të kërkuar lavdi, dhe as për tu ankuar. E rëndë do të ishte për të gjithë ne nëse do të dorë-hiqeshim nga liria, e nëse në vend të saj do të zgjidhnim të bëheshim shërbëtorë të pushteteve politike dhe interesave meskine të klasës politike në Shqipëri.

Share: