Home KRYESORE Ilir Meta foli per te gjithe me Eni Vasilin

Ilir Meta foli per te gjithe me Eni Vasilin

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta foli sot për një sërë çështjesh të rëndësishme dhe axhendën politike që ka në fokus reformën në drejtësi. Përballë gazetares Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur” në News24, kryeparlamentari Meta, foli edhe për dekriminalizimin, për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore.

Meta ka shuar zërat për marrëdhëniet e ngrira me kryeministrin Rama, duke theksuar se marrëdhëniet me të janë të qëndrueshme e bashkëpunuese.

Në lidhje me reformën në drejtësi Meta tha se mbështet disa prej deklarimeve të ambasadorit Amerikan Donald Lu, por shtoi se standardi i kësaj reforme nuk varet nga ora që një gjyqtar apo politikan mban në dorë.

Nuk është e vërtetë që ju keni akuzuar Ramën dhe Bashën për një aleancë mes tyre. Kjo është e vërtetë apo jo?

Nuk kam bërë asnjë akuzë të tillë. Unë kam shprehur keqardhjen. Duhet që një nga flamurtarët kryesorë të kësaj çështje ishte Kryetari i Partisë Demokratike i cili më kërkonte mua dorëheqjen, z. Basha. E kam shprehur çudinë se si shpjegohet që kryetari i opozitës në çdo vend të botës kërkon dorëheqjen kryeministrit të Shqipërisë, por kërkon dorëheqjen e kryetarit të parlamentit. Unë dhe këtë gjë mund ta bëja, të jepja dorëheqjen por nuk bëhet dot Kryetar Parlamenti sepse ende nuk e ka mandatin e deputetit. Pra kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë gjë më…

A jeni penduar që keni bërë koalicion me z. Rama? A ishte me mirë me z. Berisha?

Po më vë pak në vështirësi. Sepse e para njëherë koalicionet nuk i bëj unë, duket sikur janë gjera personale. Koalicionet i bëjnë qytetarët shqiptarë. Kthehemi pak në 2009-n. Deri në fund unë dhe LSI kërkuam të ishim në koalicion me PS. Kjo është e padiskutueshme. Ishte PS që deri në fund insistoi për ta përjashtuar LSI-në nga koalicioni për eliminimin e saj përmes një sistemi zgjedhor dhe përjashtimit nga komisionet e votimit dhe të numërimit. Kjo është e vërteta. Në fund fare kishim 70 koalicioni i PD, 66 koalicioni i PS, 4 LSI-ja. Edhe ne kishim një koalicion tonin. 4 dhe 66 bënin 70. Për të bërë qeverinë duhen 71.

Pra, dy rrugë kishte: ose konflikt deri në fund dhe pa fund ose një qeveri e vështirë, por që një qeveri që do të garantonte një stabilitet dhe unë them që e garantoi një stabilitet dhe bëri disa gjëra pozitive, përfshirë edhe liberalizimin e vizave që sot e gëzojnë shqiptarët edhe ishte një gjë që i shërbeu vendit. Tani jemi në një situatë tjetër, është një koalicion më i natyrshëm midis PS-së dhe LSI-së.

Meta, a ekziston një mundësi për prishjen e aleancës suaj me Kryeministrin aktual, z. Rama? Për çfarë ju do të ishit i gatshëm sot të prishnit këtë koalicion qeverisës?

Koalicioni bëhet mbi bazë të disa qëllimeve, në bazë të një programi dhe natyrisht që koalicionet nuk janë të lehta, sepse duhet të përputhen interesat kryesore të partive. Një parti ka prioritet një çështje të caktuar, një tjetër ka një çështje tjetër e kështu me radhë. Dhe ne kemi treguar gjithmonë përgjegjshmëri dhe fleksibilitet për të pasur stabilitet për t’i shërbyer integrimit europian, euro-atlantik e kështu me radhë dhe në këtë drejtim vetëm për çështje madhore e programore koalicioni mund të kishte probleme.

Ashtu sikurse në koalicionin me z. Berisha në katër vjet kemi pasur mosadakordësi për shumë çështje, por vetëm për një çështje që mund të krijonte problem në raport midis Shqipërisë dhe NATO-s mund të prishej koalicioni dhe kjo nuk është një gjë që ka mbetur sekret. Kështu që, për çështje madhore po, është çështje e interesit të qytetarëve shqiptarë, por për çështje nga këto që shikoni e dëgjoni ju në gazeta nuk prishet koalicioni.

Pra, skenari i zgjedhjeve të parakohshme për shkak se koalicioni qeverisës do të prishet, pasi Rama dhe Meta nuk do të jenë më dakord për çështje të caktuara nuk qëndron? Me Edi Ramën do të jeni në koalicion në zgjedhjet e ardhshme?

Ne kemi punë më të rëndësishme, zgjedhjet janë në 2017-n. Ne jemi në një koalicion dhe i qëndrojmë koalicionit, ne kemi treguar se dimë ti qëndrojmë marrëveshjeve. Jo më kot thuhet “lum kush bën marrëveshje me LSI-n딝, në kuptimin që LSI-ja kë seriozitet, i qëndron pakteve, i qëndron marrëveshjeve.

Pra, ju do t’i qëndroni njësoj edhe koalicionit me z. Edi Rama?

Nuk ka patur ndonjëherë ndonjë rast kur ne nuk i kemi qëndruar marrëveshjeve dhe nuk do duhet t’i shkojë ndokujt në mendje që ne nuk i qëndrojmë marrëveshjeve. Është një nga karakteristikat kryesore pse LSI-ja besohet dhe votohet. I qëndron marrëveshjeve me qytetarët, i qëndron marrëveshjeve në koalicion, kur bashkëpunon, bashkëpunon dhe kur lufton, lufton.

Meta, sipas një shkrimi të një kolegu, ambasadori amerikan është shprehur në një darkë, se “reforma në drejtësi ka armiqtë e vet. Rama e do reformën dhe Meta jo”. Nuk e di a e keni lexuar këtë shkrim?

Unë nuk marr përsipër të komentoj analizat, shkrimet apo komentet tuaja si Eni apo të gjithë kolegëve tuaj. Media është e lirë. Unë mund të komentoj aq sa është e rëndësishme për publikun. Mund të komentoj marrëdhëniet e mia me ambasadorin amerikan por nuk mund të komentoj marrëdhëniet e tij me gazetarë apo me këdo tjetër.

Lu ka thënë se “i trembet reformës në drejtësi ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja dhe kurrë nuk ndiqen penalisht u drejtohet qytetarëve. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat me paratë e popullit shqiptar딝. Këta njerëz i tremben reformës sipas ambasadorit Lu. Pse ambasadori amerikan e di që ka ministra të korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatës të korruptuar dhe prokurorë të korruptuar dhe nuk e dini ju, nuk e di z. Rama, nuk e dimë ne?

Ju më kërkoni mua të bëhem prapë pjesë e spekulimeve tuaja. Ju për këtë çështje mund të pyesni ambasadorin. Sugjerimi im apo qëndrimi im. Nuk dua të komentoj sepse nuk e di si është konteksti, është e drejta e tij dhe qeverisë që përfaqëson. Qëndrimi im për këtë çështje është ky dhe ky është një qëndrim i bërë publik: Cilido që ka në fakt, një provë për çdo zyrtar, për çdo deputet për korrupsionin duhet ta çojë këtë gjë në Prokurori, në drejtësi. Ky është qëndrimi im në parim.

Share: