Intervistoi per gazeten “Dita” Xhevdet Shehu
”“ Izet, në pranverën e përgjakshme të vitit 1997, marrëveshja që u bë në Presidencë në datën 9 mars shpëtoi Berishën nga ndëshkimi ligjor. Çfarë di ti Izet për atë marrëveshje?
”“ Po, kini të drejtë, ajo i siguroi Berishës mbijetesën, në një kohë që ai ishte në pikën më të dobët dhe më kritike të jetës së tij si politikan dhe si njeri. Katër ditë më vonë, pra më 13 mars 1997, unë si Izet, kam bërë të njëjtin gabim. E mbajta me zor Berishën, në një kohë që ai i kishte bërë gati valixhet… Mirë unë që gabova, po këta kokat e mëdha të kombit që gjoja shikojnë më larg se ne, pse gabuan? Unë mendoj se nuk kanë gabuar rastësisht, apo nga mosdija…
”“ Cfarë mban mend ti nga kjo marrëveshje?
Ato ditë Berisha nga njëra anë na thoshte se do ndërhyjmë në jug, dhe nga ana tjetër kishte filluar negociatat e fshehta, duke përfshirë Rexhep Meidanin, që në atë kohë ishte figurë e rëndësishme në PS, Cekën, Zogajn, Kurt Kolën e disa eksponentë të opozitës së atëhershme. I pari që erdhi në Presidencë ka qenë Preç Zogaj, i cili më parë kishte bërë bisedime në Rogner me një të dërguar të Berishës, më duket me Mero Bazen.
Mua situata më dukej tepër konfuze sepse nga njëra anë bëhej shpërndarja e armëve dhe hapja e depove në veri, nga ana tjetër Berisha negocionte për marrëveshje me këta. Askush nuk mendonte cili ishte shpëtimi i vendit nga kaosi. Berisha përpiqej të garantonte qëndrimit të tij në postin e presidentit dhe këta të tjerët kërkonin të kapnin poste…
Ne i merrnim me makinë këta e i dërgonim në shtëpi pasi dilnin nga Presidenca. Mbaj mend një bisedë, nga këto, bisedonte Kurt Kola me Neritan Cekën dhe bënin pazare të ndanin poste në qeverinë e pajtimit që po dukej në horizont. Kurt Kola donte të bëhej ministër i Brendshëm.
Ndaj them se këta nuk mendonin si të shpëtonin vendin, por mendonin për poste. Dhe aty jashtë derdhej gjak shqiptari.
Një episod tjetër më ka ngelur në mendje. Kaloja me makinë në bulevardin e shkretuar “Dëshmorët e Kombit”, kur shoh në anë të rrugës një njeri që po ecte kokulur dhe si fshehurazi, me kokën të futur midis supeve dhe me jakën e palltos të ngritur. Arrita të dalloj gjeneralin e sapograduar 10 ditor të Berishës, Gjergj Lezhja.
Ndalova makinë dhe i thirra: “Ku po shkon, o gjeneral?” U ndal i trembur. Kur ç’të shof? Na kishte rruar edhe mustaqet për të mos u njohur! I thashë, nga po ikën kështu fshehurazi? Ti duhet të jesh në luftë tani si gjeneral! Më tha: “Na mori në qafë Berisha të gjithëve!…” Ia ktheva: “Po tani u kujtove ti ore spiun? Ti bëje trimin në kohë të Berishës në paqe, ndërsa tani po ikën si mi…”
Ja, këta ishin minjtë e PD-së që ngriti Berisha në detyrë dhe që e braktisën të parët atë në atë mars të 97-s, por që më vonë, prapë u thirrën prej Berishës. Gjithmonë i duheshin të tillët, ndaj zgjidhte pranë vetes njerëz të përdorshëm e që i kishte në dorë.
”“ Po pse këta si Lezhja s’e dinin që po negociohej?
”“ E drejtë. Berisha nuk kishte vënë askënd në dijeni nga ata të PD-së për bisedimet që po bënte. Atë ditë Tritan Shehu i trembur thërriste në korridoret e Presidencës se janë nisur 5 mijë vetë nga Vlora në drejtim të Tiranës. Dukej se eksperienca e Lushnjes e kishte bërë njeri haluçinant. I bërtita që të mos përhapte panik, se nuk është e vërtetë një gjë e tillë, pasi unë kisha kontakte në Vlorë. E dija që nuk kishte lëvizje kaq masive atë ditë. Ndaj dhe kundërshtova kur u hodh ideja që të dërgonin avionët të bombardonin urën e Mifolit.
”“ Sidoqoftë, marrëveshja u arrit dhe gjendja u duk sikur u qetësua?
”“ Jo, nuk u qetësua aspak. Kishte tension dhe plasën grindje mes nesh. Pjesëtarët e mbetur të SHIK-ut me në krye Xhahit Xhaferrin, u mblodhën në Gardë nën drejtimin e komandantit të ri, dora vetë Xhahit Xhaferri… Ai filloi të shpifte tek Berisha për njerëzit që kisha afër. Atë ditë në Presidencë tek Berisha, e kapa për gryke dhe i them: “O spiun! Mos u merr me spiunime e shpifje si dikur në burg…”
Iku tek Berisha dhe kërkonte prej tij që, o të më largonte mua, ose do të largohej ai… Berisha e qetësoi duke i thënë se “ti e njef Izetin që është i rrëmbyer, mos ja vë re” etj.. etj.. Por Xhahiti me njerëz të SHIK kishte shkuar të çarmatosnin njerëzit e mi tek kafe “Nikolino”. Pasi më njoftuan, shkova me shpejtësi atje dhe pashë që njerëzit e SHIK-ut të Xhaferrit me armë të mbushura të drejtuara nga njerëzit e mi po i çarmatosnin. Atëherë, u drejtova edhe unë armët atyre të SHIK-ut dhe isha gati të qëlloja mbi ta. Duke parë se unë e kisha seriozisht, u tërhoqën.
Por kjo kthesë e Berishës, nga kryekomandant i operacionit për shtypjen e rebelëve, apo të kuqve, siç i quante Berisha, në një negociator apo njeri shpëtimtar që po sillte paqen, është vërtet e çuditshme! A thua se ai nuk ishte shkaktari. Situata erdhi e papritur për shumë eksponentë të PD-së, madje dhe për vetë komandantin e operacionit, gjeneral Gazideden.
”“ Dmth marrëveshja e 9 marsit nuk i qetësoi ujërat?
”“ Po nuk kish se si sepse ajo marrëveshje nuk u bë për të qetësuar, por për të mbuluar krimet e Berishës dhe të politikanëve të të gjitha palëve, të cilët ishin të implikuar. Me amnistinë për ngjarjet e marsit ’97, që ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje, vendi u zhyt më tepër në kaos. Psh i kemi kërkuar pas kësaj marrëveshjeje Agim Shehut që të ruhej burgu 313, ku ishin grumbulluar të gjithë kriminelët e Shqipërisë, por ai ka thënë se e ruan RENEA.
Nga ana tjetër, po ky Agim Shehu, me urdhër të Berishës, ka bërë presion mbi komandantin e asaj kohe të RENEA-s që të mos bënte mbrojtjen e burgut. Siç doli edhe më 13 mars, kanë qenë njerëz të besuar të Agim Shehut nga forcat speciale të Briskut, me në krye Paulin Sterkajn, që kanë bërë evakuimin e Fatos Nanos nga burgu. U liruan me qindra vrasës nga burgu, vetëm e vetëm që të dilte i lirë Fatos Nano. Për mua Berisha në marrëveshje e kishte pranuar edhe lirimin e tyre në këtë mënyrë të jashtëligjshme.
Me plot gojën mund t’u them se, pas kësaj marrëveshjeje, filloi parajsa për krimin dhe kriminelët në mbarë Shqipërinë. Edhe ata policë që u kthyen në detyrë, vazhduan së bashku me krimin t’u vinin gjoba bizneseve.
– Policët, gjoba?
Po sigurisht. Çerdhe e krimit dhe bashkëpunimit me kriminelët u kthye komisariati nr. 2 në Tiranë, që, nën drejtimin e Sali Shehut, kanë bërë kërdinë duke u vënë gjoba biznesit e duke marrë shuma të mëdha nga pronarët e firmave të falimentuara piramidale, sidomos Vefa e Silva.
Më kujtohet në atë kohë që, nëpërmjet Paulin Sterkajt, më çon fjalë Vehbi Alimuça dhe më ofroi 2 milion dollarë për ta mbrojtur nga kriminelët dhe bandat e sapokrijuara së bashku me policinë. Të njëjtën gjë më ofroi edhe presidenti i firmës Silva, që ta mbroja në këmbim të 2.5 milion dollarëve. A thua se këto para ua kishte lënë trashëgim babai apo fituar me djersë. I refuzova, por kjo nuk do të thotë se refuzuan të tjerët.
”“ Pati dhe nga ata që i pranuan ofertat…?
”“ Natyrisht. Këta gjakpirës u morën në mbrojtje nga Sali Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij, kundrejt dhënies së shumave të majme. Si shpërblim, më vonë ky Shehu na u bë edhe deputet i Berishës në PD. Kuptohet, pasi një pjesë të parave e kishte ndarë me partinë që e zgjodhi…
”“ Në muajt më pas vazhdoi kaosi, megjithëse kishte një marrëveshje. Ndodhi ngjarja e rëndë e Cërrikut…
”“ Janë pafund. Ndoshta nuk e dini pushtimin e spitalit ushtarak nga forcat e SHIK-ut, që ishin të inkuadruar në Gardë. Nuk me kujtohet muaji, ka qenë maj apo qershor, kur më telefonon një pjesëtar i SHIK-ut i inkuadruar në Gardë dhe më thotë: “Hajde urgjent tek spitali ushtarak në Laprakë!”. Ishte koha pas ngjarjeve të Cerrikut që ju përmendni.
U futën në kurth nga jevgjit e Cerrikut forcat e Gardës të përbërë nga SHIK-u, u goditën prej tyre me armë të renda antitank, ku ngelën të vrarë brenda autoblindës 5 pjesëtarë të Gardës, ndërsa mbetën të plagosur disa prej tyre. Ky operacion drejtohej nga Agron Kuliçi, shef i Komisariatit të Elbasanit, një person pa asnjë përvojë në polici, i ardhur nga Instituti i Fiskulturës. Edhe aty ishte person mediokër e që tallej nga të gjithë për idiotësitë e tij.
Sapo janë sulmuar forcat e SHIK-ut që vinin pas kësaj autoblinde së bashku me Kuliçin janë larguar në panik nga vendngjarja, duke lenë edhe armatimin personal dhe shokët e tyre që po jepnin shpirt të goditur me antitank e mitraloza të vendosur në tarracat e pallateve përreth.
Disa nga të plagosurit e kësaj masakre u vendosën për kurim në Spitalin Ushtarak dhe pas disa ditëve vdiq një djalë i plagosur nga Mirdita. Sipas atyre që kishin sulmuar Spitalin Ushtarak, kishte vdekur nga moskujdesja e qëllimshme e mjekëve të këtij spitali.
Ndaj më telefonuan. Kur mbërrita në spital pashë këta të SHIK-ut e Gardës që po bënin terror duke shtirë në ajër e mbi muret e spitalit. U futa në zyrën e nëndrejtorit të spitalit, pasi drejtori, siç mësova më vonë, ishte fshehur në tualet. E pyeta zëvendësdrejtorin për vdekjen e atij djalit, më tha që “unë nuk kam përgjegjësi për mjekimet dhe terapinë…”
Mbaj mend që e qëllova me shpullë dhe dola në oborr. Në këtë kohë më vjen një telefonatë nga Agim Shehu, i cili më thotë se unë duhet të largohesha nga spitali, merr edhe forcat e tjera e nxirri që andej. I thashë që hajde e largoji ti ose Berisha se nuk i kam sjellur unë këtu.
”“ Po flasim për muaj kur qeveria e Finos kishte filluar të funksiononte ndërkohë?
”“ Si mund të flitej për funksionim të qeverisë në ato kushte. Kjo ngjarja e spitalit ushtarak tregonte se në çfarë situate kaotike e katastrofike ishte shteti dhe qeveria e dalë nga marrëveshja e 9 marsit, e cila na kishte për ministër njëfarë Belul Çela, deputet i PD-së së Fierit që ndante me Bashkim Finon lekët që i vinin nga gjobat dhe kriminelët me të cilin kishte lidhje gjaku dhe flinin në të njëjtën vilë, në atë të Mehmet Shehut apo vila 30, siç quhet ndryshe.
Ky Belul Çela, pasi grumbulloi një shumë që shkonte në 10 milion marka nga pikat e kalimit kufitare të Qafe Thanës (se ajo e Kakavijës punonte për kryeministrin, ish të papunin Fino) menjëherë pas zgjedhjeve të 29 qershorit u arratis për në Amerikë, a thua se ndihej i kërcënuar nga kriminelët me të cilët bashkëpunonte, apo nga ata që fituan, me të cilët ishte në aleancën për vjedhje dhe plaçkitje.
”“ Aq e zezë ishte situata në atë kohë?
”“ Më e zezë nga ç’po tregoj unë. Nga fundi i muajt mars, na vjen një informacion se nga hotel “Ballkan” që ndodhej pranë liqenit artificial strehoheshin persona nga Vlora, pjesëtarë të bandave të majta dhe kishin qëlluar me armë në drejtim të Gardës së Republikës, që ndodhej afër me këtë hotel. Shkuam një grup rreth 15 veta dhe bëmë kontroll.
Në katin e sipërm gjetëm dy persona të fshehur. I pandehëm si të bandës se Zani Çaushit, por siç doli me vonë, ata kishin ikur nga Vlora për shkak të kësaj bande. U gjetën edhe disa armë të cilat i morëm dhe u larguam duke lënë të lirë edhe këta dy persona. Më vonë dëgjoj se pronari i hotel “Ballkan” kishte thënë se erdhën tropojanët dhe më vodhën 28 mijë dollarë tek hoteli.
U indinjova dhe shkuam përsëri tek hoteli. E rrafëm keq, sepse ai kishte shpifur ndaj nesh. Mirëpo, ishte bërë një gabim i madh: ky person kishte pasur të drejtë sepse, siç mora vesh pas 29 qershorit, një nga pjesëtarët që bastisi hotelin në një dhomë vërtet kishte vjedhur një shumë prej 28 mijë dollarësh. E keqja kishte ndodhur, por pa dijeninë time.
Ky person nga Tropoja që vodhi ato para më vonë u bë një nga miqtë më të afërt të Berishës dhe bashkëpuntor i tij në veprat kriminale në Tropojë. Sot është i vdekur. Pasi mora vesh këtë vjedhje nga goja e kushëririt të tij, Asim Kojeli, unë u përpoqa të kontaktoj me pronarin e këtij hoteli për t’i kërkuar ndjesë.
Dua të them se vërtet në mesin tonë nga ata që mbrojtëm Berishën në atë pranverë të ’97-s ka pasur edhe grabitës e hajdutë të tillë, por është interesante të thuash se të gjithë këta u bënë më vonë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës në veprimtarinë e tij kriminale./ Dita.al