Home KRYESORE Jo politikë e inkriminuar, por kriminelë të politizuar!

Jo politikë e inkriminuar, por kriminelë të politizuar!

Nga Mentor Kikia

Të jesh kryeplak fshati, mesa di unë, merr vetëm 15 mije lekë në muaj dhe nuk ke asgjë në dorë për të bërë korrupsion. Ndaj dhe kryeplaku i fshatit Podgorije në Korcë, tani person në kërkim, që kishte mes të tjerave edhe një makinë Hummer, nuk i ka bërë paratë dhe pasuritë duke shfrytëzuar postin. Ai ka qenë thjeshtë një kriminel, që ka vrarë, ka kultivuar e shitur drogë, dhe që i shpëtonte drejtësisë.

Dhe, për këto merita, PD e kishte përfshirë në radhët e veta si një dorë e fortë në fshatin e tij. Në këtë kuadër kishte shërbyer edhe si inspektor i ruajtjes së pyjeve në atë zonë. E merrni me mend se si mund ti ketë ruajtur pyjet ai? Kryeplak ishte “zgjedhur” pasi i kishte vdekur i ati, që e mbante këtë detyrë më parë, dhe mesaduket ky do ia trashëgonte të birit, që, sikurse doli nga raporti i policisë, ishte po kaq i talentuar për këto punë sa edhe i ati.

Edhe një zv/drejtor hekurudhe, për segmentin Durrës-Shijak, u arrestua. Një Zot e di që si mund të ketë drejtor dhe zv/drejtor linja hekurudhore Durrës-Shijak, por kjo është tjetër punë. Ai kishte ndërtuar një serë me prozhektorë e paisje të tjera, të përshtatshme për të rritur kanabis në kushte artificiale. Edhe ky nuk besoj se u bë kultivues dhe trafikant droge, duke shpërdoruar postin e përgjegjësit të hekurudhës së Shijakut. Edhe ky ka qenë i dalluar më parë në këtë drejtim dhe për këtë arsye edhe është rekrutuar nga LSI, në politikë dhe administratën e hekurudhës.

Pra këta dhe shumë si këta, nuk janë inkriminuar pasi u bënë pjesë e pushtetit, por u bënë pjesë e pushtetit duke qenë kriminelë dhe posaçërisht për këtë arsye. U bënë, sepse partive u duhen njerëz të fortë për të siguruar vota, ndaj afrojnë të tillë njerëz dhe më pas u japin liri veprimi të vazhdojnë punët e tyre të pista. Ne sapo kemi miratuar dhe sapo ka hyrë në fuqi ligji për dekriminalizimin. A e ndalon ky ligji këtë gjë?

Asnjëherë- mendoj unë. Kriminelët që ndalon ligji janë ata që kanë qenë dënuar. Por më të rrezikshmit as janë dënuar as janë arrestuar. Ndaj dhe dekriminalizimi i vërtetë duhet bërë mu atje lart fare, kë kupolën drejtuese të politikës. Atje ku rekrutohen kriminelët si skuadra ndihmëse elektorale. Dhe këtë s’ka ligj dhe perëndi që e ndalon në këtë vend, vecse vullneti i atyre që drejtojnë politikën.
Foto: E para, djali i kryeplakut te Podgorijes. E dyta, pjese nga magazina e kultivimit te droges

Share: