Nga Sali Bytyçi
Me arsyetimin që nuk u çlirua vetë, por u çlirua nga të mëdhenjtë, Kosova duhej të bënte disa kompromise të dhimbshme.
Kompromisi i parë i dhimbshëm ishte se, Kosova e cila përreth një shekull (1913) e shkëputur nga trungu etnik, e kolonizuar dhe e keqtrajtuar në vazhdimësi, nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e saj, as me referendum, pra që nënkupton se ajo nuk guxon t’i bashkohet trungut etnik nga i cili është shkëputur (Shqipërisë).
Kompromisi i dytë i dhimbshëm ishte që, me mbi 90 për qind e përbërë nga shqiptarët, Kosova duhej të shpallej shtet multietnik!
Megjithatë, kjo nuk iu mjaftoi të mëdhenjve, po në këtë shtet “multietnik”, duhej bërë edhe kompromisi i tretë: në Kosovë duhet të krijohet një bashkësi njëetnike, e emërtuar Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë!
Si përfundim, Kosova duhet të ndahet në dy pjesë: në pjesën multietnike, ku do të jenë shqiptarët, turqit, boshnjakët, ashkalinjtë, romët etj., dhe në pjesën monoetnike ku do të jenë serbët!
Dhe, pastaj të quhet shtet?!
E gjithë kjo si fat, si predestinim për të!
Po, bie fjala, ç’është fati, pasi duhet t’i nënshtrohemi atij?
Këtu nuk dua të flas për fatin, po do të përsëris se çfarë shkruan për fatin në librat e shenjtë.
Në librat e shenjtë shkruan se, çdo gjë që ndodh në këtë botë, është e shkruar nga fati dhe nuk bën të ndodhë ndryshe. Por, në këtë konkludim, mbi të cilin janë krijuar pothuaj të gjitha besimet, politeiste e monoteiste, në librat e shenjtë ka një përjashtim: Me punë, njeriu arrin ta ndryshojë edhe fatin e tij!
Klasa politike e Kosovës, sa e paditur aq e korruptuar, pas vitit 1999 nuk bëri as edhe përpjekjen më të vogël që ta ndryshojë për të mirë fatin e Kosovës. Ajo më tepër ishte e interesuar të luftonte kundërshtarin politik dhe pastaj t’i përvishej korrupsionit, se sa të punonte diçka në të mirë të vendit, të cilit më tepër i shkaktoi të këqija duke i shkatërruar ekonominë, si dhe përmes kalimit të pronës publike në duart e veta dhe të rrethit të saj, ose duke ua dhënë të tjerëve në shkëmbim të përfitimeve materiale.
Edhe intelektualët e Kosovës, shumica vetëm emrin e kanë intelektualë, në mënyrat më të ndryshme iu bashkuan për të keq kësaj klase politike. Edhe ashtu shumica e tyre ishin vegla të klasave të kaluara politike dhe tani vetëm sa e vazhduan të qenët e tyre vegël, në shkëmbim të privilegjeve të tyre. Gjeneratat më të reja, shkuan gjurmëve të më të vjetërve. Ndërkaq, populli jo rrallë i hedh sytë drejt kësaj shtrese: kur e sheh që ajo hesht, hesht edhe ai, duke menduar që, ja, ata, po heshtin, ndaj puna është mirë, duke mos e ditur se shumica prej tyre janë të zhytur në interesat e tyre personale!
Shkurt, ndërsa klasa politike, e paditur dhe e korruptuar, është fodulle, shtresa e intelektualëve është e mjerë; mjerimin e saj përpiqet ta kompensojë me privilegjet (copat e ashtit) që ia jep shtresa e politikanëve!
Po çfarë të bëhet në këtë udhëkryq?
Zgjimi që ka filluar të shfaqet tek populli i Kosovës duhet të kanalizohet në ndryshimet cilësore, në ndryshim të kursit qeverisës, e jo në ndryshim partish në pushtet.
Kompromisi i tretë nuk duhet të bëhet, edhe nëse ky kushtëzohet me kthimin e Serbisë në Kosovë: Më mirë le të kthehet Serbia në krejt territorin e Kosovës, sesa t’i pranojmë minat me sahat, të cilat mund t’i shpërthejë ajo kur të dojë! Sepse, nëse kompromiset e para, e zbehin shtetësinë e Kosovës, kompromisi i tretë e zhbën tërësisht shtetësinë e Kosovës. Ndaj, më mirë pa shtet fare, sepse kur nuk e kemi shtetin vazhdojnë përpjekjet tona për shtet, sesa të jetojmë të shkujdesur në një shtet të minuar!
Minat nuk vendosen kot, ato një ditë shpërthejnë duke e marrë me vete të gjithë ngrehinën nën të cilën janë vendosur! Këtë duhet t’ua bëjmë të qartë edhe miqve ndërkombëtarë, ndërsa ata të marrin qëndrim: janë që Kosova të jetë shtet normal, apo të jetë një shtet i minuar! Nëse e duan këtë të parën, le të na ndihmojnë, ndërsa për të dytën, flm. nga ta, nuk na duhet fare!