Home KRYESORE Mbase ‘burgu’ është fillimi dhe fundi i vizionit që po udhëheq!?

Mbase ‘burgu’ është fillimi dhe fundi i vizionit që po udhëheq!?

Nga Pastor Akil Pano

Tatëpjetën kishim kohë që po e zbrisnim me shpejtësi, por tani shpejtësia ka ndalur pasi kemi prekur fundin!

Filloi me shitësit e duhanit në Shkodër; vazhdoi me burgosjen e kryefamiljarëve për mospagesat e faturave të energjisë elektrike; burgosjen e berberëve…lista është e gjatë derisa mbërrijmë tek 80 vjeçari i sotëm i cili arrestohet për kasollen e bagëtive!

Arrestimet dhe burgosja e të mjerit nuk janë zgjidhja për të reformuar sistemin dhe ndërtuar vendin! Por mbase ‘burgu’ është fillimi dhe fundi i vizionit që po na udhëheq!?

Të arrestosh kur ke pushtet, mundesh. Por të përdorësh pushtetin për të arrestuar dhe jo për të shëruar; për të sjellë frikë dhe jo shpresë, mungesë dhe jo mundësi, atëherë pushteti i keqpërdorur është një e keqe jo e vogël.

Jetët e kyçura sëfundmi në burgun e braktisjes, lëngojnë nën mjerimin e pafuqisë së tyre dhe indiferencës së njeriut të rehatuar të shoqërisë. A e dëgjoni këngën e dhimbjes së të moçmit që është arrestuar? Ky prolog i gjatë lëngimesh s’duhet të jetë kurrësesi epilogu i historisë tonë.

Zot, ndihmona të kuptojmë që historia nuk nis e as përfundon me ne. Ndihmona të kuptojmë dhembshurinë e zemrës tënde për të afërmin, të pafuqishmin dhe nevojtarin. Ktheje shpresën dhe mbuloje Shqipërinë, familjet, institucionet dhe ata që na qeverisin me dashurinë dhe hirin tënd. Hapu sytë të shohin që përpjekja për ndryshimin dhe reformën e ka vendin e saj të lindjes tek vetja. Rilind zemrat e personave që na qeverisin dhe tregoji që ekziston një pushtet më i lartë se pushteti i përkohshëm që ata administrojnë dhe se pushteti i tyre është guri i provës që Ti në dashamirësinë tënde u ke dhënë për një kohë dhe se një ditë për këtë do t’i kërkosh llogari.

Share: