Home KRYESORE NË VIJIM TË NJË KONSTATIMI MBI IMAM-BAJALLDINË MEDIATIKE

NË VIJIM TË NJË KONSTATIMI MBI IMAM-BAJALLDINË MEDIATIKE

Nga Ledi Shamku

Lexoj e ndjek lajme. Të vogla e të mëdha në gjatësi tekstesh. Por shumica të “vogla” e të vorfna në kumt. Hej, po sa të vështirë e paskemi fjalën e mirë dhe kumtin e mirë, kaq të vështirë?!

Po shpërndajeni o gjind edhe të mirën, se e keqja ka këmbë vetë ka pasë thënë ime gjyshe! Se ky vend e ky popull ka shumë po shumë nevojë ta ndiejë praninë e të mirës, e të bukurës.

Ja, po ju them unë një kumt të mirë: shumë tym e blozë u hodh për buxhetin e shkencës, por me përgjegjësi them se buxheti i Qendrës Albanologjike këtë radhë është një buxhet i bukur! I cili shkon për kërkimin shkencor albanologjik! E vetmja shkencë që duhet ta bëjmë vetë se nuk ka kush ta bëjë për ne.

Dhe jam shumë e gëzuar për frymëmarrjen financiare që do kenë kolegët e mi. Doni ta dini si qe katandisur Qendra Albanologjike gjithë këto vite? Besomëni, as lekë për bojë e letër nuk kishte! Jo më për shkencë. Kam rastisë kolegë që shkonin t’i printonin shkresat me paratë e xhepit në internet-kafè. Ja kështu!

Dhe gëzohem, shumë gëzohem që i kthyem sytë nga displina jonë e çmuar: ALBANOLOGJIA! E cila ka tashmë mundësi financiare ta ngrejë sërish kokën! Uroj me shpirt që këto para, të cilat janë vërtet sakrificë e një vendi të varfër që mendon edhe për shkencën e vet, uroj shumë që të mos asgjësohen nga pseudo-studime me metoda e objekte studimore të vjetra e të ngrëna nga mola. E as të mos përdoren për konferenca përkujtimore që më shumë u ngjajnë ziafeteve të përmortshme. Zgjasni duart e bashkëpunimit shkencor me Europën! Hapni mendjet! Mos na e çoni dëm këtë radhë sakrificën e një vendi të varfër që zgjodhi të mos e harrojë shkencën e vet identitare!

Ja pra që përtej llogjeve me dreka e darka e puçe e pusira, e bajatizma pa fund, në këtë vendin tonë edhe e mira ka trajektoren e vet.

Qofshi mirë! Apo siç thonë Arbëreshët: Rrini mirë!

Share: