Nga Flutura Acka
Disa kohë me parë, një holandez, miku i një mikut tim të ngushtë, pasi kishte dëgjuar se, meqë Shqipëria do të hyjë në Europë së shpejti, dhe kësisoj do të jetë edhe zgjatim i tregut europian, u nis një ditë bukur ta mëtonte këtë treg. Sigurisht me rekomandime e tërrci e vërrci protokollare, zbriti një ditë të bukur në Rinas dhe u gjend pjesë e një odiseje që s’ka rrëfimtar ta përshkruajë.
Shkurt: Në Rinas e pritën (shoferi i punësuar nga punëdhënësi i punëdhënësit të punëdhënësit të tenderuesit me pushtet) me një makinë superluksoze, e buajtën në një hotel superluksoz, në një dhomë superluksoze, ku më shumë kishte pasqyra se ç’kishte ai rroba në valixhen e tij, i ofruan për kënaqësi vajza të reja (sa të donte, edhe djem po të donte), e pritën me dreka e darka super-të-shtrenjta e të tjera që shqiptaret besoj, të mësuar me luksin përditë, i marrin me mend. I çmeritur holandezi ynë, i refuzoi të gjitha këto, mbase edhe nga frika se mos ishte ndonjë kurth (ndonjë lloj rregjistrimi i fshehtë, a kësidoresh, që ne shqiptarët sakën se i bëjmë).
Dhe nisi burri të trembej e të pyeste veten: Nga buronte gjithë ky luks, sepse shefat e tij në Holandë a gjetkë, edhe pse të pasur (shpesh me pasuri të trashëguar me breza nga familja), nuk bënin të tillë jetë?! Atij i duhej të takonte shefin e gjithe kësaj hullie që e kishte përfshirë dhe të bënte një bisedë të thjeshtë: a do të benin biznes dhe me çfarë modalitetesh do të bëhej marrëveshja e tyre?
Në fund të odisesë, vartësi i vartësit të vartësit të shefit me pushtet, i çoi fjale se mund të bënin marrëveshje, si të donte ai dhe shefat e tij, madje në marrëveshje munbd të përfshinin edhe zbrazjen e magazinave nga hape, ilaçe e kutiza jashtë datës së skadencës, por për të gjitha këto kujdesesh pala shqiptare. Por ne nuk kemi të tilla, sepse asnjë ditë më shumë nuk i mbajmë dot! Edhe pse ai kërkoi të takonte shefin, atë nuk e takoi dot, sepse edhe ata shefat e vegjël nuk e njihnin as vetë.
Heroi ynë e la në mes odisenë, dhe mbase ende i duket ëndërr ajo çfarë kaloi mes luksit, çmimi i së cilës do të ishte ai që do të ishte: para dhe kamionë me ilaçe të skaduara që do të kalonin nëpër doganat tona, një Zot e di se si e qysh. Mirë holandezi nuk pranoi dhe ai mall nuk erdhi, por larg o Zot, ndonjë i huaj tjetër – nga çfarëdo vendi, të cilit i shijon ky lloj luksi prej pashallarësh, edhe pse ngrihet mbi para që e helmojnë kombin tënd – të pranonte, kush shqiptar i pafat do t’i konsumonte ato helme?
Kjo histori mbyllet këtu, dhe tek e dëgjova, perveç shijes së keqe si shqiptare (e cila përpiqet të japë shembullim e një shqiptareje të denjë para të huajve), m’u kujtua edhe shprehja e Fatos Lubonjës: Çdo vend ka mafien e vet, në Shqipëri, mafia ka shtetin e vet!