Sot, në mëngjes, para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku priti një delegacion mysliman, i cili e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë zyrtare në xhaminë e Romës. Në delegacion merrnin pjesë zv.kryetari i Bashkësisë Fetare Islamike Italiane (Coreis), hoxha Yahya Pallavicini, si edhe drejtori i Qendrës Islamike Kulturore të Italisë, Abdellah Redouane, të cilit i është besuar administrimi i kompleksit të xhamisë dhe disa ambasadorë dhe një përfaqësi nga Këshilli administrativ i Xhamisë së Madhe.
Nuk është njoftuar ndonjë datë për vizitën e mundshme të Papës Françesku, megjithëse disa agjensi lajmesh në Itali kanë përmendur 10 prillin. Kështu, Bergoglio, pasi ka vizituar Xhaminë Blu në Stamboll, më 29 nëntor 2014 e, atë qendrore të Koudoukou-t në Bangui, kryeqytet i Afrikës Qendrore, më 30 nëntorin e vitit të kaluar, do të shkojë tani për herë të tretë në një vend kulti të fesë myslimane.
Por, kësaj radhe, nuk është fjala vetëm për statistika: vizita e Atit të Shenjtë në xhaminë romake do të jetë sidomos një sinjal i fuqishëm në favor të dialogut e të bashkëjetesës paqësore, në kuadrin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës e në një çast historik, karakterizuar nga tensioni e frika, mbjellë kudo nga fundamentalizmi islamik e nga terrorizmi, që e përdor emrin e Zotit për qëllimet e veta të dhunshme.