Nga Agron Haxhimali, *
Reforma territoriale në thelbin e saj bëhet për arsye parimore, siç janë:
– Forcimi i administratës publike vendore; forcimi i strukturave vendore; funksione të reja; më shumë fuqi dhe kompetencë për të zgjedhurit vendorë; më shumë hapësirë në vendim-marrje në shërbime; më shumë mjete financiare etj.
Por edhe pse në reformën territoriale të ndërmarrë ka gjëra që nuk shkojnë dhe nuk po rezultojnë siç duhej dhe pritej, të paktën deri tani, unë nuk po ndalem më tej pasi qëllimi i këtij takimit është diçka tjetër, – është reforma zgjedhore – që ka një lidhje të fortë me reformën territoriale.
Si reforma territoriale dhe reforma zgjedhore janë proçese politike dhe ligjore që ndikojnë te njëra tjetra. Reforma territoriale shfaq ndikimin e saj në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare. Pra, territori dhe ndarja e tij, edhe në kuptimin e administrimit të territorit, ndikojnë në të dyja llojet e zgjedhjeve.
Reforma territoriale në dimensionin politik dhe elektoral u projektua jo mirë, jo drejtë dhe me tendenca përfitimi elektoral. Këtë e treguan qartë dhe zgjedhjet vendore, nga të cilat u vu re një mospërputhje e hartës territoriale me përqasjen ndaj të drejtës së qytetarëve për pjesëmarrje.
Reforma krijoi identitete të reja (bashki), në disa raste dhe përtej natyrshmërisë dhe përditshmërisë së komuniteteve vendore. Pse? Sepse qëllimisht u prish historia e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit politik dhe qëllimi ishte ndikimi në zgjedhje dhe në rezultatin e tyre.
Pra, reforma territoriale krijoi në një farë mënyre një hartë me qëllime elektorale dhe kjo ishte parashikuar nga mjaft grupe interesi dhe më parë, e tashmë është e provuar.
Dua të përmend dhe një aspekt tjetër të reformës territoriale, e cila duke tentuar të zgjerojë sa më shumë territorin humbi vigjilencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Si pasojë, pushteti vendor, jo vetëm perceptohet, por është realisht shumë larg qytetarëve.
Reforma gjithashtu nuk pasqyroi mirë dhe drejtë lëvizshmërinë dhe diversitetin e popullsisë, zvogëlimin e votuesve të rinj, etj.
Zgjedhjet vendore treguan mospërshtatje me reformën dhe thelbin e kuadrit parimor e ligjor të zgjedhjeve, edhe pse u bënë disa ndryshime të vonshme. Këtu dua të përmend disa prej tyre:
– Përfaqësimi demografik dhe gjeografik; efektiviteti i qeverisjes dhe llogaridhënia para votuesit; diversiteti i përfaqësimit dhe i përfaqësuesve, etj.
Për shembull, në qarkun e Gjirokastrës me një popullsi diku te 75.000 banorë u krijuan 7 bashki me një mesatare prej 10 mijë banorë për njësi vendore. Ndërkohë, Tirana me mbi 800.000 banorë u nda në 5 bashki? Me një mesatare diku te 160.000 banorë për njësi?
Po kështu, vihet re edhe një raport jo i drejtë me numrin e deputetëve. Kështu, në Gjirokastër kemi një përfaqësim me 5 deputetë për 75 mijë banorë, ndërsa në Tiranë kemi 32 deputetë për 800 mijë banorë. Të tilla analiza dhe indikatorë duhet të merren parasysh për sistemin e ri zgjedhor që të balancohen sa më mirë raportet e përfaqësimit të zgjedhësve.
Por nëse shifrat na ngatërrojnë, unë po përmend disa probleme konkrete për të kuptuar më mirë problemet që duhet të gjejnë zgjidhje në sistemin e ri zgjedhor, i cili duhet të pasqyrojë qartë normat dhe standartet e përfaqësimit jo vetëm për zgjedhjet parlamentare por edhe të bëjë rregullime në sistemin e zgjedhjeve vendore.
Çfarë problemesh kemi hasur?
1. Shumë zona apo njësi administrative (ish komuna) nuk përfaqësohen në keshilla vendorë.
2. Ndarja territoriale dhe zgjedhjet vendore ndikuan negativisht në pasjen e një opozite efektive me përfaqësues të zgjedhur. Thjeshtë fare t’i referohemi kompozimit të këshillave të Qarqeve – zero opozitë në 11 qarqe të vendit. Kjo do të thotë dobësim i demokracisë, dhe jo vetëm asaj vendore.
3. Edhe përsa i përket zonave zgjedhore për deputetët, është vështirë të kuptohet se cili është deputeti që përfaqëson zonën?
4. Zgjedhjet me hartën e re treguan se këshillat vendorë janë jo përfaqësues dhe në një dimension tjetër, atë të zhvillimit të ndryshëm të territorit, urban apo rural. Numri i këshilltarëve nga zonat urbane përbën një mazhorancë ekstreme krahasuar me përfaqësimin e zonave rurale, gjë që dobëson politikat për zhvillim të harmonizuar dhe të balancuar të zhvillimit urban dhe rural.
Pra, të gjitha këto shqetësime, por dhe të tjera të evidentuara, të dala nga reforma territoriale dhe zgjedhjet e fundit vendore kërkojnë një zgjidhje. Kjo zgjidhje kërkon proçes politik konsensual dhe gjithpërfshirës.
Reforma territoriale pati fatin e keq që u bë pa konsensusin e duhur. Tani kërkohet një reformë zgjedhore dhe pritet të nisë hartimi i saj.
Unë shikoj një problem, që lidhet me reformën zgjedhore dhe ndarjen në qarqe, problemin e numrit të deputetëve për çdo qark (12 qarqe). Reforma territoriale nuk preku qarqet për mungesën e konsensusit politik, pasi kërkohej ndërhyrje në Kushtetutë.
Tani është momenti për arritjen e konsensusit për ndërhyrje në Kushtetutë, është momenti që faktori politik të ulet dhe të japë konsensus për reformën zgjedhore, që do të sjellë dhe korrigjime në ndarjen aktuale të nivelit të parë të qeverisjes vendore dhe rikonfigurim të nivelit të dytë të kësaj qeverisje, që është qarku, për të cilën ka një dekadë e gjysëm që kërkohet të behet, si për efekt të shpërndarjes të shërbimeve publike në nivel rajonal dhe për efekt zgjedhor.
Të gjithë biem dakort se e njohim problemin, njohim shkakun, njohim ndikimin që kanë keto probleme.
Së bashku të gjithë duhet të propozojmë një rrugëdalje, ne nga ana teknike dhe aktoret politikë një rrugëdalje politike.
- Drejtor Ekzekutiv i Shoqata e Bashkive. Fjala e mbajtur ne Konferencën “Korrupsioni Zgjedhor”