Home KRYESORE Perëndimi po humbet betejën për zemrën e Europës

Perëndimi po humbet betejën për zemrën e Europës

Nga John Lloyd, Reuters

Europa përballet me sfida të mëdha të cilat po shfaqin krye fillimisht te qeveritë e sotme në Hungari dhe Poloni. Lloyd thotë se ka ndjesi që po rriten, të cilat duhen marrë në konsideratë.

Një çerek shekulli më parë, Europa festoi shërimin nga skizma që i imponoi komunizmit që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, e cila prodhoi tribuna të shquara të lirisë. Les Valesa, një elektricist porti polak, kaloi mbi murin e oborrit të tij në Gdansk për t’iu bashkuar dhe për të udhëhequr një grevë më 1980 ”“ duke ndezur pishtarin e revolucionit që triumfoi dhjetë vjet më vonë. Ai u zgjodh president më 1990. Vaclav Havel, shkrimtari dhe disidenti çek që vuajti vite në burg për opozitën e tij ndaj regjimit komunist, u shfaq si lideri natyral i demokratëve që artikuluan zemërimin e vendit të tyre. Ai u zgjodh president i Çekosllovakisë ende të bashkuar më 1989. Jozef Antall, një pasardhës i fisnikërisë hungareze që kundërshtoi fashistët dhe komunistët hungarezë, u burgos për ndihmën që dha në udhëheqjen e revoltës kundër Bashkimit Sovjetik më 1956. Ai ishte ndër kryesorët e bisedimeve që i dhanë fund sundimit komunist në fund të viteve 1980. Ai mbijetoi të bëhej kryeministër më 1990.

Këta njerëz ishin frymëzim për qytetarët e vendeve të tyre, heronj për botën demokratike e më të gjerë dhe mendohej që ishin mbrojtja e përparuar e popujve që do të rriteshin e pasuroheshin në Europë dhe do t’i shmangeshin çdo lloj autoritarizmi. Haveli thoshte, me saktësi të përsosur, se komunistët në pushtet kishin zhvilluar te çekët “një mosbesim të thellë për gjithë përgjithësimet, banalitetet ideologjike, klishetë, sloganet, stereotipet intelektuale […], tani ne jemi kryesisht të imunizuar ndaj joshjes hipnotike, qoftë dhe nga ajo e llojit kombëtar ose nacionalist”.

Nuk është më kështu. Polonia, më i madhi dhe më i suksesshmi i shteteve të Europës Qendrore, ka, te Partia për Ligj dhe Drejtësi, një grup politikanësh që përpiqen të ribëjnë institucionet e shtetit me qëllim që pushteti i tyre t’iu bëjë ballë sfidave. Qeveria ka kërkuar të mbushë gjykatën kushtetuese me shumicën e mbështetësve të saj; shtoi fuqinë e shërbimit informativ dhe vendosi një përkrahës të saj në krye të tij; miratoi një ligj që i vendos transmetimet nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit. Jarosllav Kazinski, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, dhe ish-kryeministër, i prin agjendës qeveritare me një qëllim të vendosur: t’i japë Polonisë formën e një shteti të udhëhequr nga katolicizmi, të lirë nga ndikimi i huaj ”“ qoftë nga shtetet perëndimore, apo Rusia, duke flakur tutje sa më shumë të jetë e mundur nga liberalizmi dhe ndikimi evropian-perëndimor.

Në këtë sipërmarrje, ai shikon një model te Hungaria fqinje. Ai ka miqësi të ngushtë me Viktor Orban-in, kryeministrin hungarez, me të cilin zhvilloi një bisedë 6-orëshe më janar. Orban-i, dikur ishte aleat i Jozef Antalli për vendosjen e demokracisë në Hungari, që nga fitorja e parë elektorale e tij më 2010 e ka përkulur me sukses opozitën e majtë, ka shtypur mediet, ka mbushur gjykatën kushtetuese me besnikët e tij, e bëri sistemin elektoral më favorizues për partinë e tij dhe i goditi fort aktivistët e shoqërisë civile. Orban-i dhe Kazinski duket se nuk bien dakord vetëm për një gjë. Orban-i dhe presidenti rus Vladimir Putin e admirojnë njëri-tjetrin, Kazinski e konsideron regjimin e Putinit përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij binjak, Leh, ish-president i Polonisë, në një aksident ajror në Rusi.

Republika Çeke nuk është autoritare: por premtimi i Havelit ”“ për të qenë zemra e Europës, një fanar lirie, qytetarie dhe pune ”“ është zhdukur. Presidenti i saj, Milos Zeman, është shfaqur i pirë në një sërë ngjarjesh të filmuara, dhe ai iu bashkua një proteste anti-myslimane në Pragë vitin e kaluar. Ashtu si Orban-i, ai e pëlqen Putinin ”“ një pozicion jo i pëlqyer për çekët që e mbajnë mend periudhën sovjetike.

Për ata që Haveli ishte hero dhe model, dëshpërohen për një vend ku elita politike dhe e biznesit, përfshi pronarët e medieve, hyjnë e dalin në xhepat e njëri-tjetrit. Istvan Leko, botues i të përditshmes Lidove Noviny, më tha gjatë një bisede në Pragë kohët e fundit, se: “Nuk e kuptuam se çfarë ndodhte; e pamë veten në të njëjtën anë me politikanët e rinj dhe Havelin; shkruam për komunizmin, policinë sekrete të tij, dhe të shkuarën […],ndërkohë u krijuan me shpejtësi marrëdhëniet e politikanëve me njerëzit e biznesit dhe mbërriti një periudhë e re korrupsioni”.

Është korrupsioni, kapja pas pushtetit politik për përfitime të biznesit të vet ose aleatëve, që e gërryen besimin dhe sjelljen qytetare. Duket sikur nuk do zhduket kurrë. Valë të reja politikanësh të rinj (ose të vjetër) vijnë në pushtet me biletë kundër korrupsionit, dhe shumica e tyre qëndrojnë për të zbuluar e shijuar frutat e pushtetit. Kryeministri rumun Viktor Ponta dha dorëheqjen vitin e kaluar me një numër akuzash për korrupsion dhe abuzim që i rrinë mbi kokë. Ai nuk është vetëm në ish-botën komuniste.

Këto qeveri, të gjitha anëtare të BE, ndihen gjithnjë e më pak besnike ndaj tij. Ai pak besim që kanë pasur, u largua nga vala e refugjatëve që përmbyti kontinentin. Shumica e tyre ndoqën shembullin e Sllovakisë dhe mbyllën kufijtë e tyre. Gjermania ka kërcënuar të ndjekë procedurat ligjore për hapjen e kufijve, por pas sulmeve në stacionin kryesor të trenit në Këln, të kryera nga të rinj me pamje nga Lindja e Mesme, kanë dobësuar autoritetin moral të saj.

Pasi rifituan autonominë pas rënies së sovjetikëve, Europa Qendrore i ishte mirënjohëse Europës dhe kornizës së saj të së drejtave. Tani ata u shmangen përgjegjësive të saj. Ata kërkojnë një shpirt patriotik që nuk e duron opozitën liberale dhe atë që e shikojnë si inovacion imoral dhe alarmant nga jashtë, si për shembull të drejtat e homoseksualëve. Kjo mund të ndryshojë përsëri. Një mik polak i ri, që punon (si shumë të tjerë) në Britani, më tha se “të vjetrit votuan për Kazinskin: ne të rinjtë nuk votuam dhe ky ishte gabim”. Një sondazh i fundit tregoi se 56 % e të anketuarve kundërshtojnë disa nga masat e qeverisë së Partisë për Ligj dhe Drejtësi. Por ata kanë nevojë për frymëzim: dhe vende pune. Furnizimi i tyre është detyra kryesore në kontinentin që po zhduket./Mapo.al

Share: