Nga Denis Dyrnjaja
Dashuria e një babai nuk buron nga lutja, por nga shpirti!
A mund ta dua vajzën time sepse për këtë më lutet nëna e saj? A mund ta dua vajzën time sepse kështu më mëson ta dua nëna e saj? Jo për asnjërën nga këto, nuk do të mund ta doja vajzën time, sepse ndryshe, kjo nuk do të ishte dashuri, por zbrazëti e veshur me petkun e dashurisë. Po unë e dua vajzën time! E dua sepse ajo është gjeneza ime, është motiv i ditës sime e njeriu pa motiv nuk është njeri e jo më baba.
E dua vajzën time sepse nuk më mësoi ta dua as nëna ime, as bashkëshortja ime, por e dua se më mëkoi brendia ime. Unë e dua dhe do ta dua vajzën time pa e ndarë e parë atë në sekuenca dhe grimca jete, fëmijë me lodra, adoleshente me a pa të dashur, nënë e nesërme e martuar apo divorcuar. E dua vajzën time sepse brenda saj, është qenia ime. E dua vajzën time sepse ajo nuk ma kërkon kurrë ta dua, pasi ajo e ndjen dhe do ta ndjejë gjithmonë se unë e dua.
Nëse do të isha babai i lutur ta doja vajzën time, më mirë mos ekzistoja, sepse dashuria për fëmijën nuk është me teka e naze, nuk është një lodër a short. Dashuria për vajzën, është dashuria për fëmijën, është dashuria që e bën një baba ta meritojë këtë emër, që kur fëmija vajza e tij sheh dritën e jetës. Nëse do të isha babai i lutur ta dhurojë dashurinë për fëminë, nuk do isha më një baba, por do të isha një maskë e vetes.
Këtë maskë një nënë a bashkëshorte më mirë të mos e ketë sesa ta lusë që t’i dhurojë fëmijës dashuri. Mos i kërko një maske dashurinë për fëminë, sepse dashuria në këtë rast nuk zgjohet, as nuk fitohet, ajo ekziston dhe thjesht transmetohet. Ndaj unë e dua vajzën time, sepse nuk jam maskë e vetes sime, ndërsa ajo, në kuptimin e thellë e të plotë të fjalës, ajo është jeta ime.