Home KRYESORE Piramida e rrenuar e perfaqesimit

Piramida e rrenuar e perfaqesimit

Nga Afrim Krasniqi

Një sistem vendimmarrës duhet të jetë, së pari i drejtë, së dyti konkurrues, së treti transparent, së katërti sa më përfaqësues, dhe së pesti, sa më funksional. Sistemi ynë vendimmarrës nuk është as i drejtë, as përfaqësues, as transparent, as konkurrues dhe as funksional. Le të shohim piramidën aktuale të votimit: kryeministri emërohet nga partia, ministrat emërohen nga kryeministri, partia emëron deputetët, deputetët dhe partia emëron shumicën e organeve vendimmarrëse në shtet dhe institucione. E gjithë kjo me një sistem të disbalancuar: për shembull, Avokati i Popullit zgjidhet me 85 vota, Presidenti i Republikës me vetëm 71 vota!

Le të shohim ndryshimet e reja në drejtësi! Shumica e posteve zgjidhen me 71 vota (kështu ishte, kështu do jetë)! Mazhoranca e opozita debatojnë ashpër mbi numrin e votave që do të zgjidhet një anëtar në KLD apo organika administrative të gjyqësorit/prokurorisë (PS kërkon me 84 ose 71 vota, PD kërkon me 92 vota), por asnjëra, absolutisht asnjëra parti, as PD, as PS, as LSI, as PDIU, as PBDNJ, as PR, etj, nuk flasin dhe nuk propozojnë që psh, Presidenti I Republikës (kreu i KLD) të zgjidhet direct nga qytetarët apo me 84-92 vota! Imagjinoni sa seriozë janë! Kreun e shtetit e duan me 71 vota (pra, në cdo rast produkt militant të shumicës), kurse vartësit e tij dhe të paktën 42 zyrtarë të tjerë të rangut të lartë apo të mesëm kërkojnë të zgjidhen me 84 ose 92 vota..!!!

Përse nuk e nisin nga qytetarët (niveli bazë i demokracisë) dhe Presidenti (kreu i piramidës) për të vijuar tek segmentet e tjera në sistemin politik? Sepse de facto asnjë prej tyre nuk kërkon më shumë demokraci për qytetarët (zgjedhje direkte të Presidentit, deputetëve apo zyrtarëve më të lartë), por të gjithë ofrojnë formula teknike, sesi të marrin copa tortash nga ndarja e re e pushtetit politik e gjyqësor! Dhe pa pikë turpi dhe as pa brerje ndërgjegje, thonë se e bëjnë këtë në emër të parimeve, vlerave, standardeve, demokracisë…!

Trishtim ku kemi përfunduar, trishtim kush merr vendime për fatet tona, trishtim sa pushtet u kemi dhënë partive dhe trishtim, kur të pafuqishëm shohim se ata që na vodhën të kaluarën, po bisedojnë për të na vjedhur edhe të ardhmen!

Share: