Home KRYESORE Populli ëmbëlak

Populli ëmbëlak

Nga Lis Bukuroca

Mos u çuditni pse kemi njerëz, që konsiderojnë Rugovën tradhtar. Ne jemi popull mendje lirë. Ne kemi njerëz, që shpallin tradhtar Skënderbeun më shumë se pesë shekuj pas vdekjes. As si Gjergj, as si Skënderbe, nuk ka mundur ta marrë mend se duke mbrojtur atdheun, bëhet një ditë tradhtar! Tek ne, po. Tek ne bëhet tradhtar njeriu duke i dalë shpirti për atdheun dhe bëhet hero, duke tradhtuar atdheun për para.

Ne jemi popull loçkoman dhe shumë demokrat: çdonjëri ka aftësi të mjaftueshme të shpallë heronj, çdonjëri ka njohuri të mjaftueshme të dëshmojë për tradhtinë e tjetrit.

Nuk më habit kjo gjendje, ku të gjithë, i dinë të gjitha – edhe pse në të gjitha sferat e jetës, dëshmojmë se nuk dimë asgjë sa duhet dhe ka një shekull që kemi vendin e fundit në kontinent- por më shumë habitem kur rilexoj Nolin, Konicën e Fishtën dhe më duket se kanë shkruar pikërisht për neve sot. Pikërisht për neve!
Jemi popull ëmbëlak dhe mund të ndryshojnë çdo dekadë rendet politike, por jo ne. Sepse jemi burra: trima, sypatrembur, guximtarë dhe Mic Sokola, edhe atë, derisa nuk krisë lufta.

Mënyra më e mirë për ta shkatërruar një njeri, disa, ose një popull, është kjo: rritja e mendjes, lavdërimi pa pushim, falënderimet, kështu ai, duke menduar se e ka mirë, vazhdon të mbetet i keq, të bëhet akoma më i lazdruar, ose akoma më i keq. Nëse nuk ju kujtohet ndonjë shembull, shikoni ish ushtarakët e UÇK-së. Nëse ju duhet edhe një, atëherë shikoni pak LDK-në, laviren e sotshme, që përpiqet të mbijetojë duke u krenuar me një të vdekur. Siç bënin dikur diktaturat. Kudo në botën demokratike politikanët mundohen të krijojnë emër të vetin dhe të lënë gjurmë pozitive për historinë, këta mburren se do të ruajnë rrugën e të vdekurit. Edhe pse rrethanat janë krejtësisht tjera. Ai duhej të ndikonte në çlirimin e vendit, këta në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Ashtu si lëvdata e tepruar që prishë një të ri, ashtu dëmton edhe një popull, sepse i krijon iluzione të gabueshme, sepse e privon nga e vërteta, sepse kur të zgjohet, do të jetë tepër vonë. Si njeriu, ashtu dhe populli, mëson duke përmirësuar gabimet, jo duke e lavdëruar pse gabuaka mirë.

Sidoqoftë, mos u habitni, akoma nuk kam lexuar se dikush shkruan për vete se është tradhtar, por shumë herë na e përziejnë shqipen me kos, duke prodhuar tradhtar sipas aftësive personale dhe, natyrisht, shumë sipas nevojave personale fisnore. Vetëm në një popull, ku ka shumë tradhtarë, flitet aq shumë për tradhti. Dhe, tek ne, nuk ka mbetur njeri i njohur pa u shpallur tradhtar: edhe Rugova, edhe Qosja, edhe Ibrahim Kelmendi. Këta tre, çdo njëri ka dashur atdheun në mënyrë më të mirë që ka ditur dhe besuar. Liria e sotshme është përkushtim dhe rezultat edhe i angazhimit të tyre. Pastaj vjen UDBA dhe lëshon një mendim, ne reagojmë sipas instinktit të kopesë: për njërin e pranojmë për tjetrin habitemi, për të tretin nuk e pranojmë. Të menduarit kërkon aftësi të mëdha dhe prandaj kemi njerëz, që marrin ushqimin e gatshëm dhe e përtypin si lopa kashtën.

Çfarë na duhen neve historianë, kur ne prodhojmë vet historinë dhe vet dimë çdo gjë dhe gjithçka, rrjedhimisht, dimë vet, kush është tradhtar, kush hero!

Nuk vlerësojmë dhe nuk kemi respekt për epërsinë e tjetrit dhe kjo shkakton pastaj një kaos edhe në orientim. Nëse dikush është edhe i famshëm në fushën e vet, shpesh dëgjohet: “…ah, djalë i filanit, nuk di kurxha aj.“ Duke ia shikuar babin dhe dajtë, nxjerrim konkluzione të gabueshme, sipas dëshirës, sipas nevojës, sepse jemi të bindur se njerëzit e njëjtë, riprodhohen në mënyrë serike në një fis.

Shikoni profesor Ruzhdi Ushakun. Ai është anëtar i Akademisë Europiane dhe të Shqipërisë, por jo i Akademisë së Kosovës. Aty çobanët vendosin se kush bëhet anëtarë, kush jo. Nëse lexoni biografitë e anëtarëve, atëherë do të shihni se Akademia e Kosovës, është klub nokturn i sociopatëve, ku janë pranuar njerëz pa asnjë vepër, por me lidhje tribale. E si mund të pranohet aty një studiues serioz, një linguist, një filolog, që citohet edhe jashtë vendit, kur Akademia e Kosovës është klub i shakaxhive. Nuk mundet dhe pikë. Njeriu mund të çmendet, por Akademia e Kosovës nuk duron studiues të vërtetë, por njerëz që besojnë, u kuptuam, njerëz që besojnë se dinë gjithçka, gjithkah dhe se kanë merituar ta stolisin Akademinë e Kosovës me hiçin legjendar, me mangësinë dhe boshësinë e tyre proverbiale. Kjo është vepër kolosale e mendimit tribal.

Ec e mos e puth këtë Akademi në lule të ballit dhe t’i përkulesh, duke e falënderuar për injorancën lapidare. Sot nuk është nder në Kosovë të jesh as politikan, as akademik, por më shumë arrihet nëse tuçkat lëvizen apo dridhen sipas shijes së akademikëve senil dhe politikanëve lavirë. Në një Akademi si kjo e Kosovës, më lehtë bëhet anëtar sharlatani e shamani, se sa një studiues i vërtetë.

Ec e mos i puth Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin në lule të ballit për Akademinë më gazmore të kontinentit. Kjo është barazi absolute dhe nuk është e drejtë që të padijshmit, kallashët, të mos përfaqësohen në institucionin më të lartë intelektual të vendit: në Akademi. Urime Kosovë!

Kjo është edhe arsyeja pse kemi aq shumë futbollistë të njohur jashtë vendit, ku ka shumë më pak shqiptarë, se sa në vend. Sepse në perëndim, nuk pyesin për dajën dhe babin, por për dijen, për aftësinë, për mundësinë. Madje, për çudi, as Akademia Europiane nuk pyet se nip i kujt je. Çfarë injorance! Ato qëndrime fisnore, ndikojnë edhe në punësimin e njerëzve jo në bazë të dijes dhe profesionalizmit, por në bazë të lozës. Kjo është arsyeja pse shumë veta privatizojnë historinë, shkruajnë atë pa pasë studiuar kurrë atë. Ata janë të bindur se kanë një kope para vete.

Kjo është arsyeja pse Muhamed Mufaku shkruante se shqiptarët kanë origjinën arabe. Atij i pëlqen kjo. Pse të mos e shkruaj kur i përshtatet botëkuptimeve të tija, kur medieve tona u pëlqen të sjellin shkrime, që në Perëndim, nuk i publikonin as gazetat e të pastrehëve. Dhe ai Mufaku, është anëtar i Akademisë së Kosovës për kontributin e tij historisë shqiptare. Ec e mos e puth në ballë edhe Mufakun, që më në fund, na zbuloi edhe origjinën.

Dhe, ndër arsyet kryesore pse jemi kaq loçkoman, është se ne nuk njohim ndërgjegje kolektive, sedër kolektive dhe interes kolektiv, por vetëm ndërgjegje fisnore, sedër fisnore dhe interes fisnor dhe të gjitha fenomenet i interpretojmë, jo sipas fakteve, por sipas dobisë dhe bindjeve tona tribale. Kjo nuk ndodhë vetëm në politikë, por kudo, edhe në shkencë.

Ec e mos e puth këtë popull në lule të ballit, pse je bir i tij dhe din çdo gjë dhe gjithçka më mirë se të gjithë, edhe pse, nuk din asgjë sa duhet, as si duhet. Njohja dhe pranimi i këtyre fakteve, domethënë i mosdijes kolosale, është hapi i parë drejt vetëshërimit dhe kthjellimit. Jo vetëm kjo, por do t’ishte edhe nisma për të braktisur vendin e fundit në Europë, që sipas dukurive të sotshme, do ta ruajmë me forcë për vete edhe këtë shekull, edhe atë, të shtrirë mbi shilte apo duke kënduar këngë patriotike.

Një krahasim që nuk guxon të bëhet duke njohur mendësinë tonë, por megjithatë, po e bëj: Gjermania 15 viteve pas luftës, do të bëhet shtet më i fortë ekonomikisht se sa ata që e pushtuan. Përjashtim bënte SHBA. Edhe pse rrënojë dhe me industri të plaçkitur, u rikrijua dhe në vitin 1960, kërkonte fuqi punëtore në botë. Shikoni Kosovën 16 vite pas luftës: në gjendje ekonomike shumë më të mjerë se në kohë e Jugosllavisë. Kur të shikoni se kush na qeverisë, si na qeverisë, atëherë mund të ndjehemi mirë pse nuk na e shajnë nanën çdo ditë në Kuvend apo televizor. Pastaj kemi edhe gjykata dhe prokurori. Edhe këta, si dhe Akademia, janë pjesë e një formaliteti në një shtet tribal, që po ndërtohet me sukses të madh.

Share: